“Dhurata e Rankoviqit” e Thaçit rriti skepticizmin e shteteve që njohën Kosovën në kufinjtë ekzistues

Opinione

“Dhurata e Rankoviqit” e Thaçit rriti skepticizmin e shteteve që njohën Kosovën në kufinjtë ekzistues

Agim Vuniqi Nga Agim Vuniqi Më 24 shtator 2020 Në ora: 11:07
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Rasti i fundit në Washington DC, i zotimit të Hotit, i kontestimit të Republikës në dokumentin e nënshkruar, edhepse Kosova njihet si shtet me të gjitha të drejtat nga nikoqiri, SHBA (Kosova është e njohur nga SHBA dhe në Washington DC ka ambasadën ku valon flamuri i Kosovës). Cila pra ishte simbolika e sovranitetit dhe shtetësisë, por edhe e Republikës së Kosovës nëse Kosova nuk u prezentua si shtet, flamurin e të cilit Majlinda Kelmendi e ngriti në Moskë, por të cilit i dhanë krahë edhe artistet e nivelit botërorë Dua Lipa dhe Rita Ora. Rasti i humbur në Shtëpinë e Bardhë është vazhdimësi e koncesioneve të mëhershme të mëdha, të palejueshme, të deklaratave të pamatura dhe të padiskutuara brenda institucioneve legale te sistemit, të atyre akademike dhe univerzitare, por edhe të shoqërisë civile dhe atyre fetare, të personave me ndikim në vend dhe atyre në diasporë si dhe pamundësia e ndryshimeve Kushtetuese bëjnë edhe më të paqartë pazarin për kufijtë e Kosovës, dhe përforcojnë deklaratat e Thaçit për korigjimin e kufijve, tmerrësisht të përqarta. 

Deri sa pjesë të konsiderueshme të territorit të Republikës së Kosovës nga Thaçi konsiderohen dhuratë e kriminelit Rankoviq, domosdo rrisin  skepticizmin e mëdyshjeve te shtetet që kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues, të vendosur me Kushtetutën e Kosovës, sipas Komisionit të Badinterit, marrëveshjes ushtarake të Kumanovës gjatë instalimit të trupave të NATO-s si dhe vendosjen e misionit të OKB-së UNMIK, në bazë të rezolutës 1244. Pastaj në po këto dokumente dhe në kufijt ekzistues të sotëm u shpallë pavarësia e Republikës së Kosovës me pajtimin e administratës republikane të presidentit Bush, u zgjodhë me konkurs ndërkombëtarë himni dhe flamuri, dhe u mbrojtë në GJND në Hag e drejta se shpallja e pavarësisë nuk shkel Ligjin ndërkombëtarë.

 Të tëra këto zhvillime gjatë fazës së shtetndërtimit u përbuzën. Formula Thaçiane e korrigjimit të kufijve lëkundi partnerët e pavarësisë, se Kosova qenka territor i kontestuar, gjë që lëkundi themelet e shtetësisë dhe shtetndërtimit, duke i dhënë alibi kundërshtarëve se janë të arsyeshme hamendjet e tyre dhe se ato qenkan të drejta, meqë një pjesë e territorit të Kosovës paska qenë “dhuratë” e Rankoviqit, e Millosheviqit, e Vuçiqit, edhepse dihet botërisht se Serbia ishte shkaktare e shpërbërjes së Federatës Jugosllave për t’u zgjëruar territorialisht përmes terrorit dhe luftërave gjenocidale.

 Thaçi me komentet e tij të papërgjegjshme dhe destruktive është shquar edhe më heret sikurse me Specialen, së pari votimi pastaj kontestimi, me një qëllim të vetëm për të qenë prezent në faqet e mediave lokale dhe ndërkombëtare, duke faktorizuar veten herë si piroman i shkathtë, herë si zjarrëfikēs i guximshëm.

 Ndërsa sa herë aktualizohej nga mediat dhe shoqëria civile mos realizimi i premtimeve elektorale për krijimin e FAK-ut, liberalizimin e vizave, demarkimin e kufijve me MZ…, ai vazhdimisht lëvizte gurët e kufijve të Kosovës, por asnjëherë nuk kontestoi “Zajednicën” publikisht, ngase ai lejoi negociimin e territorit të brendshëm me Serbinë, e cila nuk pranon sovranitetin e Kosovës, gjë që krijoi nebulozë të panevojshme.

 Partneri i Thaçit Vuçiqi si palë pranon BE-në, tash edhe SHBA, por jo edhe Kosovën, edhe për faktin se Serbia nuk ka firmosur asnjë dokument që nuk i ka  konvenuar, duke përfshirë marrëveshjet në Ramboulliet-Paris dhe Vjenë.

 Skeptikët mund të druhen nga koncerti evro-amerikan, por  kur pame Jo-në shqiptare për asgjësimin e mbetjeve kimike siriane në Shqipëri dhe Jo-në e vendosur greke referendumiane, me të drejtë thuhet se respektohet vetëm vullneti demokratik i lirë i njerëzve të lirë.

 Prandaj kontestimi i marrevëshjeve për korrigjimin e kufijve, para njohjes reciproke, dhe Jo-ja popullore mungon, dhe duhet te vie gjithsesi pas nënshkrimit të peticionit dhe krijimit të Komitetit të Referendumit nga ana e Kuvendit të Kosovës për marrëveshjet me Serbinë, si dhe shpërbërjen e parlamentit dhe qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja të lira. Ky do të ishte kursi i ri i historisë dhe instalimi i Referendumit, kjo e drejtë demokratike e pamohueshme është zgjidhja e vetme për të shpëtuar Kosovën nga kthetrat e hegjemonisë serbe dhe puthadorëve të saj. Nuk është shumë i rëndësishem presioni ndërkombetarë, apo mos pranimi i Referendumit në fillim nga Bashkesia ndërkombetare, sa është i rëndësishëm kontestimi popullor me referendum i marrëveshjeve që konsiderohen të padrejta, si e drejtë ekskluzive dhe demokratike e sovranit-popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat