Fituesit dhe humbësit e marrëveshjes së Uashingtonit

Opinione

Fituesit dhe humbësit e marrëveshjes së Uashingtonit

Merxhan Jakupi Nga Merxhan Jakupi Më 23 shtator 2020 Në ora: 20:14
Merxhan Jakupi

Sipas qarqeve qeveritare, analistëve dhe politologëve pro-qeveritarë, thuhej se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para se të nisej në Uashington, ka pasur bisedime me Putinin. Kremlini ka qenë i njoftuar, ndërsa Vuçiqi ka pasur takime edhe me ministrin e jashtëm rus, Lavrov. Në anën tjetër, sipas politologëve dhe analistëve të pavarur, objektivë dhe më liberalë, për bisedimet në Uashington nuk ka pasur informacione të sakta Kremlini, që përfunduan me nënshkrimin e Marrëveshjes mes dy shteteve. Për Kremlinin ka qenë një shuplakë dhe tradhti nënshkrimi i marrëveshjes, thuhej në "Sputnik", pasi që Beogradi dhe Vuçiq, kanë vazhduar të lozin me dy standarde dhe po ulen në dy-tre kolltukë. Qeveria e Beogradit nuk do që të jetë peng i Moskës dhe i interesave të saj gjeostrategjike politike. Dy dekada me radhë, Kremlini dhe Putini e kanë mbajtur peng Serbinë nga Evropa, sa që Evropa i ka llogaritur serbët si rusë të vegjël në Ballkan. Serbët tradicionalisht kanë qenë të lidhur me Rusinë, duke e perceptuar atë si një vëlla të madh. Nëse implementohet marrëveshja, më shumë benefite do të ketë Serbia se sa Kosova, përkundër faktit se Vuçiq është sulmuar keq nga disa opinionistë dhe politikanë pro-rusë, të cilët kanë deklaruar se ai ka tradhtuar vëllezërit nga gjaku dhe fisi. Por, Serbia, e rrethuar me shtetet fqinje, shumica anëtare e NATO-s dhe në të ardhmen të integruar në BE, është gjeografikisht shumë larg Rusisë, ndërsa populli serb është autokton në Evropë, ndaj dhe rruga dhe e ardhmja e saj është në familjen evropiane, kanë theksuar disa medie të tjera serbe.

Në një panel, një ish-diplomat në Uashington dhe Berlin, kishte thënë se në politikë nuk ka dashuri dhe kurorëzim të përjetshëm, por ka interesa të përjetshme. Kurorëzimi i përjetshëm ekziston me fëmijët dhe prindërit, kurse në mes bashkëshortëve mund të përfundojë dashuria. Rusia dhe Kina, për serbët janë si një motel larg autostradës. Duke udhëtuar me makinë, ndonjëherë mund të ndalesh e të pushosh në ndonjë pikë të magjistrales, në ndonjë motel, por vetëm në ato që shpijnë drejt Evropës.

Sipas disa analistëve, studiuesve dhe njohësve të çështjes së Ballkanit, në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, fitues doli Donald Trampi dhe Aleksandar Vuçiqi. Donald Tramp, në qeverisjen e mandatit katër vjeçar, ka pësuar fiasko dhe deficit në politikën e jashtme ndërkombëtare, sikur që është dështimi i tij në Korenë e Veriut, me palestinezët, iranianët dhe venezuelasit. Rehabilitimi i politikës së jashtme erdhi sadopak nga fundi, kur përmirësoi imazhin dhe kredibilitetin, duke ngritur marrëdhëniet mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, sikundër edhe me bisedimet në Uashington, që u vulosën me një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo ishte si premisë për marketing për fushatën e zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA, ku do të gjejë përkrahje nga lobi hebre, për kontributin dhe tentimin e shteteve që Jerusalemi të njihet si kryeqytet i Izraelit dhe zhvendosjes së ambasadave nga Tel-Avivi në Jerusalem. Këtë sukses, Trampi e arriti në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Njohja dhe transferimi i ambasadave në Jerusalem ka qenë edhe më parë në plan nga qeveritë e mëparshme, por lidhja dhe miqësia e ngushtë e Trampit me liderët dhe mbretërit e shteteve të Gjirit Persik, arriti të realizohet sipas planit. Sipas një korrespondenti të El Jazaira, në mandatin e dytë, po qe se fiton Trampi, do të vazhdojnë edhe shtetet e tjera arabe ta njohin shtetin çifut, Izraelin, ndërsa një ndër to do të jetë edhe Arabia Saudite.

RREZIKU QË FUNDOSI QEVERINË KURTI

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u kthye me një bagazh të pasur nga Uashingtoni. Vuçiqi, sipas shumë analistëve dhe mediumeve të ndryshme, ka arritur sukses në tri pika: e para, nënshkrimi i projektit të mini-Shengenit, të cilin e kanë parë si një mini-Evropë, ku do ketë një prosperitet për gjithë shtetet anëtare. Por Serbia do të jetë dominuese dhe do ta ketë hegjemoninë në ekonomi dhe tregti. Shtetet e tjera anëtare, siç janë Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova kanë deficit tregtar dhe janë shtete më shumë konsumues e më pak prodhues. Në mini-shengen, Serbia do të ishte me tregun e pasur, si që ishte ish-republika e Sllovenisë në federatën jugosllave. Pika e dytë, sipas drejtoreshës së Qendrës Euroatlantike, Jelena Miliç, kthimi i Serbisë nga SHBA-ja paraqet një epokë të re. Serbia do të përfitojë fonde për investime nga DFC korporatat ndërkombëtare, nga firma të SHBA-së dhe financave amerikane, që do të jetë një perspektivë për të gjitha shtetet e Ballkanit. Pika e tretë, që ishte arritur prapa skene, ishte më e nxehta. Kjo pikë konsistonte me pikën e dhjetë, ku, në marrëveshje figuronte njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, e cila u fashit. Pala kosovare më së shumti ishte e fokusuar në bisedime për njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, por kjo nuk u realizua dhe Vuçiq atë e përfundoi në dobi të tij.

Si protagonist, në ato bisedime në Uashington, ishte diplomati dhe i dërguari special në Ballkan, eksperti dhe njohësi i këtij rajoni, Grenel. Ai e kishte përgatitur skenarin për bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit para zgjedhjeve në Kosovë. Duke parë Albin Kurtin si persona non-grata, Grenel, pas fitores së Kurtit, përgatiti rrëzimin e qeverisë së Kurtit dhe ndihmoi formimin e qeverisë së Avdullah Hotit. Grenel përgatiti bisedimet në Uashington, në ndërkohë presidenti Hashim Thaçi udhëtoi për në Uashington. Prokuroria Speciale shpalli Thaçin si të dyshuar për krime lufte në Kosovë. Sipas analistëve dhe politologëve të Uashingtonit, Donald Tramp e dinte se ish-kryeministri Kurti nuk do të kishte hyrë në bisedime pa prezencën e ndërkombëtarëve evropianë. Në anën tjetër, Albin Kurti e dinte se me ardhjen e demokratëve, politika e jashtme do të ndryshonte ndaj Kosovës, ndërsa serbët ende besojnë se Amerika nuk është si në kohën e Obamës, Bushit dhe Klintonit.

LIRIA E DHURUAR ËSHTË MË E KEQE SË ROBËRIA

Shumë analistë dhe politikanë kanë shtruar pyetjen nëse në ato bisedime në Uashington kishte mundësi që kryeministri Hoti të mos e nënshkruante marrëveshjen dhe të mos pajtohej për disa pika. Sipas tyre, po të ishte edhe Kurti do të nënshkruante në Uashington, sepse kishte të bëjë me lidershipin më të fuqishëm botëror. Trampi do të mund të thoshte se ata e fituan luftën dhe ua kanë dhuruar lirinë. "Liria e dhuruar është më e keqe se robëria", ka thënë një dijetar persian. Kryeministri Hoti nuk mund të anashkalonte marrëveshjen. Po ashtu nga shumë politologë e analistë serbë, bisedimet në prezencë të njeriut më të fortë në botë ishte vështirë të anashkalohen dhe injorohen. Vuçiq mund të dilte pa nënshkruar marrëveshjen, edhe pse Serbia ka fituar më shumë benefite se Kosova, por atëherë do të kishte pasoja të mëdha.

Beogradi dhe Prishtina presin me padurim zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA. Diaspora dhe lobi serb që është më së shumti në Çikago, nga biznesmenë dhe veprimtarë me origjinë serbe janë derdhur fonde për të ndihmuar fushatën që të fitojë Donald Trampi. Vuçiq e di se administrata e Trampit nuk do të heq dorë nga pavarësia e Kosovës, por, megjithatë, e dinë që në bisedimet e ardhshme nuk do të mbeten duarthatë. Po qe se fitojnë demokratët, me presidentin Xhoe Bajden, bisedimet dhe marrëveshja e nënshkruar në Uashington mes Serbisë dhe Kosovës do jetë një letër e djegur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat