Gjykata Speciale është sprovë morale si dhe sfidë demokratike për shtet-ndërtimin e Kosovës...!

Opinione

Gjykata Speciale është sprovë morale si dhe sfidë demokratike për shtet-ndërtimin e Kosovës...!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 29 shtator 2020 Në ora: 16:09
Rexhep Elezaj

Debati, polemikat, grindjet, akuzat, fyerjet dhe sharjet deri në kërcënim fizik, se a është dashur, apo nuk është dashur që të themelohen Dhomat Speciale për Kosovën me qëllim të trajtimit të “krimeve” të supozuara të luftës në Kosovë (1998/99) nga disa ish udhëheqës të UÇK-së, apo siç quhet, “Gjykata speciale për Kosovën”, duke u nisur nga rrethanat të cilat quan në themelimin e saj përmes ligjit të aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2015, etj., mendoj se të gjithë ata që janë kyçur në këtë debat, është dashur të jenë më të kujdesshëm kur flasin dhe paragjykojnë qëllimin e formimit të saj!  

Në Evropë, siç dihet ka shumë rryma dhe ideologji të ndryshme politike, fetare, grupe të majta ekstreme, të djathta radikale, fanatikë fetarë si dhe sekte me orientime raciste, nazi-fashiste, islamofobiste, etj., të cilat asnjëherë nuk pushojnë së vepruari dhe sa herë që iu jepet rasti e shfaqin publikisht mllefin, urrejtjen, hasmërinë si dhe mos durimin ndaj politikave zyrtare të qeverive në shtetet ku jetojnë dhe veprojnë!

Raste të sulmeve, vrasjeve dhe protestave të organizuara nga këto grupe ekstreme kemi mjaft në Evropë, duke filluar nga vendet Skandinave, Anglia, në Franca, Spanja, Gjermania dhe deri në Greqi, por të cilat për fat nuk janë të shpeshta, e që këtu nuk mund të përjashtohet në asnjë mënyrë se elemente dhe ithtarë të këtyre ideologjive ka pasur dhe ka brenda vetë institucioneve shtetërore në vendet evropiane, por edhe brenda organizatave të shumta ndërkombëtare me ndikim në politikë bërjen e jashtme, sidomos tek disa vende!

Ndërsa, kur është fjala për dënimin e krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje (1991-95), nuk mund të thuhet se bartësit kryesorë të atyre krimeve nuk janë dënuar, sepse Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në republikat e ish Jugosllavisë me seli në Hagë, ka funksionuar më shumë se 10 vite dhe e cila i ka dënuar me shumë vite burg pothuajse kriminelët kryesorë të Serbisë të cilët kanë vrarë aq shumë njerëz të pafajshëm, por edhe që kanë bërë gjenocid në Bosnje, siç ishte ai në Srebrenicë, Vukovar, Mostar, etj.

Pra, nuk mund të thuhet se krimet serbe nuk janë gjykuar nga ana e faktorëve ndërkombëtarë, ani pse nuk janë gjykuar dhe dënuar të gjithë kriminelët që kanë bërë krime në Kosovë, ashtu siç do dëshironin familjet e të vrarëve dhe të masakruarve të tyre nga paramilitarët, policët dhe oficerët kriminelë serbë. Ngase, nuk duhet harruar faktin se në Kroaci, Bosnje dhe Serbi pas luftës janë formuar gjykata të brendshme të cilat, në një apo masë tjetër, i kanë dënuar kriminelët nga radhët e veta, madje edhe në Serbi qoftë edhe formalisht, për dallim nga Kosova e cila nuk ia doli që të formojë asnjë gjykatë vendore për zbulimin dhe dënimin e krimeve eventuale, kuptohet jo krimeve të luftës, sepse të tilla në Kosovë nuk ka pasur, por të krimeve që kanë mundur të ndodhin pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë, përfshirë këtu edhe zbulimin e vrasjeve politike dhe dënimin e merituar të kryerësve të tyre. Pra, mos formimi i gjykatave vendore ka qenë gabim i madh i qeveritarëve të Kosovës, edhe pse në Kosovë ka vepruar UNMIK-u, sepse si pasojë e këtij mos veprimi, BE-ja do e dërgoi për herë të parë në historinë e saj një organizatë për drejtësi në Kosovë, pra EULEX-in, i cili siç dihet gjatë mandatit të tij u tregua i paaftë në zbulimin dhe dënimin e “krimeve” eventuale të bëra në Kosovë gjatë dhe pas luftës.

I gjithë ky dështim sipas të gjitha gjasave e ka shtyrë dike në Bruksel që BE-ja ta nxjerr vendimin për formimin e një Gjykate speciale për Kosovën, por për dallim nga gjykata e Hagës për krimet ndaj Serbisë, kjo është formuar me ligje vendore të Kosovës, gjykatë e cila për shumë shkaqe dhe arsye tjera, por kryesisht si rrjedhojë e veprimeve të pamatura të shumë politikanëve dhe ish udhëheqësve të UÇK-së, do merr karakter të një gjykate ndërkombëtare, të cilin në esencë nuk e ka, sepse kjo gjykatë është themeluar me ligj vendor si dhe me miratim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe, këtë dallim krucial mjerisht ende nuk e kanë kuptuar shumë aktorë politik-bërës në Kosovë..!?

Këtu, nuk duhet harruar për asnjë çast faktin shumë të rëndësishëm, se kur bëhet fjalë për sjelljet dhe veprimet e faktorëve politik dhe juridik në Bruksel, si dhe për qëndrimet e tyre të fuqishme “Pro” kësaj gjykate, madje nuk duhet harruar as qëndrimet e miqve tanë amerikan, të cilët në sinkron të plotë me BE-në e kanë përkrahur dhe ndihmuar pa rezervë themelimin dhe financimin e kësaj Gjykate për Kosovën, gjë që paraqet rast unik në botë. Mbase, arsyen e vërtetë të këtij qëndrimi kaq të fuqishëm pro-funksionimit të kësaj gjykate, na kujtohet reagimi shumë i ashpër i vendeve të QUINT-it, kur në dhjetor 2018 u tentua me një shpejtësi si rrufeja anulimi i ligjit me të cilin ishte formuar kjo gjykatë, që jam shumë i sigurt se edhe sot shumëkush nuk e ka të qartë shkakun, se pse u kundërshtua aq fuqishëm nga miqtë tanë perëndimorë zhbërja e kësaj gjykate..!?

Sipas bindjes time të fuqishme, por duke marrë për bazë njohuritë që i kam përvetësuar për më shumë se 25 vite të qëndrimi tim në Gjermani, por edhe nga bisedat dhe përvojat praktike të jetës në një shtet ku ligji është i “shenjtë” dhe mbi çdo individ, pa marrë parasysh pozitën e tij në shoqëri dhe në aparatin e shtetit, ku secili njeri dhe qytetar është përgjegjës para ligjit për sjelljet dhe veprimet e tij personale, ku veprat e mira çmohen maksimalisht, ndërsa krimet dhe veprat e dëmshme gjykohen dhe dënohen rreptë sipas ligjit pa kurrfarë privilegjesh, hatri dhe mëshire, ku morali dhe përgjegjësia e individit janë vlerat kryesore që ruajnë shoqërinë dhe shtetin nga dëmet dhe rreziqet e mundshme, etj., janë bazamenti dhe kodi më i fuqishëm mbi të cilin ndërtohet, funksionon dhe mbrohet jeta e njeriut, si pjesë e pandashme e shoqërisë dhe kolektivit njerëzor ku jeton dhe vepron. Por edhe si faktor fuqiplotë për ruajtjen e ekzistencës së tij paqësore me perspektivë të sigurt për të ardhmen e familjes dhe kombit !

Gjykata speciale për Kosovën, në thelbin e veprimit dhe gjykimit të saj, e ka pa dyshim, ngritjen e vetëdijes tek shqiptarët, se pa spastrim shpirtëror, moral dhe njerëzor një popull dhe një shoqëri nuk mund të ecë asnjë hap përpara, se  në këtë proces shumë të vonuar tek shqiptarët, pa asnjë dyshim, hynë dënimi i krimeve dhe veprave të ndaluara me akte ligjore, qoftë ato civile, qoftë me ligje të luftës, sepse askush në këtë botë nuk ka të drejtë që asnjë individi, apo një njeriu t’ia shuan jetën pa gjyq, dosido jo përmes metodave kriminale, dhunës dhe cenimit të së drejtës të garantuar nga Zoti dhe ligji për jetë të lirë deri në vdekjen natyrore..!?

Gjykata speciale për Kosovën, në asnjë rast nuk mund të jetë në dëm të shqiptarëve dhe Kosovës, përkundrazi, spastrimi dhe ndarja e të mirës nga e keqja, pra dënimi i merituar i bartësve ose urdhërdhënësve të krimeve eventuale, është kusht paraprak dhe i domosdoshëm që shqiptarët si komb dhe si dy shtete sovrane në Ballkan, të bëhen pjesë e familjes së emancipuar dhe demokratike të Evropës, e cila bashkimin e shteteve të saj në një subjekt të përbashkët juridik dhe politik, i quajtur BE, e ka shtruar si qëllim primarë, por dhe si vlerë kulmore për gjithë popujt njësoi të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e saj. Kjo është e vetmja rrugë dhe garancë që siguron jetën me vlerë në një ambient të sigurt fizikisht për njeriun e civilizuar evropian i çfarëdo race, feje dhe gjinie qoftë, pa asnjë dallim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat