Shqiptarët kanë nevojë për pajtim kombëtar!

Opinione

Shqiptarët kanë nevojë për pajtim kombëtar!

Nga: Frank Shkreli Më: 18 tetor 2020 Në ora: 20:32
Frank Shkreli

“Sa për komunizmin, ballist, unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me të, im atë po, ka qenë komunist si shumë të tjerë, dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë...”. Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama në parlament, 30 korrik, 2020.

“Jemi ndarë komunistë e ballistë, që në vitin 1944...” dhe shton, “Është shekulli i mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë...”, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, 24 Shtator, 2020.

Nga ana e tij, deputeti i Ballit Z. Adriatik Alimadhi bllokon foltoren e Kuvendit dhe shanë, Z. Gramoz Ruçin, “komunist i ndyrë”, 24 Shtator, 2020.

Kur njeriu dëgjon deklarata të tilla nga udhëheqsit më të lartë të Republikës së Shqipërisë – Kryeministrit të vendit, Kryetarit të Parlamentit dhe një interlokutori të ashtuquajturës opozitë – të një Shqipërie 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, vend anëtar i NATO-s, aleancë ushtarake që për një gjysëm shekulli mbrojti lirinë dhe demokracinë perëndimore nga hordhitë komuniste sllavo-aziatike dhe të një Shqipërie të shekullit XXI, që të pakën me fjalë aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian – lind pyetja: quo vadis Shqipëri? Kush janë këta njerëz dhe në cilin vend tjetër evropian do të toleroheshin deklarata të tilla në mbështetje të një ideologjie sllavo-aziatike – jo nga ndonjë pseudo-historian nostlagjik i komunizmit – por nga foltorja e parlamentit të një vendi anëtar i NATO-s?

Këto deklarata janë provokime të rënda ndaj një përqindjeje të madhe të shqiptarëve dhe familjeve të tyre, që për pothuaj 50-vjet kanë vuajtur dhe vuajnë gjithnjë pasojat e tmershme të komunizmit.  Me të thënë të drejtën nuk kisha në plan ta prekja prap këtë subjekt, pasi jam lodhur me nostalgjikët e komunizmit në nivelet më të larta politike të Tiranës, si dhe në radhët e akademikëve, gazetarëve, opinionistëve dhe publicistëve shqiptarë, të të gjitha ngjyrave, të cilët po helmojnë brezin e ri të shqiptarëve.  Por gjithnjë nuk mund të heshtë dhe detyrohem të pyes veten, në cilin vend tjetër ish-komunist të Evropës së NATO-s dhe të Bashkimit Evropian do të toleroheshin deklarata të tilla nga zyrtarët më të lartë të qeverisë e të shtetit nga tempulli i gjoja “demokracisë” shqiptare?

Kam në dorë një libër të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e Bashkuara, titulluar, “Shame Among the Shameless”, ose (“Turpi në Radhët e të Paturpshëmve”, nga autorja e re shqiptaro-amerikane, Monika Koleci.  Në këtë libër, ajo përshkruan historinë tronditëse të zemrës së një familje me nëntë anëtarë nga fshati Fishtë në rrethin e Lezhës në Shqipëri-- të familjes së saj të gjerë pra -- të cilët u persekutuan ashpër pasi i rezistuan regjimit komunist në fillimet e tij.  Protagonisti kryesor, Vasa, djali i madh i çiftit Toma dhe Lina, pasi mori vesh se regjimi komunist i kishte burgosur prindërit e tij, ai la ushtrinë dhe u bashkua me çetat antikomuniste që vepronin brenda vendit për të rrëxuar regjimin komunist.  Veprimet e tij përshkruhen si heroike, por tepër të dëmshme për familjen e tij, veçanërisht për vëllain e tij Lukën, i cili është torturuar për disa muaj nga regjimi komunist dhe më pas kaloi disa vite në një kamp përqendrimi. Pjesa tjetër e vëllezërve dhe motrave të tij, sipas librit, u dërguan në një kamp internimi.  Gjatë gjithë kësaj kohe, motra e madhe, Çilja, bëri të pamundurën për të mbajtur familjen Koleci, së bashku.  Askush në familje nuk është kursyer nga vuajtjet, sipas tregimit në librin në fjalë.  Etja e antarëve të kësaj familjeje për liri u ndesh me shtypje, tortura, madje edhe vdekje. Vuajtja dhe turpërimi i pamerituar me të cilin janë përballur anëtarët e familjes Koleci, pasqyrojnë vështirësitë e të gjithë shqiptarëve që në atë kohë nuk u pajtuan me atë regjim due të cilët guxuan të ndërmerrnin veprime kundër regjimit komunist shqiptar, në emër të lirisë, demokracisë dhe në mbrojtje të vlerave perëndimore.

Një prej këtyre shqiptarëve që e ka pësuar rendë mos pajtimin e tij me regjimin komunist të Enver Hoxhës është edhe miku dhe kolegu im i dashur Profesor Sami Repishti – njëri prej figurave më të njohura të botës shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve tona si dhe në diasporën e pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot – i cili gjithnjë me shkrimet e tija ende nuk pushon të dëshmojë ferrin e komunizmit shqiptar, bazuar në përvojën dhe vuajtjet e tija personale në burgjet e Enver Hoxhës.

Në një shkrim të ditëve të fundit, duke reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Rama në parlament, se “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e e duhur të historisë”,  Profesor Repishti, në analizën e tij me titull: “Ju lutemi, mos lëndoni plagët tona të hapuna!”, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan rrjeshton disa fakte se pse komunistët dhe komunizmi, në të vërtetë, nuk kanë qenë kurrë në anën e duhur të historisë, siç pretendon Kryeministri Rama.

Në analizën e botuar në potalin e gazetës Dielli të Vatrës në Nju Jork, https://gazetadielli.com/sami-repishti-ju-lutemi-mos-lendoni-plaget-tona-te-hapuna/, Profesor Repishti shkruan se e kundërta është e vërtetë.  Si viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës, Profesor Repishti shkruan se komunistët shqiptarë kanë qenë pjesa më fatkeqe e vendit, trashëgimtarë të krimeve dhe dhunës së pashoqe në Shqipëri.  Prof. Repishti përmend me data disa prej ngjarjeve dhe veprimet fatzeza të udhëhequra nga komunistët gjatë dekadave ndaj kundërshtarëve të tyre, e që sipas tij, kanë sjellë tragjedinë shoqërore dhe izolimin e Shqipërisë, pasojat e të cilës ndihen edhe sot.  Dhe me të drejtë, Profesori ynë i nderuar, i kujton Kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai, ndryshimin thelbësor midis komunistëve që morën pushtetin me dhunë në vitin 1944 dhe ngjarjeve të vitit 1990 që sollën rrëximin e sistemit zyrtar komunist në Shqipëri:  “Për fatin e madh të popullit tonë, (me 1990) rrugët e sheshet e Shqipërisë nuk u mbuluen me gjak, ashtu siç ngjau me 28 nandor 1944…Na nuk kërkuem varjen në litar të Byrosë Politike”, shkruan Profesor Sami Repishti.

Ky pra është ndryshimi midis komunizmit dhe komunistëve në Shqipëri dhe brezit të shqiptarëve, kundërshtarë të komunizmit, denjësisht të përfaqësuar sot nga Profesor Sami Repishti.  Megjithë vuajtjet e tyre dhe krimet ndaj familjeve të pafajshme shqiptare, siç ishte edhe familja Koleci, vuajtjet dhe mundimet e të cilës pasqyrohen në librin e lartë përmendur, “Turpi në Radhët e të Paturpshëmve”, (Shame Among the Shameless”, të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e Bashkuara – ish-të-përndjekurit e regjimit enverist – megjithë humbjet e tyre të mëdha --  kurrë nuk kanë kërkuar as nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm pajtim kanë kërkuar dhe kërkojnë për shoqërinë shqiptare, sidomos, nga udhëheqsit më të lartë të vendit. Ata presin pajtim kombëtar midis brezave të shqiptarëve --pa dallim ideologjie, feje a krahine -- në radhë të parë nga përfaqsuesit e tyre politikë, pasi ata janë përgjegjës për të siguruar unitetin e popullit dhe të kombit, pa dallime.    

Në shkrimin e tij, Profesor Repishti i lutet Kryeministrit Rama, por edhe të tjerëve, në  emër të viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme, “të mos lëndohen plagët tona të hapuna” dhe u kërkon atyre që “Mos harroni se nji kalvar i vërtetë 45-vjeçar ashtë përjetue nga nji popullsi disamilionëshe nën tiraninë e murtajës komuniste.  Mijëra të pushkatuem pa faj, të arrestuem, të torturuem, të gjykuem e të burgosun pa faj, të shpronësuem pa të drejtë, me plotësue dëshirat satanike të udhëheqësve injorantë e maniakë komunistë, ose me plotësue forcën punëtore të nevojitun për projektet e çmenduna”, i kujton ai Kryeministrit.

 

Më në fund, Profesor Repishti u kujton autoriteteve “ma të nalta që qeverisin vendin tonë”, se në vend të justifikimeve the lavdërimeve të komunizmit -- e si përfundim edhe të krimeve të atij sistemi gjakatar -- të pakën të ofrojnë “nji fjalë ngushëllimi, nji përkëdhelje për fëmijët pa prindë, për të vejat pa burrë, për prindët pa djalin e pa vajzën, të zhdukun në qelitë e errëta mesjetare të Sigurimit kriminel… e kampe përqendrimi”, shkruan Prof. Repishti dhe përfundon duke kujtuar kalvarin e familjes sës vet:  “Mijëra të tjerë si unë kemi zemrën e thyeme pa shërim! Babai, viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë, viktimë e terrorit nazist; nana, motra e vëllau minorenë, víktima të regjimit komunist të internuem në Berat e Tepelenë…aty ku motra ime 14-vjeçare u detyrue me tërheqë karrocën e bukës për policët në tatëpjetat e rrugës…në vend të kalit.  Unë i arrestuem, i torturuem e i burgosun për dhjetë vjet të gjata sepse deklarova besnikërinë time për demokracinë liberale perëndimore; shtëpinë e zanun nga të huejt … e të tjera! Dëshiroj të veçoj nji rast: ditën e “lirimit” nga burgu, në mbramje, nana plakë, e shqetësueme, më tha: Nuk kemi të holla me ble bukën! Ishte dita e ime e parë në “liri”, përfundon shkrimin e tij Profesor Sami Repishti, në përgjigje të deklaratës së kohëve të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama se, “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e duhur të historisë.”

Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë.  Dëgjoni të urtin Profesor Sami Repishtin i cili ka kaluar 10-vjetë në qelitë e errëta të torturës së regjimit komunist në Shqipëri due gjamën e mijëra viktimave të komunizmit në Shqipëri, para se të bëni deklarata të tilla të papërgjegjëshme dhe të pahijshme për autoritetet e një vendi anëtar të Aleancës së NATO-s. Shprehje të tilla nuk u nderojnë ju para popullit tuaj  dhe Shqipërinë e shekullit XXI, jo se jo, para botës! Tri dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, Më në fund, Kombi shqiptar ka nevojë për një ballafaqim të sinqert me të kaluarën komuniste, ka nevojë për të vërtetën historike dhe, përfundimisht, vendit i nevojitet pajtimi kombëtar midis shqiptarëve. Mjaft me deklarata që nxisin urrejtje midis shqiptarëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat