“Ministrat fëmijënakë” të AAK-së dhe politika perfide shantazhuese e Ramushit!

Opinione

“Ministrat fëmijënakë” të AAK-së dhe politika perfide shantazhuese e Ramushit!

Jusuf Bytyçi Nga Jusuf Bytyçi Më 16 shtator 2020 Në ora: 18:09
Ramush Haradinaj

"Unë e bëra këtë e atë, unë e ndala ndarjen, unë ndikova në ndryshimin e çështjeve, formulimin e temave në Shtëpinë e Bardhë në Washington....,nuk i besoj kryeministrit Hoti, pa i pasur aty njerëzit e mi, unë duhet të jem në dialog në vend të ministrit Selimi apo ministres Haradinaj-Stublla", etj., janë vetëm disa nga reagimet e pazakonshme, yryshet dhe madje sjelljet tepër fëmijërore, shantazhuese dhe perfide të AAK-së dhe njerëzve të tij në ekzekutivin e Kosovës, bashkë në partneritet me LDK-në e Kryeministrit Avdullah Hoti!

Ishte Ramushi kryeministër dy herë, të dy heret pavarësisht se nuk ishte fitues i zgjedhjeve, mbase as i dyti e i treti, por është lazdruar tepër nga të qenit në krye të ekzekutivit të vendit, për t'u "kollur" si don ai vet. Ramush Haradinaj në mandatin e dytë si kryeministër, ndonëse në koalicion me PDK-në parti me shumicën parlamentare dhe Nismën e Limajt e AKR-në e Pacollit, kishte vetëm dy ministri nga AAK, por fuqia e tij si kryeministër, ishte fillim e mbarim ekskluzive, vendoste kute dhe prente vetëm si donte ai "Aga" i Gllogjanit!
Unë pajtohem që kryeministri të jetë njeri, autoritet-personalitet i fuqishëm, që di, mundet dhe guxon të vendos pa pasur frikën e pa pranuar shantazhim. (Do të ishte më së miri, kryeministri të kishte edhe fuqi politike, votë nga subjekti i tij).

Sikur ka harruar trimi i Gllogjanit, që kur ishte në krye të ekzekutivit të vendit, nuk i bënte "hesap" as ministrat më të përgatitur e më të fuqishëm të partnerit kryesor Qeverisës! "Aga", kryepari i përhershëm i AAK-së, ndonëse për 20 vite veprim aktiv, edhe pjesë e rëndësishme e qeverive paraprake, nuk arrin të shtojë votat, përqindjen, respektivisht përkrahjen e qytetarëve, nuk ndalet me veprime perfide, sjellje shantazhuese ndaj partnerëve të koalicionit aktual në Qeverinë Hoti. I lazdruar nga përfitimet në Qeveritë paraprake, duke punësuar militantë të shumtë në të gjitha Institucionet e vendit, edhe në ndërmarrje, PTK, Vala...me teposhtëze marramandëse ekonomike, pothuaj falimentuese, borde e organe tjera publike, nuk ngopet dot! Ky Ramushi, nuk u bë pjesë e partneritetit qeverisës, se e donte aq Hotin apo Isën-LDK-në, por, donte të vazhdonte tortet përfituese në pushtet, në Qeveri, ku siç dihet si zëvendësministra, ka dërguar, sistemuar e instaluar edhe militantë studentë! Ramush, a keni ju marre, a skuqeni kur bëni veprime të dëmshme?! Apo, ndoshta marrja nuk vret, as nuk lëndon, as nuk dënon. Ndoshta një ditë do të ju ndëshkon disi!

Ramushi e bashkëpartiakët e tij nga AAK, sikur nuk po mbushen mend, nga stagnimi, ata nuk po fuqizohen, nuk rriten me përqindje e përkrahje qytetare.

Nuk ju ndihmon Ramush as sjellja fëmijërore e ministrave tuaj në Qeverinë Hoti, ministri i Drejtësisë, Selimi, po se po, sipas porosisë suaj, është tinzaku më i keq, edhe rrenc, por nuk po shkëlqen as zonja Haradinaj-Stublla. E shpluat fytyrën e vërtetë edhe në ambientet e Shtëpisë së Bardhë në Washington, Ramush! Nuk rritet AAK, as ju Ramush, me veprime perfide, sjellje fëmijërore dinake e shantazhuese, siç po veproni aktualisht! Nuk rritet AAK, as ju Ramush, pse nënkryetari Ahmet Isufi, ju propozoi në AAK, për president të Republikës së Kosovës! Ahmeti, është vërtet njeri shumë i mirë, ka qenë edhe komandant i mirë në UÇK, por ju dhe të përkëdhelurit, apo bashkëpunëtorët tuaj, nuk po e lejoni fuquzimin e tij edhe me votë në Anamoravë a gjetiu!

Boll më me sjellje të tilla Ramush, boll më me sjellje, lojëra politike apo më shumë me veprime fëmijërore dhe shantazhuese! Më mirë e më korrekte do të ishte, të hiqni dorë nga koalicioni, qoftë edhe nëse do të binte krejt Qeveria e do të duhej patjetër të shkohet në zgjedhje, pavarësisht se mund të ndalet ndonjë proces i mirë apo edhe "i dëmshëm" siç e thonë opozita, kryesisht LVV! Pra, nuk është fundi i Botës nëse si pasojë e papajtueshmërisë me kryeministrin, respektivisht partnerët tjerë qeverisës, tërhiqeni nga Qeveria. Hapni rrugë, Ramush, se sinqerisht nuk po ju ka hije! Kryeministri Avdullah Hoti, duket i urtë, jo rrahagjoks, jo problematik, por pos i ditur, i ngritur e i mençur, duket edhe i guximshëm, nuk është çyqar, siç e mendoni ju! Ai, ndonëse është ekonomist, për dallim nga ju si jurist, e njeh shumë mirë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, edhe është zotuar në përfilljen e kësaj Kushtetute.

I urtë në pamje, ishte edhe Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, por pos i ditur, i mençur dhe vizionar, ishte edhe i guximshëm, i vendosur dhe shumë i përkushtuar për zgjidhjen fatlume të çështjes së Kosovës, edhe çështjes kombëtare, veçmas për arritjen e Lirisë, Pavarësisë së Kosovës dhe marrëdhënieve-miqësisë së përhershme me SHBA-të! Mjaft më me përralla e yryshe Ramush, ndalu e kthjellu! Bashkëpunim po, por jo shantazhe e lojëra fëmijësh Ramush!

Nëse edhe ju jeni ende përkrahës i ish-politikës së urtë e vizionare të Rugovës, që ishte orientuar kryesisht nga Washingtoni-Shtëpia e Bardhë, si trim që nuk ju kontestojmë, ndalni dyshimet, sjelljet e pazakonshme, fëmijërore e të dëmshme në procesin e bashkëveprimit me autoritetet më të larta të Administratës Amerikane!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat