Kah është nisur Kosova me Avdullah Hotin, kryeministër, a dinë dikush me na treguar, apo..!?

Opinione

Kah është nisur Kosova me Avdullah Hotin, kryeministër, a dinë dikush me na treguar, apo..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 11 shtator 2020 Në ora: 16:58
Avdullah Hoti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Ishte diku viti 1979, ditë qershori kur e kreva shërbimin ushtarak në qytetin Samobor të Kroacisë, që, përveç gëzimit që ndjeja brenda vetës se dola gjallë nga ajo kazermë e armatës jugosllave, para se të hypja në trenin lokal “Çira” i cili do më çonte deri në stacionin kryesor të trenave në Zagreb, për ta vazhduar rrugën për Beograd, e pastaj për Fushë Kosovë deri në Pejë, si me rastësi i bleva dy revistat e njohura javore të asaj kohe, “DANAS-in”, kroat dhe “NIN-in” serb, sa për të pasur me lexuar diç gjatë udhëtimit, dhe që koha të më kalonte sa më shpejt nga padurimi që të arrija sa më para në shtëpi.   

Nuk më kujtohet se në cilën pjesë të hekurudhës, në Kroaci apo në Serbi, isha kur e lexova artikullin në “NIN”, ku as syve të mi nuk iu besoja atë po e lexoja në atë shkrim, në të cilin, ndër të tjera autori kishte sjellë një rrëfim të marrë nga shtypi amerikan; se si një grup ekspertësh ushtarak, duke hulumtuar në qendrat e tyre ushtarake, se cili do jetë vendi i ardhshëm strategjik në botë, ku pas 30-50 viteve do stacionohet ushtria amerikane, duke përdorur një aparat të ngjashëm me ruletin amerikan, sa herë që e kishin sjellur, akrepi i tij do ndalonte mbi Kosovën, gjë të cilës ata nuk i kishin besuar, ndaj e kishin përsëritur rrotullimin e tij edhe dy herë tjera, por akrepi prapë kishte ndaluar mbi hartën e Kosovës!

Ky rrëfim e kishte habitur vet gazetarin serb të këtij shkrimi, por i cili qëllimisht ua kishte sjellë lexuesve të vetë, kryesisht atyre nga Serbia.

Nuk e di as sot, se pse ky artikull nuk u shlye nga mbamendja ime, por që menjëherë pas bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë dhe ngritjes së “Camp Bondsteel-it” amerikan afër Ferizajit, rrëfimi të cilin e kisha lexuar në “NIN” para 20 viteve, m’u rishfaq rrufeshëm në mendje, duke i besuar tani plotësisht vërtetësisë së tij!

Pra, ajo që dua të them përmes këtij rrëfimi dhe shkrimi, është fakti i pamohueshëm, se Kosova pa asnjë dyshim, që nga viti 1999 ka hyrë si vend një strategjik në agjendën e politikës dhe asaj ushtarake amerikane, përndryshe unë nuk besoj se ata do qëndronin kaq gjatë të stacionuar me ushtarët e tyre në “Bondsteel”, përveç si një anëtare e ngjashme me shtetet tjera brenda forcave të KFOR-it..!?

Tani, shtrohet pyetja e pashmangshme, a është akoma Kosova pikë strategjike në agjendën e interesave të Amerikës në Evropë dhe Ballkan, a e ka administrata aktuale amerikane të njëjtën politikë dhe strategji ushtarake ndaj Kosovës, siç e kishte në vitin 1999, a kanë lëvizur akrepat e “ruletit” të saj mbi ndonjë vend tjetër në Evropë dhe botë, a kanë ndryshuar dhe sa, raportet midis SHBA-ve dhe BE-së, midis SHBA-ve dhe Rusisë, midis SHBA-ve dhe Lindjes së Mesme, etj.

Unë nuk besoj se në këto pyetje dinë të përgjigjen pushtetarët dhe qeveritarët aktualë të Prishtinës, por as ata të Tiranës, dhe, këtë e them duke u bazuar në sjelljet e tyre mafioze, korrupsionin enorm, në mos zhvillimin ekonomik si dhe stagnimi total në planin e forcimit ushtarak në të dy shtetet tona, andaj as nuk mundem të besoj se kombi shqiptar një ditë do bëhet faktor kyç në Ballkan, por as ndonjë aleat i besueshëm për amerikanët, ngase edhe ashtu për BE-në dhe shtetet e Evropës perëndimore, dy shtetet tona kanë ngelur partner i pasigurt dhe i pabesueshëm për të qenë pjesë integrale e politikës evropiane si dhe e strategjisë  ushtarake të Amerikës dhe NATO-s..!?

Por, pa marrë parasysh rrjedhat aktuale në politikën e jashtme të Evropës dhe Amerikës, për mua janë shumë shqetësuese shkrimi i djeshëm i gazetës angleze “The Economist”, me titull: “Një mbështetje e çuditshme e Izraelit nga Serbia dhe Kosova…”, si dhe deklarata e djeshme (10 shtator 2020) e z. Groselj Klemen, euro-deputetët e PE-së, i cili duke iu referuar marrëveshjeve të fundit në Uashington, ka thënë se, “është i befasuar se si dy vendet (Kosova dhe Serbia, v.j.) që synojnë të jenë pjesë e BE-së dhe që marrin ndihma shumë të madhe nga BE-ja, nënshkruajnë marrëveshje financiare me një shtet tjetër..”, fjalën e ka për SHBA-të..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat