Urat e integrimit dhe kufijtë me tela gjemborë!

Opinione

Urat e integrimit dhe kufijtë me tela gjemborë!

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 27 shtator 2020 Në ora: 12:36
Nexhmedin Saqipi

Në kufirin midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, i cili bie përgjatë tokave shqiptare, kohë më parë, është vendosur një gardh me tela gjemborë, i cili sipas autoriteteve kufitare dhe komunale në Preshevë, është ngritur për të pamundësuar kalimet masive të paligjshme të kufirit, kuptohet në funksion të sigurimit të kufijve jashtë BE-së për refugjatët, të cilët ndoshta pritet të na frekuentojnë në këtë pjesë të "Rrugës Ballkanike"! Nga kjo del se ngritja e gardhit me tela gjemborë është pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Evropian (BE).

Nga ana tjetër një organizatë gjermane me emrin “Help” ka bërë ftesë publike për tenderim rreth ndërtimit të 31 shtëpive në kuadër të projektit "Menaxhimi i Migracionit dhe Mbështetja për Kthimin e Azilkërkuesve (Faza 2)".

Në vend që Bashkimi Evropian të ofroj donacione për sensibilizimin dhe relaksimin e kufijve shtetërorë në mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ajo lejon para syve të saj, të ngris kufij me tela gjemborë, duke pamundësuar qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve.

Ideja e kahmotshme që ky trekëndësh magjik në mes tre shteteve, të kthehet në një zonë të lirë tregtare, duke ngritur ura bashkimi e bashkëpunimi ndërrajonal, Bashkimi Evropian, përkundrazi stimulon ngritjen e kufijve gjemborë, një pengesë kryesore për integrimin e këtyre vendeve, deri dje të përfshira në flakët e luftës.

Izolimi

Ndarja e vendeve mes autostradave sipas standardeve evropiane, të cilat janë ndërtuar nga buxheti i shtetit dhe donacionet ndërkombëtare, e posaçërisht në këtë periudhë pandemie, nuk të çon kund tjetër vetëm në izolim.

Ndarjet me kufij gjemborë e me mure të larta janë simbole të së shkuarës dhe nuk ndikojnë në humbjen e kuptimit klasik që kishin dikur këta kufij e që kanë edhe më shumë ndikim negativ në luftën e përbashkët kundër virusit botëror të njohur si Covidi - 19.

Izolimi qoftë në komunizëm, qoftë edhe në ditët e sotme të demokracisë, nuk i ka sjell të mira popujve dhe shteteve, të shtrënguara të jetojnë njëra pranë tjetrës. Edhe muri kinez edhe ai i Berlinit, kanë mbetur sinonim i ndarjes së turpshme gjatë historisë. Kush përpiqet që këto mure t'i ngris në zemër të Ballkanit e ka gabim dhe pasoja të paparashikueshme.

Asnjë shtet në botë nuk ka pasur përparim duke ngritur mure ndarëse, por duke ngritur ura bashkëpunimi mes tyre. Nuk thuhet kot se ndarjet janë të dëmshme në mur e lëre më në mes vendeve dhe popujve.

Integrimi

Ku ka paqe, ka jetë, shëndet dhe gjallëri, andaj, duhet të bëhemi pjesë e ndërtimit të paqes. Prandaj, proceset integruese evropiane mundet të ecin përpara vetëm me shembjen e mureve ndarëse, duke krijuar ura bashkëpunimi.

Integrimi mund të arrihet me punë dhe angazhime të përbashkëta, duke ngritur vetëdijen e qytetarëve dhe institucioneve, të cilat bashkërisht duhet të punojnë, që të ehqin dorë nga mentalitetet e dikurshme fanatike, në favor të paqes, stabilitetit dhe progresit.

Pas përfundimit të proceseve luftarake në mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, shumë organizata ndërkombëtare, ofronin projekte për krijimin e një klime të butë ndërkufitare, për relaksimin e kufijve shtetëror, për krijimin e një atmosfere të mirë të bashkëqeverisjes multietnike, mediale dhe ndërfqinjësore. Por, mjerisht, këto projekte kapitale, që nga viti 2002, ngelën në mes të rrugës. Nuk mund të ketë paqe të sigurt dhe stabilitet afatgjatë, nëse proceset integruese pengohen dhe bllokohen për interesa politike.

Lugina e Preshevës, më së shumti pëson nga këto dukuri negative, të cilat ajo i ka përjetuar, qoftë gjatë periudhës komuniste, qoftë edhe gjatë konflikteve të armatosura e tani edhe në kohën e pandemisë e cila këtë rajon, që më së shumti ka dhënë për paqe dhe stabilitet, po i heq këto barriera të ndarjes me mure dhe kufi gjemborë.

Ardhmëria

Perspektiva e vendeve rajonale varet nga proceset integruese, të cilat nuk kanë tjetër alternativë. Këto shtete të Ballkanit e posaçërisht Kosova, Serbia dhe Maqedonia, janë kurban të këtyre proceseve integruese, me të cilat duhet të merren seriozisht e t'i lënë anash mentalitete e mbrapshta ballkanike, përçarjet dhe ndarjet me mure të larta e kufij gjemborë.

Nuk ka ardhmëri tjetër, përpos bashkëpunimit të ndërsjellë, mirëkuptimit, tolerancës dhe fqinjësisë së mirë në mes popujve dhe shteteve, të cilat kanë pasur fatin politik dhe historikë, të jetojnë bashkë njëri pranë tjetrit.

Në këtë drejtim shqiptarët dhe serbët janë popujt dhe shtetet, tani për tani, më të fuqishme në Ballkan. Ata duhet t'i kontribuojnë paqes e stabilitetit përmes ngritjes së nivelit të dialogut dhe kompromisit, për të qenë të fortë, të sigurt dhe me dinjitet. Ato do të kenë një ardhmëri të shëndosh dhe me perspektivë, vetëm duke ngritur ura bashkëpunimi dhe jo mure ndarëse e kufij gjemborë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat