Njëanshmëria e emisarit të BE, Lajçak

Opinione

Njëanshmëria e emisarit të BE, Lajçak

Xhavit Çitaku Nga Xhavit Çitaku Më 18 tetor 2020 Në ora: 17:36
Miroslav Lajçak

Pak ditë para se të vizitonte Kosovën Lajçak, emisar i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, kishte deklaruar se nuk është në kompetencën e tij për të propozuar tema e aq më pak për të imponuar formën se si do të merren vesh këto dy vende në drejtim të vënies në binar të shëndosh të marrëdhënieve të ndërsjella. Ndërkaq, në përfundim të vizitës në Beograd ai e thotë të kundërtën, e demanton vetveten, përkatësisht ai e bënë një skandal të paparë diplomatik, duke ia mbajtur anën vetëm njerës palë, në këtë rast Serbisë, se kërkesa e saj për asosacionin medoemos duhet të realizohet, bile edhe me ndryshimin e Kushtetutën. Që absurdi të jetë edhe më i madh kjo deklaratë skandaloze, siç dukët, as që la farë përshtypjesh në kancelarit e BE-së dhe shpreh bindjen time se kjo sjellje e këtij diplomati po kalon sikur të mos kishte ndodhur asgjë.. Në të vërtetë, tashmë po bëhet e qartë se çdo kërkesë e Serbisë karshi Kosovës po gjenë përkrahje dhe në mënyrë të sinkronizuar po i bëhet presion vetëm qeverisë së Kosovës për t’u dakorduar me synimet e Serbisë për ta bosnizuar edhe këtë pjesë të Ballkanit.

E mësuar me truke e gënjeshtra nga më të ndryshmet, por edhe me përkrahje nga grupe e individ me ndikim në arenën ndërkombëtare, Serbia arriti që ta heq edhe taksën qind për qind që ia kishte imponuar qeveria e Ramush Haradinajt, ndërkaq tash filloi politikën e saj subversive për formimin e asosacionit me kompetenca, që do të thotë faktikisht ndarje e pjesës së veriut nga Kosova. Dhe çuditërisht këtë synim po e përkrah edhe ai që në të vërtetë nuk do të duhet ta bënte emisari Lajçak, duke e zhvlerësuar Kushtetutën tonë sikur ajo të ishte letër e thjesht dhe se kush të dojë mund edhe ta hedh në “ bërllok”. Është një absurd i llojit të vetë se gjithnjë qeveri të shteteve të ndryshme evropiane dërgojnë mesazhe nga më të ndryshmet për të çuar përpara demokracinë dhe për të respektuar, sidomos, ligjin dhe Kushtetutën e vendit tonë. Për të realizuar këto parime bazë të një shteti, është Gjykata Kushtetuese ajo që nuk lejon as individë, as grupe, por edhe as organe e institucione që të shkelin ligjin dhe aktin më të lartë Kushtetutën. Shi për këtë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës u deklarua edhe për asosacionin ku kishte vërejtur shkelje serioze në disa pika që ishin pjesë përbërëse e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kësisoj qeveria domosdoshmërish duhet ta respektoj. Zaten, edhe në Marrëveshje parashihet që mendimin e fundit për këtë organizim politik që po e kërkojnë serbët e Kosovës duhet ta jap Gjykata Kushtetuese. Ky vlerësim dhe vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk po i pëlqen Lajçak-ut dhe tash për hir të tij dhe kërkesës së kryetarit serb duhet ndryshuar edhe Kushtetutën.

Lë ta dijë edhe Lajçak, sepse këtë e di mirë Vuçiq, se nuk do ta gjenë edhe një deputet të vetëm shqiptar dhe të minoriteteve tjera, pos atyre serb, që do të votoj për dëshirën e madhe të tij për ta ndryshuar këtë akt sublim, sepse ajo është mbrojtësja më e sigurt e integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Lajçak në të njëjtat “valë” me Vuqiçin

Se Lajçak është i njëanshëm në këtë dialog që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tregon qartë edhe deklarata tjetër e thënë në konferencën me gazetarë në Beograd kur thotë se për të fituar diçka duhet dhënë diçka tjetër. Të njëjtat fjalë tash e sa vjet i ka thënë e po i thotë në vazhdimësi edhe kryetari serb Vuçiq. Mirëpo, se paku deri me tash, ende nuk kemi arritur të kuptojmë se çfarë do të fitoj Kosova sidomos nëse një grusht serbësh fitojnë asosacionin me kompetenca ekzekutive, që do të thotë faktikisht ndryshim i kufijve në dëm të vendit tonë. Me një fjalë, Kosova do të humbiste shumë nëse rastësisht do të pranonte këtë lojë të rrezikshme që p luhet rreth asosacionit që fatkeqësisht po e përkrah publikisht edhe ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Lajçak.

Është momenti i duhur që Lajçak t’i kthehet realitetit dhe ta kuptoj se Kosova është shtet sovran i pranuar nga 114 shtete të botës dhe se asnjë politikan qoftë ai Kryeminister apo Kryetar nuk do të mund t’ua imponoj deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të bërë ndryshime në dëm të interesave të shtetit, pavarësia e të cilit u fitua me gjak, me mijëra viktima, me mijëra dhunime, me dëme të mëdha materiale, ekonomike. Megjithatë, është e ditur se ai që ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, siç ishte Lajçak, nuk mund të pritet se ai do të jetë i paanshëm, se do të këtë qëndrim të drejt. E mira e së mirës do të ishte që ai të tërhiqet nga kjo detyrë që i është ngarkuar, sepse ai tashmë e ka humbur besimin e kosovarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat