As dhunë verbale dhe as dhunë fizike

Opinione

As dhunë verbale dhe as dhunë fizike

Nga: Fahri Dahri Më: 22 tetor 2020 Në ora: 12:01
Fahri Dahri

Aktualisht jemi ngritur një shkallë më lart në mundësinë e komunikimit mes familjarëve, farefisnisë, miqve, shokëve, pa anashkaluar edhe komunikimet mes nesh dhe institucioneve shtetërore, apo institucionet ndërshtetërore mes tyre. Komunikimi është siguruar falë zhvillimit të teknologjisë përkatëse.

Arsyeja kështu e fillimit të këtij shkrimi është biseda virtuale (skyp) e zhvilluar para dy ditësh me mikun tim verior, në kohën kur para MEPJ dhe në vazhdim para Kryeministrisë po "rrëmujosnin" një grup njerëzish, të cilët po përplaseshin me policinë.

Demokracia krahas të tjerash, jep mundësi për të shprehur, kërkuar dhe deklaruar që të vihen në vend të drejtat duke u dënuar padrejtësitë si për individin, grup-njerëzit, komunitetet apo dhe ato ndaj një populli nga "vetvetja", shteti përkatës apo nga shtetet e tjerë.

Për të mos u zgjatur, miku im Z. Reshat, i cili banon në një shtet tjetër, ishte duke ndjekur televizionin dhe në momentin kur turma dhe policia po ruanin "gardhin" imagjinar,  më mori në SKYP.

Filluam të bisedonim për protestën e PDIU-së; flitej se ishte dhe SHPAÇ, por për aq sa e ndoqëm unë dhe Reshati, nuk pamë dhe as dëgjuam ndonjë të "folur" nga përfaqësuesit e saj.

Në fund miku im më pyeti se ç'farë mendimi kisha për protestën dhe veprimin e drejtuesit të PDIU-së, i cili hodhi një shishe me ujë drejt fugonit të policisë.

Me shumë sinqeritet i u përgjigja: 

Protestat për të kërkuar të drejtat janë mjet i pazëvendësueshëm në demokraci, një arritje me vlera të mëdha për shoqërinë njerëzore. Ato, për këto vlera, detyrimisht duhet të jenë paqësore, bile në këndvështrimin tim, turmat e njerëzve që kërkojnë të drejtat e tyre, në këtë rast kërkohen të drejtat e komunitetit çam të dëbuar dhunshëm nga vendlindja autoktone e të parëve të tyre, me masakra tejet çnjerëzore, duhet të mirëorganizohen, të pajisen vetëm me pankarta apo parulla ku të deklarohen shkeljet e të drejtave dhe kërkesat për zgjidhje. Mendoj që çdo protestë të evitojë "përplasjet" me ruajtësit e rendit dhe akoma më shumë dëmtimet, shkatërrimet e pronave, të objekteve qofshin shtetërore, apo jo shtetërore.

Së fundi ardhja e një personaliteti të një shteti tjetër, në rastin konkret nga shteti Grek, ku agjenda e bisedimeve ishte bërë e ditur, nuk justifikon qëllimin e protestës.

Problemi i shqiptarëve me prejardhje nga Çamëria, nuk është problem ordiner që sa herë kryhen vajtje-ardhje personalitetesh të të dy vendeve, të kujtohemi dhe "o burra" të dalim shesheve.

"Çështja Çame" dhe gjenocidi Grek i ushtruar ndaj tyre, është çështje tepër madhore, e rëndësishme, serioze në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Së pari është çështje kombëtare, është pjesë e trashëgimisë etnike, e cila detyron BE-në dhe SHBA-në të rishikojnë çmendurinë që shkaktoi copëtimin e Shqipërisë dhe ta korrigjojnë atë. Pa u ndarë, veçuar nga "së pari", po BE-ja dhe SHBA-ja në emër të parimeve të demokracisë, në zbatim "të të Drejtave Universale të Njeriut", të vendosin zgjidhjen humane të komunitetit çam. Të detyrohet shteti Grek të njohë të drejtat tërësore të tyre, të distancohet nga veprimet çnjerëzore të kryera nga qeveria e asaj kohe, ta dënojë me ndërgjegje gjenocidin, të kërkojë falje në emër të humanizmit dhe parimeve demokratike.

I nderuar miku im Reshat, e ndjej detyrim etnik, etik dhe moral që të shpreh qëndrimin ndaj veprimit të kryetarit të PDIU-së.

Gjithmonë flas në këndvështrimin tim,                                                                       

nëse do të isha pjesëmarrës në atë protestë, të jeni të sigurt që nuk do bëja rrëmujë, nuk do të çirresha as me fyerje as me sharje, pra nuk do bëja as zhurmën më të vogël. Do shkoja atje, do mbaja një pankartë apo një parullë ku të shkruhej qëllimi i protestës, këto do ishin "shishet" e ujit apo përplasjet me policinë; ndërsa në parullë do të lexohej:

"Z. Rama dhe Z. Dendas, ashtu siç ratë dakord që çështja e DETIT, do të shkojë për zgjidhje në Gjykatat ndërkombëtare, kërkojmë që të bini dakord që edhe "Çështja Çame" të shkojë për zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës".

Ky ishte bashkëbisedimi me mikun tim, por sot e pashë të arsyeshme që sa më sipër të njihen edhe lexuesit e disa mediave, duke shpresuar se do ta publikojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat