Patriotizmi i ortodoksisë shqiptare, pena e Rilindjes Kombëtare

Opinione

Patriotizmi i ortodoksisë shqiptare, pena e Rilindjes Kombëtare

Nga: Skënder Sadri KAPTI Më: 25 tetor 2020 Në ora: 16:48
Skënder Sadri KAPTI

Atdhetarët ortodoksë shqiptarë  kanë meritën e madhe pasi ata janë treguar dhe kanë vepruar si  patriotë e kombëtarë të mëdhenj, si lëvrues të letrave e të gjuhës shqipe për zgjimin e ndjenjës kombëtare, sepse fjala komb kupton gjuhë dhe kulturë.

Atdhetarët ortodoksë shqiptarë kontribuan për kombin shqiptar kudo që ata ishin në Shqipëri, Stamboll, Egjypt, Rumani, Bullgari, Itali  dhe SHBA si: Konstandin Kristoforidhi, Dhaskal Todri,Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Spiro Dine,  Petro Nini Luarasi,  Sotir Peçi , Fan Noli e shumë të tjerë.

Dhe pra, pikërisht gjuhës dhe alfabetit shqip, përhapjes së shkollës dhe  mësimit të tyre iu përkushtuan me mish e me shpirt intelektualët patriotë ortodoksë shqiptarë në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Të gjithë shqiptarët, por sidomos ata ortodoksë gjithmonë kanë qenë nën presion e nën terror të egër nga kultura, gjuha, shovinizmi dhe nga shteti e  kleri ortodoks grek  synimi i të cilëve ka qenë helenizimi dhe asimilimi i tyre, ndërsa shqiptarët e besimit mysliman janë dëbuar nga trojet e tyre shqiptare që sot janë nën shtetin grek.

Shqiptarët ortodoksë të Çamërisë dhe ata arvanitas pothuajse janë greqizuar ashtu sikurse janë sllavizuar edhe shqiptarët ortodoksë në Maqedoni e Serbi si pasojë e politikës gjenocidiale  dhe asimiluese të shteteve  dhe të kishave ortodokse helene e sllave.

E ndërsa shqiptarët myslimanë as nuk u turqizuan, as nuk u sllavizuan e as nuk u greqizuan por mbi ta kryesisht  është ushtruar dëbim, vrasje e gjenocid kriminal sllavo-greko ortodoks i paparë gjatë  shekullit të 19-të dhe në  vazhdim edhe gjatë  shekullit të 20-të.

Shtetet dhe kleri ortodoks i shteteve të krishtera, fqinje  të shqiptarëve e kanë përdorur fenë për asgjësimin e shqiptarëve si komb dhe për asimilimin e tyre; dhe duke e ditur këtë fakt, prandaj edhe u vunë në krye të lëvrimit, të arsimimit dhe të përhapjes së gjuhës shqipe intelektualët ortodoksë shqiptarë si dhe për formimin e Kishës së Pavarur Ortodokse shqiptare.

Përballë këtij rreziku e kërcënimi shqiptarët ortodoksë kanë dhënë kontribute dhe kanë luajtur një rol jashtëzakonisht dhe vendimtar   për Rilindjen Kombëtare gjatë shekullit të 19-të  edhe me pushkë, por sidomos me shkrim e me penë për shkollën dhe gjuhën shqipe,  për zgjimin kombëtar, për kulturën shqiptare  me qëllim të  bashkimin e shqiptarëve në një shtet të lirë e të pavarur gjithëkombëtar shqiptar.

Rilindjes shqiptare i kanë dhënë hov të madh veçanërisht ortodoksët shqiptarë të kolonive në Rumani, Bullgari, Egjipt, SHBA etj., si dhe arbëreshët e Italisë të cilët ishin ortodoksë unitë.

Botimet e tyre hynin fshehurazi nga Stambolli, Egjipti, Sofia, Bukureshti dhe nga Italia me qëllim për ngjalljen dhe rilindjen e ndjenjës kombëtare shqiptare, për zgjimin kombëtar.

Patriotët e shquar shqiptarë ortodoksë kurrë nuk u gjunjëzuan dhe nuk u frikësuan as nga “mallkimet”, as nga ç’kishërimet e Patrikanës dhe të klerit grek  të cilët përdorën edhe krimet e rënda si helmimet, vrasjet me plumba e me thika si me Papa Kristo Negovanin, Stathi Melanin, Mjeshtër Todërin, Naum Veqilharxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin etj.

Pas shumë përpjekjesh, sakrificash  e mundimesh të patriotëve të mëdhenj shqiptarë me 7 Mars 1887 u hap shkolla e parë shqipe me drejtor të parë Pandeli Sotirin i cili u kthye  në Korçë apostafat për këtë mision të lartë kombëtar.

Ndërsa shkolla e parë shqipe për vajza u hap në vitin 1891 nën drejtimin e Gjerasim Qiriazit dhe ku dhanë mësim heroinat e gjuhës shqipe Sevasti Qiriazi, Katerina Cilka,Polikseni Luarasi, Parashqevi Qiriazi etj.  Pra në ballë të zgjimit të ndjenjës kombëtare dhe të Rilindjes kombëtare ishte pena e intelektualëve shqiptarë ortodoksë, veprimtaria e të cilëve vazhdoi me përkushtim edhe në fillim të shekullit të 20-të në koloninë shqiptare në SHBA, ku përmendim veprimtarinë e P.N. Luarasit i cili formoi shoqërinë “Mall i Mëmëdheut”; në vitin 1906 Sotir Peçi hapi gazetën “Kombi”, dhe sidomos kulmin e arriti Fan Noli i cili për t’i shkëputur shqiptarët nga ndikimi i kishës greke shpalli krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me liturgji fetare në gjuhën shqipe.

Me këtë shkrim të shkurtër, por i cili është shumë pak për atë se çfarë kanë dhënë shqiptarët ortodoksë për Kombin shqiptar, për lirinë, pavarësinë dhe për shtetin shqiptar, pasi nuk është e mundur që atë ta shkruash në një shkrim sepse për këtë rol të jashtëzakonshëm që ka dhënë patriotizmi i shqiptarëve ortodoksë  për Rilindjen Kombëtare Shqiptare ka shkruar me qindra faqe Historia Shqiptare si dhe po hulumtojnë dhe që po e pasurojnë edhe sot studiuesit , letrarët dhe historianët shqiptarë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat