Marrëveshjet kundër-kushtetuese

Opinione

Marrëveshjet kundër-kushtetuese

Nga: Blerim Reka Më: 26 shtator 2020 Në ora: 12:49
Blerim Reka

Në Shqipëri dhe në Kosovë, pati mospërputhje midis shtetarëve, që kishin nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare dhe gjykatave kushtetuese, që i kundërshtonin ato. Duke i shpallur ato kundër-kushtetuese, gjykatat kushtetuese mbrojtën Kushtetutën, tërësinë territoriale dhe sovranitetin unitar shtetëror.

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, shpalli anti-kushtetues “Paktin Detar”me Greqinë të vitit 2009, duke parandaluar humbjen e ujërave territoriale shqiptare. Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i shpalli kundër-kushtetuese, nenet e  “Marrëveshjes së Brukselit”, që i jepnin fuqi ekzekutive Asociacionit të Komunave Serbe.

Qeveria apo Kuvendi edhe mund të mendonin se nuk kishin gabuar me këto traktate ndërkombëtare, por jo edhe Gjykata Kushtetuese, që mbetet gardijan i kushtetutshmërisë kur në Shqipëri, qe rrezikuar territori dhe në Kosovë, karakteri unitar i sovranitetit shtetëror. Një nga konstitucionalistët kryesor, Kelsen, shkruante se “Territori shtetëror është bashkim juridik dhe jo gjeografik. Është hapësira e vlefshmërisë së rendit kushtetues, kurse sovraniteti është brendia e vetë shtetit. Pushteti ndryshon, por jo edhe shteti”.

Mirëpo, këto ditë, qeveria greke, ri-ngriti çështjen e “12 miljeve detare”, mu para marrjes së vendimit të BE-së, për thirrjen e konferencës së parë ndër-qeveritare për fillim të negociatave anëtarësuese. Ndërkaq, qeveria e Serbisë, kushtëzoi vazhdimin e “Dialogut të Brukselit”, me ri-kthimin e pushtetit ekzekutiv të “Zajednicës”. Pra, që Shqipërisë t’i merren ujërat territoriale të pasura me gaz natyror, kurse Kosova të “bosnjëzohej”; që në ujërat e Shqipërisë të vendosej EEZ greke, kurse në Kosovë “shteti në shtet”, ku ”power sharing” do të shndërrohej në ”power blocking”. Fuqinë e këtij bllokimi më së miri e dëshmoi së voni vetoja e Republika Srpska në Presidencën e Bosnje Hercegovinës, kundër njohjes së Republikës së Kosovës.

Në rastin e parë, pra një shtet anëtar i BE-së, po ri-aktualizon çështjen tashmë të mbyllur konstitucionalisht,  kurse në të dytin, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, po ri-hapet ajo që ishte mbyllur nga kushtetuesja. Në të dyja rastet, gjykatat kushtetuese, vetëm mbrojtën kushtetutën, duke respektuar kështu sundimin e ligjit, si krye-kriter për anëtarësim në BE.

Është pak për tu besuar, që qeveria e Shqipërisë apo ajo e Kosovës, mund të marrin guximin për ta  shpërfillur verdiktin e institucionit më të lartë për mbrojten e Kushtetutës. Aq më pak, që BE-ja mund t’u imponojë këtyre dy shteteve aspirante për anëtarësim, që ta shkelin Kushtetutën, e me te edhe vlerën themelore të përbashkët evropiane: shtetin e së drejtës. 

Qeveritë janë kalimtare, por jo edhe shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat