Narkoza dehëse Hotit dhe spektakli deri te Nobeli

Opinione

Narkoza dehëse Hotit dhe spektakli deri te Nobeli

Nga: Ramazan Bekteshi, Washington D.C. Më: 26 shtator 2020 Në ora: 02:03
Ramazan Bekteshi

Kryeministri ynë, me fytyre akulli, në dukje si i pafajshëm por thellë në brendësi shpirti i Isës vetë. Frikacak në veprime por me fjalë të mëdha e me premtime plotë. Ai erdhi me servilizëm e komplot në pushtet, me ndihmën e Kryetarit Thaçi, por tani i njëjti ia përgatit rrëzimin e radhës, me gjasë për të tretën herë për t’a poshtëruar LDK-në.

Kryeministri ynë, që shkaktoi skandal në DC me ekipin e çakorduar që s’bëri asgjë tjetër pos që u vonua në Zyrën Ovale për një gjysme ore. Aty, ata për ketë vonesë i përtypën kërcënimet e Grenell-it. Aty, para syve të botës, në prani të presidentit Trump, Skenda si një magjistar i pëshpëriste në vesh Hotit, duke lënë një pamje të shëmtuar e primitive të delegacionit tonë. Pse pëshpëritje në vesh në prani të presidentit kur çdo gjë kishte marr akordimin paraprak.

Kryeministri ynë, në postimin e tij në Facebook thotë:“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump…” Kryeministri ynë, si me narkoze e kënaqësi pranon çdo propozim që vjen nga Grenell, qoftë edhe kur Grenell është nën ndikim të shlivovicës.

Zgjedhjet në Amerike, sherret, dobitë dhe spektakli Trump: Njohja e Kosovës nga Izraeli është meritë presidentit Trump e jo e Natanjahut. Me ketë akt Trump ndihmoi Kosovën me njohjen nga Izraeli, e ndihmoi Izraelin duke ia shtuar edhe një ambasade ne Jerusalem, dhe mori vëmendjen ndërkombëtare si “peace broker”. Prezantimi i Kosovës si një vend mysliman para botës nga Trump ishte një blof kur dihet se vendi ynë është një shtet laik, me shume konfesione, dhe si identitet ka bazën kombëtare e jo fetare.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën Veriore deklaroi se administrata e tij është duke i ndalur “vrasjet në masë” midis Kosovës dhe Serbisë. “Po i ndalim vrasjet masive mes Kosovës dhe Serbisë. Ata janë duke u vrarë mes vete për aq shumë vjet”, deklaroi ai para turmës së mbështetësve të tij. Ky ishte një nonsens që nuk pritej nga një President që vendi i tij e çliroi Kosovën, por ai pa fije turpi e barazoi viktimën me kriminelin. Derisa, në ndërkohë ndodhi edhe paradoksi i radhës, kur presidenti përmendi shqyrtimin e heqjes së vizave për Kosovarët në Uashington (një premtim bosh elektoral), DHS ndaloi vizat 4 vjeçare për studentët kosovarë duke e fut Kosovën në një thes me vendet afrikane.

Megjithatë, pa prezencë të Trump-it, Thaçi ia ndan mirënjohjen “Urdhri i Lirisë” ku thuhet: “...në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës...” fjale qe s’përputhen me realitetin, sepse në 1999-të Trump nuk kishte rol në çlirimin e Kosovës dhe as në lirinë tonë. Ishte ky një mashtrim i radhës i presidentit Thaçi.

Më në fund, ‘pro-amerikaneve’ tanë, miqësinë dhe “show-n” ua vodhi Grenell dhe nga Prishtina e transferoi spektaklin te Vuçiqi në Beograd. Grenell u shkri në anijen restorant, që përkundej lehtë në Danub në kryeqytetin serb, nën dritat e zbehta të qirinjve, të kobasicës dhe shlivovicës me bollëk, dhe nën tingujt e muzikës “country rock” , me këngën “Sweet home Alabama”. Ishte një ekzaltim, ‘magjia Trump’ për Sheshelin dhe shume serb zbarkoi në Danub. Se a do të vazhdoj spektakli përtej 3 nëntorit mbetet të shihet.

Kryeministri ynë i urtë e me narkozë, thotë se u arritë një marrëveshje historike, por ajo nuk ndodh pa ekip e pa përgatitje, me lëshime, pa këshilltar politik dhe këshilltar kulturor të vendit përkatës ku bëhet marrëveshja. Nëse nuk dine le te shohin si funksionojnë vendet tjera.

Zot, ruaji shqiptarët nga segregacioni i llojit të vet shqiptar. Jepu mend politikanëve tanë naiv, sepse nuk ka miqësi të përjetshme, por reciproke e interesash. Diplomacinë e mirëfilltë kombëtare mund t’a udhëheqin vetëm njerëzit e ditshëm, te guximshëm, e legjitim të zgjedhur me votën e lire, kjo sot nuk po ndodh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat