Llojet kryesore të dhunës mashkullore mbi femrën

Opinione

Llojet kryesore të dhunës mashkullore mbi femrën

Nga: Lekë Imeraj Më: 25 shtator 2020 Në ora: 23:01
Lekë Imeraj

Dhuna fizike, është njëra ndër format më të njohura të dhunës së meshkujve mbi femrën. Ajo shkakton shenja të dukshme të dëmtimeve fizike tek viktima, të cilat shërbejnë si prova dhunimi. Ajo përfshin të gjitha format e një sulmi fizik të një personi mbi tjetrin, sulm i cili shkakton dëmtime, plagosje ose vrasje. Kjo lloj dhune, më së shumti, kryhet brenda mureve dhe nuk bëhet e ditur. Sipas rastit, meshkujt, në sulmin fizik ndaj femrës, përdorin nga format dhe mjetet më të thjeshta deri tek ato më të rëndat. Një shkulje veshi, një goditje në prapanicë, një pickim në vende të padukshme, një tërheqje flokësh dhe të tjera si këto, mendohen forma të lehta të dhunës fizike të cilat meshkujt dhe shumë gra, nuk i mendojnë fare si forma të dhunës fizike. Nëse ato përsëriten sistematikisht, atëherë, të paktën gratë i mendojnë ato dhunë fizike. Sipas psikologes L. Walker, goditja me shpullë apo me grusht në fytyrë apo kokë, por edhe në pjesë të ndryshme të trupit, goditja me shqelm, shtërngimi në fyt, përplasja dhe ngjeshja pas murit, shtyrja në shkallë, thyerja e kockave, djegia me hekur rrobash, cigare apo lëngje të valuara, goditja me sende të forta, plagosjet me armë të ftohta dhe zjarri, mendohen sulme të rrezikshme fizike, për shëndetin dhe jetën e viktimës.

Sipas studiuesve, H. Peters, B. Menzel, M. Redenius, një pjesë e konsiderueshme e grave, ose nuk i marrin seriozisht format e lehta të dhunës që ato përjetojnë nga bashkëshortët dhe partnerët e tyre, ose i minimizojnë ato. Nga gratë e testuara, vetëm 59 % e mendonin shkuljen e veshit si dhunë fizike, 53 % shkundjen fizike dhe 51 % mbërthimin. Burrat, 45 % e mendonin shkuljen e veshit si dhunë fizike, 43 % shkundjen dhe 41 % mbërthimin.

Dhuna psikike (terrori i bardhë) , ndryshe nga ajo fizike, nuk lë gjurmë sipërfaqësore, nuk duket, nuk dëgjohet, nuk preket dhe është e vështirë për t‘u perceptuar. Viktima e përjeton atë si poshtërim dhe goditje shpirtërore. Sipas Heissenberger, dhuna psikike përfshin të gjitha sulmet ndaj botës së ndjenjave, ndjeshmërisë dhe trurit. Sipas B. Schweikert, dhuna psikike kryhet në formën e talljes sistematike të tjetrit, në familje, në fis dhe në publik. Agresori, me anë të dhunës psikike, mundohet ta përçmojë, injorojë, skllavërojë, poshtërojë dhe izolojë viktimën. Mundohet ta kthejë, nga njeri, në një mekanizëm lëvizës, të telekomanduar prej tij. Pra mundohet ta kthejë në hiç.

Dhuna psikike, është arma e preferuar dhe e suksesshme e meshkujve, për të dëmtuar të tjerët përballë vetes, me qëllim të arritjes së statuseve të rinj, familjar, socilal dhe politik. Agresori shpesh kërkon edhe solidaritet nga të tjerët për ta dëmtuar sa më shumë dhe sa më shpejtë viktimën, qoftë ky edhe njeriu i vet. Kjo ndodhë edhe në familje ku etërit i manipulojnë dhe ndërsejnë shpesh femijët, sidomos djemtë kundër nënës.

Dhuna fizike dhe ajo psikike lidhen dhe ndikojnë reciprokisht tek njëra-tjetra. Dhuna fizike shkakton tek viktima çrregullime të rënda psikike, dhe mbi të gjitha dëmton rëndë mekanizmin e ndjenjave. Dhuna psikike bëhet shkak për sëmundje të rënda fizike. Në çdo rast, dhuna psikike mund të eskalojë në dhunë fizike.

Në rastin e dhunës psikike, agresori mendohet si, vrasës me duar të pastra. Kjo për faktin se, dhuna psikike, njihet si njëri ndër shkaqet kryesore të vetëvrasjeve të femrave.

Dhunën psikike gratë e përjetojnë edhe si dhunë të brendamureve në punë. Për shumë pronarë, administratorë apo drejtues të tjerë, gratë nuk janë të mirëseardhura në punë. Kjo për shkak të nënvlerësimit të kreativitetit të tyre si forcë pune, të ndërprerjeve të punës për arsye lindjeje, dhe problemeve të tjera si nënë. Jo të pakta janë rastet kur femrat bëhen objekt sulmi seksual nga shefat e tyre apo meshkuj të tjerë, kolegë pune. Dhe nëse ato nuk i nënshtrohen pasiont seksual të meshkujve, mund të përdhunohen ose të humbin vendin e punës. Nga frika që të mos dëgjohen jashtë mureve, ato shpesh pranojnë nënshtrimin.

Dhuna e seksualizuar, mendohet një ndërthurje midis dhunës fizike dhe psikike. A. Godenzi, me dhunë seksuale mendon injorimin e të drejtës së vetëvendosjes së femrës. Femra është ajo që duhet të pyetet dhe të vetëvendosë në veprimet seksuale.

Schweikert mendon se, dhuna e seksualizuar perfshin praktikat seksuale tek femrat të cilat detyrohen, direkt ose indirekt, të kryejnë seks vaginal, oral, anal, të ushtrojnë prostitucion dhe të krijojnë pornografi.

Sipas Finkelhoer dhe Ylloe, gratë “pajtohen” me dhunën seksuale për katër arsye:

E para, nga ndjenja e detyrimit ndaj burrit. Gruaja e ndien veten të detyruar që t‘ia plotësojë dëshirat burrit.

E dyta, nga frika e braktisjes, nëse nuk ia plotëson dëshirat burrit.

E treta, nga kërcënimi që paralajmëron dhunë.

E katërta, nga dhuna. Burrat ushtrojnë dhunë tek femra për të realizuar dëshirat e tyre seksuale.

Përdhunimet seksuale, në të shumtën e rasteve, kalojnë pa u ndier, për faktin se femrat kanë frikë të denoncojnë kriminelin nga fakti se, sipas kulturës tonë, turpi i mbetet viktimës dhe jo kriminelit.

Dhuna ekonomike, ashtu si edhe dhuna psikike, është zhurmëlehtë dhe e padukshme. Ajo është shoqërisht e pranueshme dhe kufizon autonominë financiare të femrës. Brenda familjes shërben si pushtet i burrit mbi gruan. Burrat mundohen që të bëhen autoriteti ekonomik i padiskutueshëm. Dhe për t‘ia arritur kësaj, mundohen që ta pengojnë gruan sa më shumë që të jetë e mundur në shkollimin, kualifikimin dhe punësimin e saj. Paraja është njëri ndër mjetet më të suksesshëm për skllavërimin e gruas në familje. Në kulturën tonë të sotme, kuleta e burrave është kthyer në mjet joshjeje skllavëruese për femrat. Çfarë mund të bëjë tjetër një grua e varfër veçse ti bindet pushtetit të parasë? Dhe paranë e kanë burrat.

Sipas Walker, burrat përdorin dy mënyra financiare për ta skllavëruar gruan:

E para, dorëzojnë një sasi të caktuar parash në familje, për të cilën janë vet të bindur që në fillim se nuk mjaftojnë për ekonominë shtëpiake dhe, kur i mbarohen gruas, e fajësojnë atë dhe e shfrytëzojnë si sebep dhune ndaj saj.

E dyta, nuk ia tregojnë kurrë kuletën gruas dhe gruaja, për nevojat jetësore të vetat dhe familjes, është e detyruar t‘i lutet vazhdimisht burrit për para. Në këtë mënyrë burrat i skllavërojnë përfundimisht gratë.

Dhuna sociale, ka si qëllim izolimin e gruas nga jeta sociale, kontrollin e kontakteve të saj me cilindo dhe për çdo rast.

Schweikert e shikon dhunën sociale si shkak të specifikave steriotipe të roleve gjinore. Për burrat rezulton dominancë dhe privilegj. I japin vetes të drejtën e vetëvendosjes, i vënë të tjerët në shërbim të tyre, e shfrytëzojnë partneren si mjet seksual ose e terrorizojnë atë me xhelozi të pajustifikuar. Burrat me potencial të lartë dhune, e izolojnë bashkëshorten apo partneren e tyre nga jeta sociale. Ky tip e mban femrën gjithnjë nën kontroll, vet ose nëpërmjet të tjerëve, dhe ia ndalon çdo kontakt me të afërmit dhe cilindo. Kjo çon në vetmimin dhe izolimin e femrës.

Dhuna sociale sistematike, krijon tek femra një program të ri, atë të nevojës së shkëputjes së kontakteve me botën e jashtme dhe të dëshirës për vetizolim. Në mënyrë të heshtur, tek ajo, zhvillohet fenomeni i bretkocës së zier.

Të gjitha format e dhunës mashkullore mbi femrën, formojnë sëbashku makinerinë e dhunës, në ingranazhet e sëcilës thërmohen liritë dhe të drejtat e femrës. Është e vështirë të mendosh për kufij të pastër midis formave të dhunës. Një gjë është e qartë se, të gjitha format e dhunës mashkullore mbi femrën ushtrohen në emër të nderit të burrit dhe tendencës së tij për të qenë sa më i plotpushtetshëm mbi gruan. Burrat nuk pranojnë lehtë që ta ndajnë pushtetin me të tjerët.

Dhuna e brendamureve, mund të jetë edhe vdekjeprurëse për femrat. Edhe nëse shpëton nga vdekja, pasojat fizike janë të pashmangshme dhe tejet të rrezikshme. Ato mund të jenë kryesisht, thyerje kockash, dëmtim i organeve të brendshme të trupit, dëmtim i trurit, shëmtime në fytyrë, thyerje dhëmbësh, dëmtime të shikimit dhe dëgjimit, tromboza, dëmtime të stomakut, sëmundje të zemrës, dhimbje koke të vazhdueshme, dëmtim i sistemit të qarkullimit të gjakut.

Krahas pasojave fizike, si pjesë e pandarë e pasojës së dhunës janë edhe ato psikike. Më tipiket mendohen, krijimi i gjendjes së frikës dhe pasigurisë, pagjumësia, depresioni, ndjenja e fajësisë dhe turpit, ndjenja e përçmimit të vetvetes, ndjenja e dëshpërimit, ndjenja e urrejtjes, dëshira për vdekjen. Të gjitha këto sjellin tek viktima, sëmundje psikosomatike, mungesë oreksi, dhe të vrapuarit drejt alkoolit dhe drogës, deri në kalimin në vartësi të tyre. Pasojat janë të paparashikueshme dhe të pallogaritshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat