BE-ja nuk do të lejojë vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Opinione

BE-ja nuk do të lejojë vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Nga: Merxhan Jakupi Më: 30 shtator 2020 Në ora: 15:26
Merxhan Jakupi

Sipas gazetës serbe "Telegraf", bisedimet në Uashington nuk ishin relevante, ndonëse në to morën pjesë hiper-diplomatët e Shtëpisë së Bardhë. Nga pala serbe nuk merrnin pjesë krerët e shtetit, ekspertët dhe diplomatët. Vuçiq nuk ishte konsultuar me kreun e Parlamentit. Qeveria e Hotit ishte një ekip i dobët, ishte qeveri pakicash dhe nuk kishte kredibilitet dhe përkrahje nga shumica e popullit. Marrëveshja e Uashingtonit kaloi pas bisedimeve monotone, të cilat i kishte përgatitur presidenti amerikan, Donald Trump, në funksion të marketingut para zgjedhjeve të nëntorit. Bisedimet nuk e kishin karakterin bilateral dhe pragmatik. Interesat gjeostrategjike të politikës së jashtme të SHBA-së ishin të përqendruar në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut, Venezuelë, ndërsa në Ballkan ishin në rend dite. Kështu komentonin korrespondentët që raportonin nga Uashingtoni.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas bisedimeve dhe vulosjes së Marrëveshjes në Uashington, vazhdoi edhe më tej të vallëzojë të njëjtën tango, me ritëm të njëjtë. Vuçiq, në takim me ambasadoren kineze, deklaroi se kjo ambasadore e kishte përshëndetur marrëveshjen e arritur në Uashington, ndonëse në pakon e asaj marrëveshjeje ishte edhe ndalesa e G5 dhe Huawei kinez, që konsideroheshin si rrjete ilegale. Në anën tjetër, Pekini zyrtar i kishte cilësuar këto bisedime me skepticizëm, në prag të zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, ku mund të ngadhënjejë demokrati Xhoe Bajden.

Sipas Vuçiqit, Serbia do të vazhdojë të kultivojë marrëdhënie të mira me Rusinë, edhe pas bisedimeve dhe marrëveshjes në Uashington. Presidenti serb, në bisedime me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka thënë se Rusia nuk do të ndryshojë pozicionin dhe do të mbështesë rezolutën 1244, që është një dokument i rëndësishëm bazik për Serbinë. Në anën tjetër, Putin është i vetëdijshëm se SHBA s'ka nënshkruar asgjë në atë marrëveshje, që paraqet vetëm një vullnet i mirë i të dyja palëve Serbi-Kosovë, që mund të pësojë fiasko.

MBËSHTETJA E LOBIT HEBRE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

Njohja e Republikës së Kosovës nga Izraeli është shumë e rëndësishme dhe ka një peshë të madhe diplomatike. Edhe lobi çifut ka përkrahur luftën dhe aspiratat e shqiptarëve për vetëvendosje dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Në periudhën e luftës, pos përkrahjes së ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, mbështetje të fuqishme kishte edhe nga tre personalitete të rëndësishme amerikane me origjinë hebraike, siç ishin Medlin Olbrajt, dora e djathtë e Klintonit, gjenerali Vesli Klark dhe diplomati karizmatik, Holbruk, të cilët bënë të pamundurën që t'i shpëtojnë shqiptarët nga një gjenocid dhe vrasjeve të përgatitura, duke larguar nga Kosova ushtrinë dhe paramilitarët serbë një herë e përgjithmonë.

Njohja e Republikës së Kosovës nga Izraeli shkaktoi një vullkan reagimesh në opinion publik, me më shumë doza paragjykimesh dhe skepticizmi. Në këtë rrafsh s'duhet të politizohet dhe të polarizohet feja përballë strategjive politike dhe interesave shtetërore. Siç dihet, shtetin e Kosovës nuk e kanë përkrahur dhe nuk e kanë njohur pavarësinë e saj shumë shtete arabe dhe myslimane, sikundër edhe Liga Arabe. Ato kanë mbetur edhe më tej aleate të Serbisë, duke trashëguar dhe vazhduar politikën miqësore tradicionale me ish-Jugosllavinë e Titos. Në këtë kontekst, po të ishin shtetet arabe dhe ato myslimane me sistem demokratik, do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, por nuk është populli i tyre fajtor, janë regjimet totalitare dhe despotike që vendosin në emër të tyre.

THAÇI I KA PREMTUAR ERDOGANIT VENDOSJEN E AMBASADËS NË TEL-AVIV

Sipas Marrëveshjes, njohja e Republikës së Kosovës nga Izraeli do të vijë me një kusht, po qe se Kosova vendos ambasadën e saj në Jerusalem, si shtet i tretë që do të hap ambasadën aty, pas SHBA-së dhe Guatemalës. Në muajin korrik të vitit të ardhshëm, Kosova duhet ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem, sikundër që edhe Serbia duhet ta zhvendos ambasadën nga Tel-Avivi në Jerusalem. Siç dihet, vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare. Njohja e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, sipas OKB-së, është shkelje flagrante e Rezolutës 748. Po ashtu, edhe shtetet e BE-së janë kundër vendosjes së ambasadave në Jerusalem. Këtë e dëshmon rasti i Çekisë, e cila tentoi që ta transferojë ambasadën në Jerusalem, por pati kritika të ashpra dhe sanksione nga Brukseli. Mund të pritet që BE-ja ta ndalojë Prishtinën, por edhe Beogradin, që të vendosin ambasada në Jerusalem.

Sipas mediumeve dhe portaleve turke, vizita dhe takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun e tij turk, Taip Erdogan, ka kaluar me përshëndetjen tradicionale islame "Selamun alejkum!". Sipas një autori turk, për ta zbutur zemërimin e presidentit turk Erdogan, Thaçi pas bisedave me homologun e tij, kishin kryer bashkërisht rituale fetare.

Thaçi, i bindur për ndryshimin e administratës së SHBA-së, pas debaklit të pritur të Donald Trumpit në zgjedhjet e 3 nëntorit, i ka premtuar Erdoganit se Kosova do ta vendosë ambasadën në Tel-Aviv. Nga ana e tij, presidenti turk, Erdogan, është kërcënuar se nëse Kosova vendos ambasadën në Jerusalem, Turqia do ta tërheq njohjen e Kosovës nga ana e saj, do t'i tërheq donacionet nga TIKA dhe do t'i ndërpresë investimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat