Sulltan Rama, çliroje nga prangat verdiktin e sovranit, hap listat e përballu me popullin në fushë të mejdanit

Opinione

Sulltan Rama, çliroje nga prangat verdiktin e sovranit, hap listat e përballu me popullin në fushë të mejdanit

Nga: Azgan Haklaj Më: 22 shtator 2020 Në ora: 08:26
Azgan Haklaj

Vetëm tiranët e pushteti i tyre kanë frikë nga përballjen me popullin 

Me listat e hapura sovrani ua delegon ushtrimin e pushtetit të besuarve të tij.

Deputetët në zarfa të mbyllura janë si shejtani në shishe.

Leri akrobacirat se grushti i Atdheut do të bjerë fuqishëm mbi ju dhe kalifatin tuaj z Rama 

Opozita e bashkuar duhet ta ushtrojë pushtetin e saj si mazhorancë morale për ta detyruar Sulltanin t'ia kthejë pushtetin popullit, të ndalojë planet djallëzore të tij ndaj demokracisë përndryshe nuk e ka kryer misionin historik ndaj Atdheut

Me dt 25 prill 2021 populli opozitarë, tashmë shumicë dermuese, me votë plebishitare duhet t'i japë fund regjimit totalitarë dhe ta varrosë Faraonin bashkë me sherbëtorët e tij.

Por para se të shkojë në këtë dyluftim antagonist me regjimin totalitarë të instaluar opozita e bashkuar duhet të çlirohet vetë nga djalli që ka në gji prej një kohe të gjatë.

Diktatuara e tirania ta quajmë si të duam mbetet e tillë në të gjitha kohërat, vendet dhe regjimet, për sa kohë nuk i jepet e drejta popullit të ushtrojë në mënyrë të drejtpërdrejtë sovranitetin e tij.

Kontrata mes individit, i cili lind me të drejta natyrore, të cilat iluministët i kanë cilësuar si të drejta të panegocueshme e të padhunueshme të shtetit të tyre, është së pari një kontratë sociale e sanksionuar në ligjin themeltar të shtetit, e për atë që e thyen në mënyrë të njëanshme këtë kontratë në vendet e lira ka sanksione e penalitete, pra pasoja juridike të parashikuara në kodin penal, të cilin e hartojnë ligjvenësit, pra parlamenti, i dalë nga zgjedhjet e drejtëpërdrejta, transparente, të lira, të hapura, e më shanse të barabarta konkurimi për të gjithë.

Deputetët janë përfaqësues të drejtëpërdrejtë të sovranit, e garant të kontratës sociale mes qytetarëve dhe shtetit të tyre.

Zgjedhjet parlamentare, por edhe ato vendore, mënyra si ato zhvillohen, të hapura apo gjysmën ilegale, me maska apo transparente, në një atmosferë e situatë stabiliteti politik dhe ekonomik, apo në krizë të thellë të këtyre elementëve janë vija e demarkacionit mes tiranisë dhe lirisë, regjimeve diktatoriale e neodiktaturave dhe demokracive të sistemeve garante të lirisë dhe të drejtave të njeriut, të inisiativës së lirë, mirëqenies ekonomike e paqes sociale.

Shqipëria sot është modeli me i shëmtuar i shtetit, një hibrid i ngjashëm me krijesat e frikshme mitologjike të prehistorisë.

Diktaturë e tirani në aspektin ekonomik, ku një grusht banditësh e oligarkësh zotërojnë gjithshka, neodiktaturë në aspektin e funksionimit të parlamentit, qeverisë, pushtetit vendor dhe institucioneve kushtetuese dhe plagjiaturë në superstrukturën e tij. 

Një karrikaturë e frymëzuar nga modelet e shëmtuara të diktaturave bizantino-otomane, ku zgjedhjet janë veçse një farsë sa për të kaluar radhën e për të projektuar sundimin e klikave të modelit të Putinit, Lukashenkos, apo Erdoganit.

Kryeministri i narkoshtetit Edi Rama, njeriu që guxoj të prishë marrveshjen e 5 qershorit të firmosur në Ambasadën e SHBA- së në Tiranë, njeriu që guxoj ta quante Presidentin Amerikan Donald Trump rrezik për njerëzimin, Presidentin e vendit të tij Ilir Metën një të çmendur që vrapon pas cilëve hënore, ndërsa diktatorin Erdogan që i dha fund demokracisë së vendit të tij duke e asgjesuar republikanizmin e Ataturkut e quajti vëlla dhe Vuçiçin mik të ngushtë, kërkon me çdo kusht që me dt 25 prill 2021, pas 8 vite zullumesh me pushtetin e instaluar me votat e grabitura, t'i mohojë brutalisht popullit sovran të drejtën e perfaqësimit në Parlamentin e Shqipërisë, me kandidatët që ai dëshiron t'u japë votëbesimin për në organin më të lartë të pushtetit.

Imponimi i listave të mbyllura nga Sulltan Rama është denimi me vdekje i demokracisë e legjimitet i tiranisë që pjell një pushtet jakobin, i cili ishte pararendës i diktaturave staliniste e nacional fashiste, të cilat në luftë dhe në paqe i shkaktuan botës rreth 200 milion viktima, vuajtje dhe tmerr të pashembullt në histori.

Dita e zgjedhjeve për çdo vend të lirë është një dasëm e vërtetë e popullit sovran.

Si do të shkojë në zgjedhje populli ynë që ka derdhur në shekuj lumenjë gjaku për lirinë e tij ?!

Do të bëjë dasëm allaturka apo allafranga ?!

E bëj këtë pyetja retorike sepse me trishtojnë edhe sot pamjet e Institutit Lucia, filmime që tregojnë se si vajzat e fshatrave të Tiranës dhe Elbasanit në vitet 30-të i çonin tek dhëndrri të hipura mbi mushka e gomarë dhe me thes në kokë për të mos e parë rrugën që të çon tek burri i ardhshëm.

Të tilla nuse duan t'i bëjnë Rama dhe ramiçët tanë deputetët e popullit.

Të mbyllura në zarfa si shejtanin në shishe.

Kur të hapet Kutia e Pandorës atje në parlament populli i mashtruar nga siglat e partive do të shohë fytyrat e shejtanëve, sigurimsa, spihunë, trafikantë droge e mishi të bardhë që do të bëjnë ligje në emër të sovranit.

Trafikimi i deputetëve është as më pak e as më shumë se një tregti skllevërish në shekullin e XXI-të.

Ata janë të shitur njëqind për qind me mish e më shpirt te satanai i madh që i dërgon me thes në kokë tek populli i vet.

Të mbajtur kësisoj peng si Prometeu i Eskilit.

Ata nuk kanë forcë të çlirojnë as vehten e tyre nga tirania e një pushteti, të cilit ata i binden si sherbëtorët Faraonit të tyre.

Shikoni si sillet timonieri i madh i sektit të rilindjes Edi Rama me udhëheqësin e opozitës së bashkuar dhe me kryetarin e shtetit të vet.

Të parin e quan të lajthitur e adoleshent të politikës megjithëse e ka mundur në një duel të drejtëpërdrejtë në Tiranë, në Kryeqytetin e Shqipërisë dhe të dytin një njeri mendja e të cilit varet nga levizjet e Hënës, baticat dhe zbaticat e saj.

Si do të përgjigjej ky Haxhi Qamil me kostume e kravata miliarderësh nëse qytetarët e Shqipërisë do ta pyesin?!

Po mendja jote perverse dhe diabolike nga varet zotëri?!

Nga cikli monstrual i hyrremeve të oborrit të rilindjes!

Nga urdhërat që të japin ustallarët e t'u Putini, Erdogani, Vuçiçi!

Nga paranoja jote e vdekjes pa lavdi!

Nën efektin e drogave të forta dhe i përkëdhelur deri në neveri nga oborrtarët që i shërbejnë Rama e ndien vehten të plotëfuqishëm në rrugën drejt mandatit të tretë.

Por e verteta është krejt ndryshe.

Opozita e bashkuar është kthyer në mazhorancë morale dhe se do të jetë barrikadë e pakapërcyeshme kësaj radhe nëse tregohet solide e nuk përçahet nga ofertat e pushtetit deri në fund të betejës dhe ia arrin të pastrohet nga djalli që ka mbajtur në gji për një kohë kaq të gjatë.

Situatën e krijuar Rama e dekripton dhe e transkipton mirë, prandaj ka mobilzuar të gjithë makinerinë e tij shtetërore dhe arsenalin që posedon për të realizuar ambiciet e tij.

Monovrat me ndryshimet kushtetuese.

Prishja e marrveshjes me opozitën.

Terrorizmi i administratës shtetërore, të cilën e ka organizuar në celula të vogla për të mbledhur votat e familjarëve të tyre.

Aktivizimi i bandave kriminale e përdorimi i lumenjëve të parave të drogës e të trafiqeve.

Mobilizimi i mediave të kontrolluara rreptë prej tij.

Këto janë armët me të cilat Rama do t'i drejtohet sovranit për ta legjitimuar si sundimtar të përjetshëm.

Kryeministri Sulltan mundohet deri në vetëmohim që "sigurinë" e tij për fitoren "bindëse" të zgjedhjeve ta përcjellë tek elektorati i tij fanatik.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, për faktin se çdo politikan edhe kur ka bërë gati valixhet por t'ia mbathur kërkon t'i mbajë të bashkuar me çdo çmim ndjekësit e vet.

E keqja me e madhe, madje djallëzi kriminale është kur e përdor pushtetin e propogandën, institucionet e buxhetin e shtetit për të terrorizuar opozitën, fjalën e lirë, shoqërinë civile, për t'ia mbushur mendjen se është i plotëfuqishëm, i përjetshëm në pushtet dhe e vetmja alternativë dhe shpresë për shqiptarët.

Është krijuar këto kohë bindja se do të ketë qetësi dhe paqe me pushtetin deri me dt 25 prill të vitit 2021.

Ky është një iluzion i rremë i atyre që nuk i'u intereson asgjë çfarë ndodh rreth tyre.

Para 25 prillit është 28- nëntori i Flamurit Kombëtar e shqiptarët nuk duhet ta presin kokë ulur ditën e lirisë e pavarësisë duke dëgjuar mesazhin që do t'u dergojë nga Bunkeri i Surrelit plaku mjekërbardhë e shpirt katran, patriarku i sektit të rilindjes.

Para 25 prillit është 2 marsi i Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit me princat arbërorë, Besëlidhja e përjetshme me Atdheun dhe lirinë e tij.

 Partia Demokratike e Shqipërisë si misionare e rrëzimit të diktaturës ka detyrimin madhor ndaj shqiptarëve që së bashku me aleatët e saj të rrëzojë edhe neodiktaturën.

Rama është në kohë të vështirë e Shqipëria gjithashtu për shkak të zullumeve të tij.

Ne e kemi Atdheun dysheme e çati, oksigjen e gjak e nuk bëjmë dot pa të asnjë minutë të vetme.

Kryeministri Rama nuk ka lanë poshtërsi pa ia bërë Atdheut tonë.

Ai bëri puç kushtetues e është gati të bëjë dhe grusht shteti.

Një i çmendur për pushtet si ai nuk e din se do të përballet me grushtin e Atdheut, forca e të cilit rrëzon edhe malet.

Kur u përpoq të bënte puçin kushtetues Presidenti i Republikěs Ilir Meta ia ktheu pushtetin sovranit dhe populli ia vuni kufirin tek thana Zhupan Ramës në Sheshin Skenderbej me dt 2 mars  të këtij viti.

Tani e ka fjalën përsëri fronti opozitar shqiptar për ta ndalur planet e llahtarshme të Faraonit ndaj demokracisë dhe Atdheut.

Opozita e bashkuar duhet ta ndalë me çdo çmim egon e shfrenuar të demonit të pushtetit, përndryshe nuk e kryen misionin kombëtar që po ia kërkon koha dhe detyrimin madhor ndaj Atdheut e bëhet bashkëfajtore me të.

Për ta realizuar këtë mision të shenjtë duhet të përzgjedhë mirë matadorët që do të ndeshen në mejdan me demat e sektit të rilindjes, në të kundërt mban përgjegjësi historike para një kombi që kërkon rrëzimin e regjimit të Sulltanit.

Regjimet rrëzohen e nuk e leshojnë pushtetin me rotacion.

Kjo përmbysje është imperativ historik i kohës për frontin opozitarë për të kthyer demokracinë, dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve e votën e tyre të lirë, si fondament i shtetit të së drejtës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat