A do ta njohë Selia e Shenjtë pavarësinë e Kosovës

Opinione

A do ta njohë Selia e Shenjtë pavarësinë e Kosovës

Nga: Azgan Haklaj Më: 8 shtator 2020 Në ora: 12:19
Azgan Haklaj

Para 20 vitesh teksa Kosova pas gjashtë shekujsh robërie po e ndjente armën e lirisë mes gërmadhave e plagëve të luftës që akoma kullonin gjak në Shkodrën iliriane bashkëmoshatare e Romës e kryeqendër e kulturës shqiptare zhvillohej seminari ndërkombëtar në përkujtim të 2000 vjetorit të Krishtërimit Shqiptar.

Akademikë, klerikë e studiues të shquar të Kosovës së lirë u bënë natyrshëm jo vetëm pjesë integrale, por njëherësh edhe frymëzuesit e këtij evenimenti madhor të një Kombi bashkëthemelues të Krishtërimit.

Vëllezërit tanë të një gjaku, gjuhe e historie vinin nga trojet tona dardane i të njëjtin gjak me Enean themeluesi i Butrintit e Romës, Kostadinit të Madh, i cili me Ediktin e Milanos në vitin 313 pas Krishtit i dha fund përsekutimit të krishterëve që kishte filluar nga Neroni e perandorët paganë.

Ata vinin nga atdheu i Niket' Dardanit e Hasi i Gjergj Kastriotit e Pjetër Bogdanit, nga Shkupi i Justinianit e Nënë Terezës, nga Kosova e Ibrahim Rugovës.

Pjesëmarrësit e këtij tubimi historik ishin mëse të bindur se kulturalisht ishin të gjithë katolikë romanë por fatlum së B- të e mëdha të gjuhës e kulturës kombëtare Buzuku, Bogdani, Bardhi e Budi ishin jo vetëm priftërinj katolikë e udhëheqës shpirtërorë të një populli që ishte zhytur thellë në natën e errët otomane, por edhe rilindas të mëdhenj e patriarkë të kulturës kombëtare, të gjuhës dhe historisë së tij.

Duke pershkruar përplasjen vigane mes arbërorëve e barbarëve të Azisë në trojet tona Kadare i madh shkruan:

"Shqipëri e sertë 

300 kyengritje në 400 vjet"

Në ato vite të stuhishme kur kombi ynë luftonte për jetë a vdekje për të mbrojtur lirinë, ekzistencën dhe identitetin e tij të krishterë.

Paraardhësit e mi të Gashit ju drejtuan në vitin 1688 për ndihmë me anë të një letre Selisë së Shenjtë të Romës.

Ishte koha kur Pashë Begolli, ky Napoleon Zervë i shekullit të XVll-të, sherbëtor i Stambollit kishte bërë masakra çnjerëzore në Fisin e Gashit duke shkatërruar me zjarr e hekur krahinën, duke shkatërruar kishat e vrarë barbarisht katër priftërinj katolikë.

Sot pas qindra vitesh amaneti e shpirti i të parëve të mi me jep të drejtën sublime t'i drejtohem publikisht Atit të Shenjtë Papa Françeskut e t'i kërkoj që Selia e Shenjtë të njohë e bekojë pavarësinë e Kosovës!

At i Shenjtë !

Shqiptarët kanë parë në të gjitha kohërat tek Vatikani e paraardhësit tuaj në Fronin e Shen Pjetrit mikun e sinqertë dhe aleatin e madh në përpjekjet titanike për lirinë, ruajtjen e besimit e të vetë ekzistencës së tyre.

Ata i janë mirënjohes përjetësisht Selisë së Shenjtë, e cila në epokën heroike të Gjergj Kastriotit, ku në trojet tona luhej jo vetëm fati i këtij Kombi fisnik e liridashës, por edhe i Europës u ba aleate e tij duke i dhënë një ndihmë materiale e kurajo të paçmuar morale.

Nderimi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti me titullin e ndritshëm të "Kapitenit të Selisë së Shenjtë dhe emrimin e tij si komandant të kryqëzatës antiturke nga Papa Piu i Dytë është emblema e ndritshme që Selia e Shenjtë ka vendosur në gjoksin e një populli në nderim të luftës së tij për mbrojtjen e Europës nga barbarët e Azisë, forcimin e besimit, nxitjen e civilizimit dhe progresit të saj.

Është koha që ju si autoriteti me i lartë moral i botës, si përfaqësues i vullnetit të Krishtit në tokë e Peshkop i Romës të dekretoni me të drejtën hyjnore dhe juridike si Kryetar i Shtetit të Vatikanit njohjen e pavarësisë së Kosovës pas një akti të tillë të kryer nga Qeveria e Izraelit, e cila me këtë njohje e nxori atë nga kthetrat neootomane turko- arabe.

Kjo njohje ishte jo vetëm gjest solidariteti i Atdheut të profetëve e vendlindjes së Krishtit, por në radhë të parë si një dritë shprese e besimi për një popull martir, i cili ka ecur prej 2000 vitesh në rrugën e golgotës duke mbrojtur identitetin e vet me kryqin e rëndë të mundimit e përsekutimit, duke pritur me shpresë e kurajo mbinjerëzore agimin e lirisë dhe të shpresës.

Është momenti historik që ju t'i njihni Kosovës të drejtën hyjnore për të jetuar në paqe në shtetin e tokën e saj të premtuar, ashtu siç ua njohu vetë Zoti këtë të drejtë popullit të tij të zgjedhur Izraelit.

Marrveshja Kosovë - Serbi e inicuar dhe firmosur nga burri me i fuqishëm i Planetit Presidenti Trump e njohja e Shtetit të Kosovës nga pasardhësit e Abrahamit e Moisiut, Davidit dhe Jezu Krishtit me firmën tuaj do të krijonte Trininë e Shenjtë të drejtësisë ndërkombëtare e një standard ri për t'i njohur më në fund  çdo populli të drejtën për të jetuar i lirë dhe i pavarur në trojet e tij të lashta të cilat Zoti i plotëfuqishëm ia ka dhuruar.

I bekuar At i Shenjtë ! 

Une dhe brezi im që përjetuam diktaturën më të egër komuniste në Europë nuk do të harrojmë kurrë Shenjtorin e lirisë së popujve Papa Gjon Palin e Dytë, i cili në kohën kur shqiptarëve u ishte mohuar çdo lloj lirie, biles edhe ajo me sublimja besimi tek Zoti, Kreu i Kishës Katolike nga bregu i Otrantos i drejtoj sytë e tij engjellor drejt tokës së Gjergj Kastriotit dhe u lut për popullin e tij martir.

Është kjo arsyeja që Nënë Tereza e Ibrahim Rugova ashtu si Heroi ynë Kombëtar në Shekullin e XV-të i drejtuan syte e lutjet me shpresë nga Vatikani, miku dhe aleati i tyre i madh dhe kërkuan ndihmë për ta nxjerrë popullin e tyre nga skllavëria e imponuar nga armiqtë e lirisë, të Krishtërimit Roman, të vetë rrënjëve Judeo - Kristiane dhe civilizimit europian.

Sot tre dekada pas rënies së perdes së hekurt e shembies së Perandorisë Sovjetike, Turqia dhe Arabia Saudite në një aleancë paranojake me Rusinë e krishterë e me Kinën komuniste në vend të demonit të kuq të komunizmit duan të ringjallin në Kosovë, Bosnje e Shqipëri, si vende me shumë muslimane demonin e zi të fondamentalizmit islamik për ta përdorur si kryeurë të ekspsnsionit të tyre fetar, ideologjik, kulturor dhe ushtarak drejt Italisë e vendeve të tjera perëndimore.

I nderuar dhe i bekuar At i Shenjtë ! 

Latinët e lashtë na kanë lanë trashëgim shprehjen lapidare:

" Ku është shtepia e Zotit aty është liria".

Selia e Shenjtë është kryetempulli i Zotit në Tokë, është shtepia e lirisë së popujve, tempulli i paqes dhe meshirës Hyjnore.

Në emër të paqes, lirisë e mëshires hyjnore marr guximin të ju kërkoj At i Shenjtë të nënshkruani Aktin e njohjes së Shtetit të Kosovës, si një peng nderimi ndaj kontributit kolosal që shqiptarët kanë dhënë prej 2000 vitesh për Krishtërimin e lirinë e Kontinentit Europian.

Ju uruaj jetë të gjatë e sukses të plotë në Misionin tuaj të  Shenjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat