Kujt po i pengon mërgata

Opinione

Kujt po i pengon mërgata

Nga: Skender Musliu Më: 21 shtator 2020 Në ora: 18:19
Skender Musliu

Është evident fakti se gjysma e kombit shqiptar gjindet jashtë atdheut, duke filluar nga koha e Nolit, Konicës…, e në veçanti nga vitet e 90-ta e këndej, me ç’rast Mërgata shqiptare krijoi një energji të resurseve njerëzore dhe intelektuale të konsiderueshme dhe kapacitete ekonomike dhe financiare të mëdha.

Viteve të 90-ta, kur Kosova nuk ishte ende shtet, ishte koha kur e vërteta për Kosovën kishte vështirësi të depërtojë nëpër Kancelaritë botërore, ngase propaganda serbe ishte e madhe kundër Kosovës, Mërgata shqiptare në këtë kohë luajti rolin e diplomacisë duke i organizuar dhe financuar Dr. Ibrahim Rugovës takime të rëndësishme nëpër kryeqendrat e botës. Po ashtu Mërgata shqiptare organizonte demonstrata masive anë e mbarë botës për senzibilizimin e represionit dhe  terrorit serb ndaj popullatës së Kosovës.

Roli dhe kontributi i Mërgatës në krijimin dhe sëndërtimin e shtetit të Kosovës është, jo vetëm i konsiderueshëm, por edhe i pakontestueshëm. Mërgata shqiptare, para pavarsisë së Kosovës, e organizuar përmes shoqatave dhe organizatave të ndryshme anë e mbarë botës, ka luajtur rolin e një lloj   Ministrie të Punëve të Jashtme dhe Ambasadave në senzibilizimin e kauzës së drejtë të popullit të Kosovës. Kështu, përveç tjerash, shqiptarët në  Amerikë  përmes kontakteve me Kongresmen dhe Senator Amerikan kanë lobuar në vazhdimësi për zgjidhjen e drejtë çështjes të Kosovës. Edhe Mërgata e Europës ka punuar pa ndalur në senzibilizimin dhe prezentimin e drejtë të gabimeve historike që Europa ia ka bërë shqiptarëve. Përmes kontakteve të drejtpërdrejta  me Eurodeputet dhe Senator dhe përmes shkrimeve të vazhdueshme institucioneve europiane, sikurse Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Komisionit Europian e tj. Mërgata gjithnjë ka qenë aktive në kërkesat për një Kosovë të pavarur. Nuk kanë munguar edhe adresimet e Mërgatës përmes shkrimeve të ndryshme edhe Kombeve të Bashkluara  duke senzibilizuar dhe fuqizuar çështjen e Kosovës.

Po ashtu Mërgata shqiptare në mënyrë të organizuar, jo vetëm që financoi luftën e Kosovës, por ajo ishte edhe pjesë aktive e saj. Nga rradhët e Mërgatës kemi shumë Dëshmorë të Kombit dhe invalidë të luftës.

Kjo më lartë për Mërgatën u tha nga fakti se, fatkeqësisht, ende ka të ashtuquajtuar gazetar që në paraqitjet dhe shkrimet e tyre publike nënçmojnë  Mërgatën shqiptare, duke e trajtuar ate si të paedukuar, të prapambetur, primitive dhe si pasardhës të analfabetëve. Po ashtu, ai apo ata, deklarojnë se : tani jemi shtet dhe nuk jemi më për vitra dhe se Mërgata ( siç thonë ata Diaspora) ende ka të menduarit e viteve të 90-ta, dhe se na e kemi çliru dhe rregullu Kosovën dhe ju (Mërgata) nuk tutni ma prej Serbisë….., nënçmimi i Mërgatës nga ata shkon edhe më tej, por nuk do t’i përmendi, për mos e zbritur shkrimin në nivelin e  tyre.

Madje edhe para viteve të 90-ta, Enti Krahinor për punësim i Kosovës, në mënyrë të organizuar punësonte punëtor kosovarë nëpër shtete të ndryshme të Europës, sepse atë botë Kosova nuk kishte as industri e as infrastrukturë, rrjedhimisht kishte papunësi të madhe dhe  ishte lënë anash zhvillimi ekonomik i saj, sepse ishte politikë e regjimit komunist jugosllav si presion për shpërnguljen e shqiptarëve.  

Çka ka të keqe nga kjo Mërgatë e cila i ka mbajtur gjallë familjet dhe ka shkolluar fëmijët e tyre në vendlindje, që pastaj ata u bënë bartës kryesor të proçeseve në formimin e shtetësisë së Kosovës.

Këta, të ashtuquajtur, gazetar duhet t’a dinë se Mërgata ka dhënë një kontribut kolosal në të gjitha proçeset e sendërtimit të shtetësisë së Kosovës dhe nuk  kursyen asgjë për atdheun. Këtyre duhet treguar se Mërgata është një minierë e pashterrshme me intelektual të dalluar të nivelit botëror në të gjitha profilet,sikurse  profesor të dalluar nëpër universitete të njohura dhe me renome botëror, politikan, avokat, kirurg të njohur, biznismen dhe punëtor të ndershëm.

Këta gazetarë, si po duket, vuajnë nga syndromai i Mërgatës, që zgjidhjen duhet kërkuar gjetiu. Nëse i analizojmë paraqitjet e tyre nëpër emisione të ndryshme televizive, mënyrën e të shprehurit dhe  fjalët bajate dhe nënçmuese që i përdorin, shumë lehtë mund të konstatohen rrethanat, ambienti dhe mentaliteti në të cilat janë formuar dhe edukuar ata. Sa më shpejtë të lirohen nga ky kompleks aq më mirë do të jet për ata.

Në vend që këta kuazi gazetarë, që fatmirësisht janë në minorance ekstreme, të merren dhe ti kritikojnë proçeset dhe zhvillimet retrograde politike që dëmtojnë Kosovën, ata gjejnë guximin e turpshëm t’a nënçmojnë, kritikojnë dhe përdhosin Mërgatën, e cila është një aset i çmueshëm kombëtar.

Prandaj propaganda çorras dhe falas kundër Mërgatës nga matrapaz dhe injorantë, është e pamoralshme dhe e turpshme, e sidomos kur këto përsëriten dhe bëhen temë diskutimi nëpër televizione.

Mërgatën shqiptare nuk duhet shikuar më vetëm nga prizmi i remitencave edhe pse ato janë kolosale për ekonomitë tona, por duhet shikuar edhe nga aspekti i resurseve njerëzore, sepse tani kemi shumë intelektual dhe profesionist të fushave të ndryshme e që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në proçeseve demokratike të Kosovës.

Është evident fakti se Mërgata shqiptare nuk është më ajo që ka qenë para disa dekadave. Familjet shqiptare po i kushtojnë  rëndësi të madhe si kurrë më parë shkollimit të gjeneratës së re. Prandaj sot nëpër Univerzitetet e botës kemi me dhjetra mijë student të dalluar shqiptarë, që paraqesin një potencial intelektual shumë të rëndësishëm.

Krejtësisht në fund shfrytëzoj rasti t’i përgëzoj dhe falemnderoj të gjitha gjeneratat e Mërgatës shqiptare për punën e palodhur dhe sakrificat që dhanë për Atdheun e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat