Greqia, një shtet i vogël, por me apetite të mëdha

Opinione

Greqia, një shtet i vogël, por me apetite të mëdha

Nga: Skender Musliu Më: 30 tetor 2020 Në ora: 18:14
Skender Musliu

Me kërkesë të Greqisë, Qeveria Berisha më 2009-ën arriti Marrëveshje për delimitimin e kufirit Detar me Greqinë, me çka asaj iu mundësua zgjërimi për 350 km², zonë kjo e pasur me hidrokarbure të konsiderueshme që llogariten me triliona dollarë. Me zgjërimin e kufirit detar Greqia automatikisht hyn në territorin e ujërave të Shqipërisë, që cënon integritetin dhe tërësinë territoriale shqiptare. Mirëpo pas reagimit të ekspertëve të kësaj fushe dhe pas protestave të shoqërisë civile, partia socialiste, aso kohe në opozitë, ankimoi këtë Marrëveshje pranë Gjykatës Kushtetuese. Fatmirësisht kjo Gjykatë marrëveshjen në fjalë e shpalli si akt antikushtetues dhe ajo mbeti vetëm në letër.

Mirëpo apetitet greke nuk pushuan asnjëherë sepse ajo riaktualizoj zgjërimin e saj detar madje duke zhvilluar biseda të fshehta që nga viti 2018-të.

Për t’a realizuar këtë, Edi Rama disa muaj më parë bëri një propagandë të madhe nëpër televizione dhe media të ndryshme, që ai vet i kontrollon, duke dashur t’i bindë qytetarët se kjo marrëveshje është në harmoni me Konventat ndërkombëtare dhe se Shqipëria nuk humbë asgjë.

Atëherë parashtrohet pyetja, se çka paska ndryshuar në ndërkohë, Marrëveshjen që partia socialiste e kishte ankimuar në Gjykatën Kushtetuese më 2009-ën, tani me këmbëngulje insiston t’a miratojë !?

Deklaratat e Edi Ramës me ato të Greqisë janë krejtësisht të kundërta, sepse deri sa kryeministri grek deklaron se zgjërimi i kufirit detar me 12 milje për Greqinë është një arritje historike, Edi Rama thot se Shqipëria nuk humbë asgjë me këtë Marrëveshje, që tregon jotransparencën, kamuflon të vërtetën dhe nxjerr në pah servilizmin dhe inferioritein ndaj Greqisë karshi këtij proçesi.

Meqenëse se kjo propagandë e Ramës hasi në kritika të mëdha në opinion, ai vendosi t’a ndryshojë strategjinë e veprimit.

Kur Greqia pa se gjërat mund të shkojnë keq, ajo dërgoi ministrin e saj të jashtëm, Nikos Dendias në Shqipëri. Pas takimit me Ramën ata mbajtën një konferencë për shtyp, me ç’rast Rama deklaroi se ishin bërë dakord që çështja e detit Shqipëri – Greqi të shkojë në Gjykatën e Hagës për të marrë një zgjidhje.

Mirëpo praktikat juridike ndërkombëtare lidhur me zgjidhjet e kontesteve mes shteteve në Gjykatën Ndërkombëtare, janë më ndryshe se kjo Shqipëri – Greqi, sepse para se lënda të depozohet në Gjykatën e Hagës, paraprakisht duhet të zhvillohen procedurat e brendshme, në rastin konkret në Shqipëri dhe Greqi. Arritja e një Marrëveshje eventuale kontestuese, sikur ajo e vitit 2009, do të mund të kundërshtohej në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Mirëpo Edi Rama, tani më tri vite, Shqipërinë e ka lënë pa këtë Gjykatë, që është institucioni më i lartë dhe më relevant juridik i një shteti i cili ruan Rendin Kushtetues dhe mbanë balancat e tre pushteteve të shtetit. Kjo nuk është e rastësishme sepse Edi Rama e ka bërë me qëllim që vendimet antiligjore të Qeverisë të mos ankimohen.

Kësaj rradhe Shqipëria dhe Greqia nuk kanë zhvilluar negociata për arritjen e një Marrëveshje që nuk do të jepte zgjidhje, rrjedhimisht nuk ka kontest mes tyre që Gjykata Ndërkombëtare të merr një Vendim meritor.

Dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare pa u shterrur procedurat e brendëshme, nuk është e rastësishme dhe shkon në dëm të Shqipërisë, sepse është një kurthë.
Pse ? Nëse do të arrihej një Marrëveshje si rezultat e negociatave, ajo do të mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo kur çështja shkon në Gjykatën Ndërkombëtare, Vendimi i saj është definitiv dhe ai duhet të zbatohet, që don të thot se nuk ka më ankimim në Gjykatën Kushtetuese, sepse Vendimi i kësaj Gjykate prevalon mbi Kushtetutën.

Në këtë rast Greqia ka përparësi të pakontestueshëm sepse ka ekspertë par excellence dhe përvojë të pasur në zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare detare.

Duhet theksuar se Greqia nuk ka probleme vetëm me Detin shqiptar, por edhe me Italinë, Libinë dhe Turqinë, ku shifen apetitet e mëdha për ujrat e të tjerëve për të grabitur sa më shumë pasuri nënujore.

Prandaj është e papranueshme që politika merr vendime që i takojnë profesionistëve të kësaj fushe, sikur që është e pakuptueshme që Komisionin i cili duhet t’i bëjë Projektet profesionale e formon vet Edi Rama duke lënë anash edhe ekspertët e pavarur.

Mirëpo e gjithë kjo është rezultat e politikave të gabuara të Edi Ramës i cili gjatë dy mandateve shpërnguli me mijëra qytretarë, varfëroi popullin, shkatërroi ekonominë, plaçkiti shtetin me tenderat korruptive dhe PPP-ët, zhvilloi korrupcionin dhe krimin e organizuar, mafiën e ndërtimit duke shpërlarë paratë e pista dhe ai luan rolin e kryeministrit, Qeverisë dhe Parlamentit duke suspenduar dhe uzurpuar institucionet shtetërore.

Së fundmi, asgjë nuk ka mundur Shqipërinë t’a detyrojë për hapjen e çështjes së Detit, as një normë ndërkombëtare nuk mund t’ia imponojë këtë, sepse kjo është vetëm çështje e vullnetit reciprok mes shteteve dhe kur nuk ka vullnet kjo çështyje as që ekziston. Prandaj Shqipëria ka gabuar që ka « hyrë në këtë lojë».

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat