Kosova në përballje me armiqtë

Opinione

Kosova në përballje me armiqtë

Nga: Rexhep Torte Më: 18 tetor 2020 Në ora: 08:09
Rexhep Torte

Kosova mund t’i lë me gishtin në gojë të gjithë ata që po ia dëshirojnë të keqen Kosovës, qofshin nga Serbia, SHBA-ja, BE-ja, Putini e Pekini .

Kosova mund të mos e lejojë askënd që ta përdorin mish për top, dhe top për lojëra e interesa politike e gjeostrategjike.

Avdullah Hoti, Qeveria e Kosovës dhe udhëheqësit e sotëm të Kosovës, tani e kanë rastin e duhur dhe të volitshëm për ta nderuar ta veten e tyre dhe Kosovën, duke i thënë stop dialogut Kosovë-Serbi, pas deklaratës së Miroslav Lajçak-ut se ” Kosova na u dashka ta ndryshojë edhe Kushtetutën e saj për ta realizuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, se pa Asociasinonin nuk mund të ketë marrëveshje finale, dhe se pa kompromis nuk paska marrëveshje”.

Këto deklarata skandaloze të Miroslav Lajçak-ut janë vetëm gjepura kërcënuese kundër Kosovës dhe shqiptarëve, që e demaskuan dhe e lakuriquan tërësisht edhe këtë emisar palaço të BE-së.

Avdullah Hoti, Qeveria e Kosovës dhe udhëheqësit sotëm të Kosovës, sidomos dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington në praninë të Donald Trump, tani e kanë rastin e duhur dhe të volitshëm, që ti thonë stop dialogut Kosovë-Serbi.

Që ti thonë stop dialogut Kosovë-Serbi, tani edhe pas kërcënimeve të njëpasnjëshme të Serbisë nëpërmjet Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit dhe Aleksandër Vulinit, se “ Serbia do ti gllabërojë Kosovën dhe Shqipërinë”, se “ Serbia po armatoset me armë më moderne”,se “ Me këto armë Serbia do ta rikthejë Kosovën”, se “ Serbët nuk duhet ta tregojnë vendndodhjen e varrezave masive në Serbi ku janë varrosur mijëra shqiptarë të vrarë e të masakruar nga ushtarët, paramilitarët dhe policët e Serbisë në agresionin gjenocidal që e kreu Serbia në Kosovë”.

Tani është momenti i duhur dhe i volitshëm që Qeveria e Kosovës dhe udhëheqësit e sotëm të Kosovës, të tregojnë guxim, ndershmëri dhe mençuri, duke e hapur rrugën për zgjedhje të reja parlamentare.

Kjo do të ishte mënyra më e qëlluar dhe më efektive për ta ndërprerë dialogun me Serbinë, këtë dialog të komprometuar dhe me kompromis që Kosovën e çon në ambis.

Kjo do të krijonte mundësinë që armiqve të Kosovës tu ndalet turri me të cilin padrejtësisht i janë vërsulur Kosovës , që për interesa të tyre ta dobësojnë, ta dëmtojnë ose edhe ta copëtojnë Kosovën .

Zgjedhjet e reja parlamentare do ta kthjellonin qiellin e Kosovës nga mjegullat e rrezikshëm, duke ia krijuar mundësinë popullit që t’i votojë kandidatët më meritorë, më të ndershëm e më dinjitozë që do të dinë ti dalin zot Kosovës në të gjitha sfidat që e presin.

Kjo do ta rehatonte popullin e shumëvuajtur të Kosovës.

Kjo do ti rehatonte shpirtrat e tërë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Kjo do tua ëmbëlsonte dhembjen tërë shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë Kosovës që qenë viktimë e dhunës monstruoze serbe.

Kjo do të krijonte gjemba shpues që nuk do të lejonin askënd të shkelën mbi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, gjemba që nuk do të lejonin askënd të shkelën mbi ardhmërinë dhe lumturinë e Kosovës.

Kjo do t’ua shuante ëndrrat dashakeqe tërë armiqve të brendshëm apo të jashtëm të Kosovës.

E vërteta dhe drejta janë në anën e Kosovës, ndaj Kosova duhet sot ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Kjo do të krijonte rrethana të reja dhe të sinqerta edhe për vazhdimin eventual të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo do të krijonte mundësinë që Kosova me të drejtën dhe të vërtetën e saj të pozicionohej denjësisht në dialogun Kosovë-Serbi, duke mos i lejuar asnjë mundësi Serbisë që të manovrojë me gënjeshtra e kushtëzime të padrejta dhe të dëmshme për Kosovën.

Kjo do të krijonte mundësinë që dialogu Kosovë-Serbi, të fillojë vetën pasi Serbia ta zbardhën fatin e 1650 shqiptarëve të të gjitha moshave e gjinive, të cilët Serbia i rrëmbeu në Kosovë gjatë agresionit gjenocidal në vitet 1998/99.

Kjo do të krijonte mundësinë që dialogu Kosovë-Serbi, të fillojë vetëm pasi Serbia t’i nxjerr para drejtësisë kriminelët e Serbisë që i kryen tërë ato krime dhe dhunime shtazarake në Kosovë.

Kjo do të krijonte mundësinë që dialogu Kosovë-Serbi, të fillojë vetëm pasi Serbia ta tregojë vendndodhjen e varrezave masive në Serbi, dhe pasi Serbia t’i tregojë hekuranat në furrat e të cilave janë djegur mizorisht kufomat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga Serbia.

Kjo do të krijonte mundësinë që dialogu Kosovë-Serbi, të fillojë vetëm pasi që Serbia ta pranojë reparacionin dëmeve që Serbia ia shkaktoi Kosovës gjatë agresionit gjenocidal kur e bëri shkrumb e hi Kosovën.

Këto veprime të Kosovës nuk do tu krijonin hapësirë aventurierëve proserbë si Palmer, Grenell, Lajçak dhe Borell, kundër Kosovës dhe shqiptarëve, të cilët po përpiqen t’i dëmtojnë Kosovën dhe shqiptarët, në favor të serbëve agresorë, gjenocidalë e vrasës.

Këto veprime të Kosovës do të krijonin kohë he hapësirë që këto emisarë proserbë në dialogun Kosovë-Serbi të zëvendësohen me emisarë të sinqertë, që dialogun Kosovë-Serbi ta ndërmjetësojnë në mënyrë të drejtë, dhe jo në dëm të Kosovës e të shqiptarëve.

Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti qoftë me Kosovën, Zoti e mbrojt Kosovën, Zoti e sjelltë në rrugë të mbarë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat