E shkuara nuk kthehet e të ardhmes duhet ti prijësh

Opinione

E shkuara nuk kthehet e të ardhmes duhet ti prijësh

Nga: Azgan Haklaj Më: 27 tetor 2020 Në ora: 08:20
Azgan Haklaj

Partia Demokratike e Shqipërisë ia "besoj" përzgjedhjen me mënyrën e pagëzuar me emërtesën fyese seleksionim apo skualifikim të mbi 3600 kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkishë të mjaft personaliteteve të fushave të ndryshme të Shqipërisë një komisioni letrar të kontrolluar nga Sorosi që Shtepia e Bardhë kërkon lobing ndërkombëtar për ta shpallë terrorist dhe për t'ia konfiskuar pasurinë.

Ky seleksionim, skualifikim nga të "urtët" buçiti në media me sihariq sikur të seleksiononin geshtënjat e kalbura në thark, apo domatet e prishura në kopësht duke harruar se vetë komisioni famëkeq i sherbente diktaturës dhe neodiktaturës kur qëndrestarët blu të skualifikuar apo seleksionuar ndesheshin dhemb për dhemb me makinerinë e tyre shtypëse.

Mirë po baza e Partisë Demokratike nga Tropoja në Sarandë hodhi poshtë në mënyrë masive të "perzgjedhurit" e tyre, çka e detyroj Selinë Blu të tërheqë në heshtje votën kundërshtuese, mohuese dhe e bëri qesharakë si proces siç ndodhi tek Qarku i Tiranës me rezultat 99.99% duke eleminuar nga 140 kandidatura vetëm 1, si në kohën e diktaturës hoxhiste.

Pra Partia Demokratike misionare e lirisë dhe demokracisë ra vetë në kurthin e ideatorëve të këtij mekanizmi që shkel konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe nenin 45 të Kushtetutës të Shqipërisë i cili thotë :

"Çdo shtetas që ka mbushe moshën 18 vjeç, qoftë dhe ditën e zgjedhjeve ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet", por dhe vetë statutin e Partisë Demokratike, sepse ky komision nuk është statutor.

Sigurisht që kishte mekanizma të tjerë përzgjedhës pa fyer mijëra demokratë, intelektualë, personalitete politike që kanë kontribuar për mbrojtjen e vlerave të demokracisë dhe kanë mbeshtetur fort Partinë Demokratike në të gjitha sfidat e saj.

Kjo fushatë denigruese e vetëvetes u bë në momentet vendimtare që po kalon vetë opozita dhe shoqëria shqiptare, shteti dhe institucionet e tij të shkatërruar me çati e më themel nga Sulltani i vogël i rilindjes.

Kuptohet vetëvetiu se  letrarët e "urtë" të komisionit janë vite drite larg korifejëve që i dhanë shqiptarëve e gjuhës së tyre Alfabetin Latin në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri etj, që benë epokë në historinë e Shqipërisë.

Po komisioni i PD- së, kalemxhinjtë e të përditshmëve shqiptare, të majta e të djathta, opionjonistë ekranesh servilë deri në neveri ndaj çdo lloj pushteti e lidershipi politik çfarë bënë  për të hapur një epokë të re në historinë e PD-së, të tranzicionit politik të tejzgjatur?!

Në fakt ata bashkë me familjet e tyre kanë qenë të besuarit dhe të përkëdhelurit e diktaturës staliniste shqiptare dhe tani të neodiktaturës dhe i zgjedhin persekutorët tanë kandidatë për deputë.

Çeshtë e verteta e bënë rrush e kumbulla "përzgjedhjen", çfarë pohon njeri mohon tjetri dhe shfaqen në media totalisht të çakorduar.

Ndoqën modelin e shëmtuar, gjoja katarsisin e Nanos, por kopjuan Ramën  për eleminimin e PS dhe krijimin e bandës kriminale, sektin e rilindjes.

Në vend që ashtu si pas një beteje të humbur të rigruponin forcat rreth atyre qëndrestarëve e idealistëve që i kanë dhenë forcën dhe kurajon kësaj partie e që janë defakto legjoni i nderit i saj, që nuk i kanë dhëne asnjë futurë në qeverisje për tu ndëshkuar me votë nga sovrani, Selia Blu e dirigjuar në prapaskenë nga Ayatollah Khamenei Sali Berisha dhe klani i tij nepotik që i varet në qafë kryetarit legjitim të Partisë Demokratike z Lulzim Basha si shpata e Demokleut i shqyen dyert e saj në emër të hapjes e prurjeve të reja duke bërë kështu që të vershonin drejt saj gjithfarë mercenarësh të Ramës, bashibuzukësh të pushtetit e dallaverexhinjësh të cilët për 8 vjet jo vetëm që nuk bënë asgjë për të shlyer sadopak mekatet që kanë ndaj PD-së, të cilën e çuan në opozitë, por përtej këtij fakti i ngjyen duart në qypin me mjaltë të Ramës duke përfituar privilegje, poste e tendera sipas parimit të "gjithëpërfshirjes", "përtej të majtë dhe të djathtës", një teori kjo e kryeministrit sulltan për të futur në grackën e korrupsionit të pushtetit edhe opozitën.

Hapja në të katër anët e PD-së mundësoj hyrjen aty të njerëzve të kolonës së pestë që kontrollohet në prapaskenë nga Ayatollah Khamenei Sali Berisha, misioni i të cilit është për ta çuar PD- në e opozitën drejt humbjes së sigurtë të zgjedhjeve e për ta bërë kësisoj kokë turku kryetarin Lulzim Basha.

Partia Demokratike po mbush tëtë vite në opozitë, një kohë kjo e mjaftueshme për tu riorganizuar e hapur gradualisht e në një terren të sigurtë ndaj prurjeve të reja, jo vetëm nga familja e demokratëve dhe bazës së saj elektorale besnike por edhe ndaj shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe familjeve tradicionale të djathta, të përfaqësuara nga ish pronarët dhe ish të përndjekurit politikë.

Sali Berisha u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2013 nga lidershipi i Partisë Demokratike pas humbjes së rendë në zgjedhjet parlamentare.

Ishte një dorëheqje formale për tu hedhur hi syve atyre që besuan verbërisht tek ai, e njëherësh për ti mbyllur gojën atyre që thoshnin se me Berishën kryetar do të humbim prapë zgjedhjet.

Berisha u investua fort në prapaskenë që Berishizmi të bëhet ideologjia e praktika sunduese e përjetëshme e PD- së, e kur e pa se lideri Basha me mendësi e kulturë europiane të cilin nuk e lidh asgjë më të kaluarën komuniste, që refuzoj prerë e qartë mendësinë e Berishës për një lëvizje opozitare revanshiste, agresive e destabilizuese për vendin urdhëroj grupin e tij puçist në PD të mos lejonte rikonfirmimin publik të tij si kryetar i opozitës së bashkuar por e dubloaj atë vetë edhe duke e rivalizuar në daljet publike televizive dhe me protagonizmin e theksuar në parlament për të krijuar pershtypjen se ai është shpirti i opozitarizmit dhe pa atë opozita asfiksohet.

Kur e pa se nuk kishte çte jepte më iu imponua PD- së dhe frontit opozitar për të dorëzuar mandatet dhe për të mos hyrë në zgjedhjet lokale dhe e nxori komplet opozitën nga sistemi.

E kjo në sinkron në prapaskenë me z Rama.

Për të gjithë ata që janë skeptikë po i pyes publikisht?!

Ayatullahi blu e Sulltani i sektit rilindas a e ndryshuan kushtetutën brenda një nate në vitin 2008?!

A hodhën themelet e atokratizmit duke konsoliduar pozitat e veta feudale me ligjin spanjoll?!

Dekleratat e Ramës në parlament herë duke e sharë plakun Berisha e herë duke e mikluar me fjalët:

"Ju PD- ja keni vetëm z Berisha opozitar, laj thaj vetëm ai është" e përligj pohimin tim..

Po sot Berisha pse nuk kërkon publikisht ligjin me lista të hapura kombëtare apo rajonale, apo mazhoritar?!

Nuk e kërkon sepse do të dalë ndonjë Mark Krroq ta mundë si Ramiz Alinë në bllok, dhe e din mirë si politikan me pervojë të gjatë së listat e hapura sido që të jenë, apo sistemi mazhoritar janë epilogu i atokratizmit politik dhe fundi i binomit feudal Rama- Berisha.

Kurse Rama e din fare mirë se ekzistenca e Sali Berishës në politikë qoftë si deputet i thjeshtë i sherben si alibi e pretekst për të përforcuar pozitat e tij në sektin e rilindjes e në qeveri duke asfiksuar çdo zë ndryshe dhe duke e ndertuar një strukturë fashiste në jetën politike e në qeverisjen e vendit, një piramidë ku në majë të saj të qëndroj vetëm ai.

Të gjithë demokratëve të Shqipêrise ju drejtohem me një pyetje publike?!

Patriarku ynë blu Sali Berisha a ka bërë ndonjëherë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave të PD- së dhe opozitës së bashkuar për të mos u përçarë?!

Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në vite ku janë sot?!

Ku jane kopistat e tij të vitit 2005?!

Ku i ka ish kryetarët pasardhës, sekretarin e përgjithshëm dhe të tre nënkryetarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë?!

A kanë krijuar të gjithë parti të reja në mbeshtetje të filozofisë përçarëse të z Rama?!

Si ka mundësi që të gjithë bashkëpunëtorët e Berishës të ikur nga partia e tij kritikojnë Bashën e asnjeri Berishën ?!

Si mund të jenë të këqinj e të demshëm të gjithë të përzgjedhurit  e Berishës në vite e vetë autori i kësaj përzgjedhje, kësaj veprës jo ?!

Sa herë i ka përzenë si të këqinj e i ka thirrur si të dobishëm bashkëpunëtorët e vet Berisha që na kujton veprën e famshme të qershive të përmjerura të Hoxhës apo veprimet e shëmtuara të bufit ?!

Sa herë iknin ishin të këqinj, sapo ktheheshin beheshin të mirë.

A mban përgjegjësi morale sot Berisha që krejt ekipi i tij është në sulëm ndaj kryetarit legjitim dhe ai hesht pa marrë mundimin të ju kthejë pergjigje?!

Kush i ka mbetur sot Berishës përveç Fatmir Gerdecit, (Çernobillit), i cili nuk ka ku shkon përveçse në gjirin e PD- së për të mbijetuar politikisht sepse partia e tij nuk e ka një autobuz njerëz që ia sjell opozitës së bashkuar e me të cilët i shkakton mijëra vota kundërshtare ?!

Thirrja publike e Edi Ramës për deputetët e PD - së të skualifikuar për tu bërë pjesë e sektit të tij rilindas a është në akord me Berishën?! 

Bashkëqeverisja si teori e Ramës a është në akord me filozofisë e Berishës "bashkëvuajtës e bashkëfajtorë".

Teza e Ramës është sinonim i metodës së Berishës, i cili atje në prapaskenë bën "opozitë" si gjeneral i ushtrisë dixhitale dhe i hedh në betejë ushtarët e vet elektronikë sa herë rrezikohen pozitat e tij, të familjes e mercenarëve të vet që i shërbejnë.

Spastrimi i 30% të kanditaturave për deputet të legjislaturës së kaluar sherbêtor të Berishën, disa prej të cilëve ndodhen në "purgator", por duke mbajtur disa xhepistë të PD-së dhe disa vemie që vite më parë ia rrëmbyen siglën partisë nënë për ti bërë dem në perballjet elektorale duke ngatërruar votuesin dhe tani janë kthyer në prehërin e saj jo për ideal por për përfitime është një veprim për të shpëtuar vetë Berishën, sepse është i pamjaftueshëm pa ikur adashi i Ramës, Sali Berisha, i cili është kthyer në një fantazmë politike dhe nuk mund të përfaqësojë asgjë përveçse të shkuarës së Partisë Demokratike, i cili mund të ketë ende disa idhtarë fanatikë të pa çliruar ende nga prangat nostalgjike, por i shkakton PD- së dhjetëramijëra vota kundra, e dhjetëramijëra votues të tjerë do të abstenojnë për shkak të tij.

Z Basha jeni akoma në kohë për ta kryer këtë mision jetik politik, largimin e Berishës e të njerëzve të kapur peng prej tij, të cilët janë arkitektët e humbjes së zgjedhjeve, sepse janë të lidhur ngushtë me interesa ekonomike e klanore me qeverinë e rilindjes 

Z Basha duhet ta largoni Berishën me çdo kusht, jo vetëm për të mos pasur fundin e tij politik, por për ti hequr "timonierit" të pushtetit të bandave Edi Ramës patericën që e mban në këmbë prej tëtë vitesh.

Rrëzimi i Sulltan Ramës nga pushteti, është mision i shenjtë për të mbyllur epokën autokratike, për ti hapur rrugë demokracisë, shtetit të së drejtës e integrimit të vendit si kauza kryesore e PD- së dhe opozitës së bashkuar.

Z Basha nuk mund ti lejoni vetes luksin të mikloni akoma plakun egocentrik Berisha që bëhet djali plangprishës sa herë nuk i kenaqen egot e tij të shfrenuara për pushtet.

Z Basha e shkruara nuk kthehet, e të ardhmes duhet ti prijësh është një aksiomë fondamentale e politikës.

Koha ecën vetëm përpara dhe është e pamëshirëshme, për ata që nuk e njohin ritmin e saj.

Sot brezi i atyre djemëve e vajzave shqiptarë që kanë lindur e rritur në liri është shumë herë me i aftë, më i kulturuar, më idealist së brezi i viteve 90-të e lidershipi politik i asaj kohe.

Qindra mijëra djem dhe vajza shqiptarë janë shkolluar, jetojnë e punojnë në perëndim duke ecur me ritmet e shkencës, kulturës e civilizimit europian.

Z Basha ju i përkisni këtij brezi idealistësh dhe kjo është një arsye më shumë që  të mos i zhgenjeni endrrat dhe idealet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat