Letër e hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama

Opinione

Letër e hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama

Nga: Rifat Tahir Prençi Më: 27 tetor 2020 Në ora: 17:48
Rifat Tahir Prençi

Po iu drejtohem për një problem për mua jetik, që tani në moshën e thyer të pleqërisë, do të ishte një ngushëllim, pas gjithë atyre vuajtjeve që kam përjetuar  në kalvarin e regjimit diktatorial. Jam i biri i Tahir Prençit, radistit të famshëm, të kapur me dredhi nga Sigurimi i shtetit, ekzekutuar në mënyrë barbare nga klika e Diktaturës, vetë kam kryer 23 vjet burg politik, nga i cili kam dalë me pasoja të rënda fizike  e shpirtërore. Që në vitin 2013 me vendim të këshillit të qarkut Tiranë, sipas ligjit përkatës, më është akorduar pension i posaçëm. Ky pension jepet për një kategori të veçantë qytetarësh që kanë dhënë kontribut të shquar në shoqëri dhe janë vlerësuar nga shoqëria dhe institucionet e larta të shtetit në karrierën e tyre, të tillë; si aktorët; këngëtarët; shkrimtarë me emër; veteranë; shkencëtarë; njerëz që dallohen për merita të veçanta. Në këtë kategori janë përfshirë me të drejtë dhe ish të përndjekur që kanë vuajtur në ferrin e burgjeve politike të Diktaturës.

I nderuar zoti Kryeministri, ligji për pensionet e posaçme më inkurajoi dhe më nxiti që të aplikoja sipas procedurave përkatëse, për të qenë pjesë e këtij shpërblimi të denjë dhe plotësisht të merituar.

Siç ju e dini, për të përfituar këtë lloj pensioni, duhet paraqitur një kërkesë, propozim për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror nga: personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës; kryeministri; kryetari i Kuvendit; presidenti i Republikës. Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet, si vijojnë: fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile; vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit; vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë; Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhrat etj.

Të gjitha këto unë i kam paraqitur me korrektesë që në vitin 2013 dhe Ju, zoti Kryeministër, jeni personi të cilit i jam drejtuar me shkresat përkatëse dhe personi kompenten për t’i dhënë zgjidhjen e duhur institucionale kësaj çështje.

Por kanë kaluar dhjetë vjet dhe unë nuk e kam marrë pension të posaçëm, një të drejtë ligjore që ma jep qëndresa ime lehtësisht i verifikueshme në vend-vuajtjen mizore të burgjeve politike. Kam marrë vetëm një letër vitin që kaloi, në verë të vitit 2019, ku ju më thoshit se pensioni i posaçëm më takon, por shteti nuk ka fonde.

Unë ju pyes, i nderuar z. Kryeministër: Si nuk paska fonde shteti për një plak 83 vjeçar, me një këmbë në varr, që nuk ka parë asnjë ditë të bardhë në jetën e tij dhe pret t’i ngrysë vitet e fundit të jetës në pamundësi ekonomike? 

Unë kam bërë të gjitha tentativat institucionale për të përfituar këtë të drejtë, por kam ndeshur në vesh të shurdhër dhe dyer të mbyllura. Kjo më bën të dyshoj se ato letra që unë kam dorëzuar si aplikim për marrjen e pensionit të posaçëm, janë mbuluar me pluhur në tryeza burokratësh dhe nuk kanë arritur ndoshta kurrë në dorën tuaj, z. Kryeministër. Edhe përgjigja juaj se nuk paska fonde për një plak 83 vjeçar, nuk është në stilin tuaj, z. Kryeministër dhe duhet të jetë kthyer nga burokratët që ju rrethojnë. 

Unë kërkoj që të shqyrtohet me seriozitet kjo çështje, të më jepet zgjidhja ligjore dhe unë të përfitoj një të drejtë të vonuar dhe të garantuar ligjërisht, që të gëzoj në këto ditë pleqërie të thellë pensionin e veçantë, jo vetëm si vlerësim material, por edhe si stimul moral, për atë çfarë hoqa e vuajta në një kohë të pa kohë për shqiptarët, vetëm sepse im atë Tahir Prençi besonte tek Amerika, model që me të drejtë ju dhe klasa politike po e aplikoni sot, i nderuar Kryeministër.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat