Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit

Opinione

Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit

Nga: Agim Vuniqi Më: 7 tetor 2020 Në ora: 06:16
Agim Vuniqi

Preokupimet dhe frymëzimet janë të ndryshme dhe të llojllojshme, që nga ironia e injoranca, e deri te mllefi apo brenga për atdheun e shprehur përmes kritikës inventive. Kush e fitoi lirinë në Kosovë, apo ajo erdhi si një dhuratë e paketuar nga ndërkombëtarët, ka mbetur si e papërfunduar. Mëdyshja dhe humbja e vetëbesimit ishte më tepër akzagjeruese dhe pasojë e seleksionimit negativ të kuadrove: duke krijuar gupet oligarkike nëpër parti politike, duke nëpërkëmbur zbatimin e rregullave statutore partiake, por edhe laramaninë profesionale; duke neglizhuar tërësisht përbërjen e popullatës që jeton në vende urbane dhe në atë rurale, gjë që nuk korrespondon aspak me realitetin politik, as atë juridik... E qytetarët shqetësohen me kapadaillëkun, servilitetin dhe maskarallëkun e liderëve të cilët luftuan kundër robërisë e pushtuesve të huaj për të eskaluar në një luftë direkte të pamëshirshme për të krijuar pasuri marramendëse individuale dhe familjare pas luftës.

U harrua qëllimi politik i rindërtimit të shtetit. Ai shpejt u zëvendësua me vizionin e pushtetit politik dhe burimet e përfitimeve. Askush nuk brengoset për interesin e qytetarit. Me përditshmërinë hamletiane, duke humbur sensin e të gjykuarit drejtë, jeton i lirë apo i robëruar.

Kosova e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 u pranua me simpati nga SHBA, 22 shtete evropiane dhe shumë të tjera të ndikuara nga kjo aleancë perëndimore shumë e fuqishme. Qysh në fillim pritej një punë e përbashkët e pozitës dhe opozitës, e shoqërisë civile, e diasporës për të ndihmuar rritjen e numrit të pranimeve të reja dhe për të shembur barrierat që po i vendoste Serbia.

Se pse hovi i gëzimit u zbehë për t'u çakorduar zëri i diplomacisë kosovare, mund të jetë edhe pasojë e alokimit të mjeteve jo të mjaftueshme financiare për këtë destinim; për të angazhuar emra eminent të diplomacisë amerikane; për të ngjeshur agjendën diplomatike me kërkesa të reja pranimi... "Fatkeqësisht", filozofia e fukarallëkut dhe diplomacia janë në kolizion njëra me tjetrën.

Nuk mund të pritet ndonjë influencë e caktuar diplomatike pa kushte. E, ajo ka munguar, së pari nga pamundësia e lëvizjes së lirë të diplomatëve kosovarë. Barrierat me viza ishin pengesë e pakalueshme, pastaj lista e depozituar dhe e përgatitur nga Serbia shtonte angazhimin e saj agresiv për të neutralizuar tërësisht angazhimin diplomatik të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kuptohet që dobësimi i pozitës diplomatike të Kosovës dhe ndërrimi i prioriteteve në politikën e jashtme amerikane, shndërruan Kosovën në konflikt të ngrirë diplomatik, duke rikthyer shumë gjëra mbrapa.

Variacionet politike dhe diplomatike jo të zakonshme i përpiu "status-quoja" e veriut të Kosovës dhe propaganda serbe e ndihmuar nga rusët dhe pesëshi evropian që nuk ka pranuar pavarësinë e Kosovës, duke adresuar projekte të reja të hapjes së bisedimeve dypalëshe, shqiptaro serbe, pa ndonjë sinjal paqeje dhe pajtimi që do të dërgonte Serbia (kërkim faljen dhe pranimin e sovranitetit territorial të Kosovë). Duket se pala serbe ka zgjatur bishtin e kërkesave, duke bërë publike platformën politike për bisedime. Nuk është retorik as përjashtues ky interferim: veçse ka filluar të debatohet në kancelaritë perëndimore përmbajtja. Shumë kohë do t'i duhet palës shqiptare të hedhë poshtë këtë iniciativë. Ajo së paku do të kërkojë kundërpërgjigje adekuate.

Sa do të jetë në nivel të detyrës Qeveria e Kosovës, mbetet të shihet, por ajo qe disa javë po përballet me obstruksione të brendshme, duke filluar nga sharjet si retorikë e pranuar publike, e profilizimit personal dhe familjar me atë shtetëror (pastaj e lojës "koalicion për president", deri te ndërskamcat e reja të çrregullimeve hormonale dhe beteja e hapur mediale multiseksuale).

Për të vepruar njëanshëm duhej ditur edhe konstelacioni i forcave të brendshme. E ai ishte shumë stabil. Edhe ashtu dihej se pavarësia nuk arrihet me shumë alternativa: ose duhej t’u besohej subjekteve që do të qeverisnin me Kosovën në të ardhmen - sipas procedurës zgjedhore, por edhe sistemit zgjedhor, d.m.th. kandidimit, votimit dhe numërimit të votave - ose alternativa tjetër ishte shembja institucionale “domino” e të pakënaqurve (që nuk janë të paktë) dhe prishja e konfiguracionit politik-institucional çfarë është tash.

Një gjë është evidente: faktori ndërkombëtar nuk ka kohë të merret me kaq shumë alternativa. Duhet pra t'i paraprihet proceseve që në nismë, e jo të reagohet me vonesë dhe pastaj të bllokohen nismat e çfarëdo projekti, qoftë edhe ai protokollar (BE-ja nuk do të tërhiqet aq lehtë nga investimet e deritanishme diplomatike).

Patjetër duhet të ketë marrëveshje për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse Qeveria e Kosovës nuk është e vendosur se çfarë kërko, dhe si mendon ta realizojë shtetndërtimin dhe sovranitetin e plotë territorial. Pra, ai që ka marr përgjegjësinë për një akt të tillë madhor duhet ta njohë mirë e mirë konstelacionin e forcave të brendshme, ngase shumë nga ata që kane qenë “te rebeluar” sot janë shumë paqësor, janë “majur” nga të mirat e hyqymetit...

Tashmë janë ndërruar rolet: nuk ka opozitë të sinqertë, siç kishte më herët (PDK deklarohet si opozitë, por luan rolin e PSD-së nga përbërja e kaluar). Këtë e kanë harruar edhe shumë nga ata që vuajtën burgjet më të rënda. Opozita e sotme e vetme është ajo e të rinjve të VV-së që meriton të dëgjohet. Nëse jo tash, do të jetë më vështirë më vonë, ngase pakënaqësia po vjen duke u shtuar, me tendenca të daljes jashtë kontrollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat