Rebelë a çlirimtarë?

Opinione

Rebelë a çlirimtarë?

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 24 tetor 2020 Në ora: 16:57
Foto nga Kuvendi i Kosovës

1.

"E trishtueshme". Ky nuk është një mbiemër i rëndomtë për të përshkruar një veprim të një qeverie, më i përshtatshëm duket për të shprehur emocionet pas një fatkeqësie të rëndë elementare. Por, pikërisht me këtë fjalë (apo si mund të përkthehet sadly, sadness) ambasadori gjerman e filloi reagimin e tij ndaj vendimit të qeverisë për të shpërbërë Task Forcën kundër korrupsionit. Reagimi, po ashtu, më shumë se tërheqje vërejtjeje ngjan me shprehjen e rezignatës së thellë, me një ofshamë në një situatë të parrugëdalje.

Dhe, situata në Kosovë vërtet duket e parrugëdalje. Edhe pa shpërthyer afera e mirënjohur si "Pronto", dihet mire se konkurset në këtë vend jo vetëm për pozita drejtuese në institucione shtetërore, por gati se edhe për çdo lloj pune tjetër janë formale, sepse përzgjedhja bëhet në bazë të përkatësisë partiake, apo në baza nepotiste e klienteliste. Dhe, kjo tashmë është e ditur, pozitat drejtuese haptas synohen për të përfituar nga privilegjet, nga nepotizmi, nga tenderët dhe nga hajnia e hapur. Prandaj, çdo arrestim dhe gjykim i drejtë mund të nxjerrë fijen dhe lëmshi rrezikon të shprishet deri në fund. Nuk po e arsyetoj askë, nuk po them se mu kjo është edhe duke ndodhur tash, por ironikisht, edhe dikush krejtësisht qëllimmirë, mund të ketë frikë nga rrëzimi i vrullshëm i kësaj ngrehine.

Humbjet materiale që ka pësuar vendi nga ky sistem janë të mëdha, por pasojat shoqërore janë kolosale, për to duhet kohe e gjatë për t'u shëruar. Meqë më e rëndësishme është të jesh lojal ndaj shefit se sa ndaj ligjit, më mirë i dëgjueshëm se parimor e me integritet, atëherë në këtë vend askush s'ka motiv të mësojë, së paku jo aq sa të arrijë një gjerësi humaniste, apo të jetë kreativ në punë dhe të ketë ambicie për të arritura në lëmenj të ndryshëm të krijimtarisë. Prandaj ky popull po budallepset gjithnjë e më shumë dhe po e përjeton ndoshta rënien morale më të thellë që e ka përjetuar ndonjëherë.

2.

Sigurisht, shumëkush në këtë vend pyetet se si arritëm në këtë deregje. Si është e mundur që nga gjithë ajo etje që kishte ky popull për liri, në vend të entuziazmit për punë e për të arritura, të mbretërojë zhgënjimi e depresioni? Si është e mundur, derisa jetën politike e kanë dominuar dhe atmosferën shoqërore e kanë krijuar mu ata të cilët thonë edhe se na e kanë sjellë lirinë? Si është e mundur që, me ndikimin më të madh të kësaj kategorie, e kemi shkelur njërin ndër parimet themelor të lirisë: se në demokraci do të duhej të ekzistojë sundimi i ligjit, e jo sundimi i njeriut, në mënyrë që të dihen rregullat sipas të cilave qeveriset?

Deklarata franceze mbi të drejtat e njeriut dhe qytetarit, e vitit 1789, thotë se të gjithë qytetarët para ligjit janë të barabartë, të gjithë kanë të drejtat të barabarta në të gjitha nderet, vendet dhe shërbimet publike, sipas zotësive të tyre, dhe pa dallime të tjera pos atyre që rrjedhin nga virtytet dhe talentet e tyre.

A është ky realiteti, të cilin po e jetojmë?

Nuk e kam lexuar drejtpërdrejt John Rawlsin, siç po e quajnë, njërin "prej filozofëve më eminentë të moralit e të politikës", por në një artikull për të po shkruan të ketë thënë për drejtësinë se "është virtyti i parë i institucioneve shoqërore, ashtu si e vërteta është në sistemet e të menduarit" dhe se, sipas tij, "bashkësisë politike, në të cilën nuk ekziston pajtueshmëria për konceptin (politik) të drejtësisë, i mungon bazë e domosdoshme për bashkësinë në tërësi"!

Si është e mundur që tërë ligjet i kemi në frymën liberale, ndërsa shoqëria jonë thua se po kthehet në mesjetë?

Deri më tash ka pasur të dhëna bukur të bindshme se si ata që dolën në krye të UÇK-së e më vonë edhe në majat e udhëheqjes së këtij vendi më shumë e kanë arritur në mënyrë komplotiste, së pari brenda organizazimit të tyre politik e pastaj edhe në strukturat politike e ushtarake të atëhershëm të vendit. Për këtë sigurisht se do të dihet më shumë në të adhmen, por një gjë është e sigurt qysh tash: kushdo që i ka bërë vrasjet politike të pasluftës, i ka bërë që të përfitohet nënshtrimi i popullit dhe kjo kategori të instalohet në pushtet.

Si mentalitet, ndërkaq, ata ngjajnë me ata që Erich Fromm, në eseun e tij të famshëm "Karakteri revolucionar" i përshkruar si "rebelë".

"Arsye të ndryshme", shkruan Fromm në eseun përmendur, "mund ta shtyjnë këdo qoftë të merr pjesë në revolucion (apo, në rastin tonë, në një luftë çlirimtare), pavarësisht prej asaj se çfarë ndjen, në qoftë se vepron për revolucionin (apo, luftën çlirimtare). Por, vetë fakti se ai vepron si revolucionar na flet pak për karakterin e tij."

Dhe më pas:

"Karakteri revolucionar nuk është rebel. Çfarë kuptoj me këtë? Do ta definoja rebelin si personalitet, zemërimi i thellë i të cilit me autoritetin rrjedh nga fakti se nuk është i çmuar, i dashur, i pranuar. Rebel është ai i cili don ta rrëzojë autoritetin për shkak të zemërimit të tij dhe, si rezultat i kësaj, ta bëjë vetveten autoritet në vend të atij që përmbysi."

Ndër ne, ky mentalitet duhet ta ketë burimin nga koha e komunizmit, kur pushtetarëve, më shumë për ta legjitimuar pushtetin se sa kanë paraqitur rrezik të vërtetë pë regjimin, shumë njerëz i kanë etiketuar si "nacionalistë", të cilët edhe thuaja se kanë qenë të ekskomunikuar nga ajo shoqëri. Prandaj ai zemërimi dhe qëndrimi ndaj autoritetit, të cilin e përshkruan Fromm! Shihni "komandantët" tanë, të gjithë kanë krijuar më shumë pasuri e pushtet se sa kanë pasur udhëheqësit tanë të atëhershëm komunistë!

Nëse kjo duket jo mjaft e bindshme dhe tepër abstrakte, ja një veti tjetër tipike për udhëheqësit tanë, të cilën Fromm ia përshkruan karakterit të rebelit:

"Dhe posa të arrijë qëllimin e tij, ai (rebeli) shumë shpesh do të miqësohet me po atë autoritet kundër të cilit ka luftuar me kaq hidhur më parë."

A nuk është e çuditshme që, pas lufte, më mirë kanë kaluar disa njerëz nga strukturat e atëhershme të pushtetit, madje edhe ato të dhunës së tij, se sa veprimtarët të cilët vërtet janë përpjekur për liri? Apo, shikojeni qëndrimin e Hashim Thaçit ndaj Ibrahim Rugovës - sepse qëndrimi i mentalitetit të tillë është njësoj ndaj çdo autoriteti - së pari e ka urryer tmerrësisht, prandaj e ka fyer e përçmuar sa herë i është dhënë rasti; më vonë, pasi që është ndjerë i barabartë me të, i është afruar! Sjellja e tij me respekt ndaj figurës së tij vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe, ma merr mendja, më shumë se pragmatizëm, ajo thjesht është e motivuar nga struktura e personalitetit të tij!

3.

Sigurisht, të gjithë pyetemi se si populli i cili i zgjedh, apo më saktë - si i duron këta udhëheqës. Shumë vende e bëjnë, edhe ato demokratike, madje edhe në ShBA - matjen e pranisë së karakterit autoritar në popullatë, për çka ka teste e teknika të zhvilluara, po ndër ne s'i ka shkuar kujt në mend. Është kjo kategoria e cila edhe e kërkon udhëheqësin autoritar. Situatën më së miri e përshkruan dramaturgu:

Miqtë: Klaudius, kemi ardhur të të lusim të bëhesh Cezar.

Klaudius: Si mund ta kërkoni këtë nga unë kur e dini se tërë jetën kam luftuar kundër Cezarit, për Republikën?

Miqtë: Klaudius kuptoje, populli po e kërkon Cezarin.

Fromm thotë qartas se "ajo (...) që e përkufizon esencën e personalitetit autoritar është paaftësia: paaftësia për t'u mbështetur në vetvete, për të qenë i pavarur, thënë me fjalë tjera: paaftësia të durojnë lirinë".

Kudo ku është matur, përqindja e autoritarizmit ka qenë e lartë në Ballkan, ndërsa tek ne dëshmohet me atë se si ndjekim në mënyrë jo kritike udhëheqësit, "autoritetin iracional", e kërkojmë "babanë e kombit", "prijësin", "mesian". Pastaj, në fund, zhgënjehemi nga liderët dhe - ikim.

Nuk ikim nga varfria, po nga pazotësia jonë për të marrë përgjegjësi.

Kam frikë se perëndimorët nuk na kanë ndihmuar mjaft dhe në mënyrën e duhur për t'i bërë gjërat e duhura, deri sa ende konsideroheshin "autoritarë" dhe "u shkonte fjala". Mund të ndodhë që vetëm mund të ofshajnë nga "kodra", ndërsa ky vend dhe ky rajon të rrëshqasë pakthyeshëm në diçka që kurrë nuk do të mund të bëhet Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat