Kush është Dick Marty?

Opinione

Kush është Dick Marty?

Nga: Milazim Maraj Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 19:40
Milazim Maraj

(Letër e hapur Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës)

Kohën e fundit, personi për të cilin përflitet më shumë në mjetet e informimit, si në ato të shkruara ose vizuale, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj, është Dick Marty. Për këtë njeri askush nuk tregoi se z. Dick Marti është ky. Por gjithmonë fillohet me raportin e tij të paargumentuar. Pra, me raportin për të cilin Dick Marty nuk arriti të siguronte dëshmi. Ai e ngriti në media pikërisht për këtë qëllim. Nëse nuk e arriti qëllimin, të cilin pretendoi të paktën ta mbajë si temë të hapur deri në fund, kur do të vlerësohet se nuk paska argumente, ose eventualisht të fillohet me trajtimin e asaj çka u shkrua dhe u fol për këtë raport. Deri atëherë, Serbia trillon gënjeshtrën e radhës, që fundi i këtij raporti të mos këtë shumë rëndësi.

Gjatë kësaj kohe, në opinionin demokratik botëror do të krijohet imazh negativ për shqiptarët. Ky imazh nuk do të eliminohet lehtë. Dhe, në këtë formë, Dick Marty do ta arsyetojë dhuratën që e ka marrë nga Serbia. Kjo i konvenon vetëm Dick Martyt dhe kriminelëve serbë, nën udhëheqjen e të cilëve jo vetëm që ka vuajtur i tërë populli ynë në ish-Jugosllavi, por edhe vetë populli serb në Serbi. Dhe, në veçanti, ata që kanë qenë në Kosovë, qoftë si shqiptarë të besimit ortodoksë të asimiluar pas okupimit të kishave ortodokse në Kosove, qoftë ata që u sollën nga Serbia dhe viset e tjera të ish-Jugosllavisë si kolonizatorë.

Andaj, për ta njohur karakterin e z. Dick Martyt, është e nevojshme të nxirren përgjigje në këto pyetje:
A është Dick Marty punëtor i shërbimeve sekrete serbe?
A ka përfituar ky njeri gjë nga 48 milionë eurot nga fondi që Boris Tadiq e ka ndarë për ta penguar pavarësinë e Kosovës?
A ka përfituar Karla del Ponte nga ky fond?
A janë të korruptuar Dick Marty dhe Karla del Ponte nga shërbimet sekrete serbe?

Pse do të duhej të shqyrtohen këto fakte?
Nëse Dick Marty është një hetues i mafias, e se në këtë punë ky është këmbëngulës sipas disa gazetave të huaja, atëherë pse nuk u mor me gjurmimin e mafias serbe, por me shkrimet e tij ofendoi një popull të terë, që gjoja në mesin e tij paska mafiozë të tillë, bile edhe që e kanë udhëhequr luftën dhe që tash po udhëheqin me shtetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Këso shënimesh parlamentari i mjerë i BE-së, mund të ketë marrë në fabrikën e dezinformatave të Serbisë, mbi bazën e të cilave Serbia është formuar si shtet dhe ka qëndruar e po qëndron deri sot si burim i fatkeqësive të Ballkanit, gjithmonë me ndihmën e Dick Martave dhe Karla Del Pontave.

Por, pse po sillen si të painteresuara edhe institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë?! A nuk kanë argumente?! Apo po presin që këto ti shtrojë dikush tjetër? Mbështetur në argumentet historike që i kemi , Serbia gjithmonë i ka sulmuar të tjerët për krimet që i ka bërë vet, ose i ka planifikuar t’i bëjë ndaj tyre. Sulmonte shqiptarët se po e nxitin shpërnguljen serbe nga Kosova shumë vjet më herët për t’i shpërngulur të gjithë shqiptarët nga trojet e tyre, në mënyrë masive dhe para syve të botës. Sulmoi të rinjtë shqiptarë, të cilët po shërbenin në ish-armatën e ish-Jugosllavisë për ta organizuar më vonë vrasjen e tyre. I sollën arkivolet e tyre në Kosovë, pa lejuar që të hapën, duke penguar kështu edhe kryerjen ceremonisë fetare. Ato familje që guxuan ti hapin arkivolet, i panë trupat e bijve të tyre të masakruar dhe pa organe në arkivole. Askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se organet e këtyre të rinjve i kishte shitur ushtria serbe, sepse ishte një diçka e pabesueshme për shqiptarët.

Ata (shqiptarët) mund ta paramendonin serbin kriminel, që vret, që nuk zgjedh mjete për ta realizuar qëllimin, që djeg shqiptarët e lidhur rreth sanave të kallura, që mbyt gratë shtatzëna dhe ua nxjerr fëmijën nga barku, pastaj para gazetarëve në Shkup akuzon shqiptarët për këtë gjë, dhe ky akuzues ishte pop me petkun e njeriut që duhej të punonte si ka thënë zoti ; që vret fëmijën në prani të nënës, që vret nënën në prani të fëmijës, që dhunon fëmijë dhe pastaj të dhunuar i masakron, që e tredhin burrin në prani të gruas, e shumë forma trishtuese që civilizimi i botës i dënon. Këto për shqiptarët ishin të besueshme dhe të provuara, sepse i kishin vuajtur shumë herë gjatë historisë që nga vitet 1875, 1908, 1910, 1912, 1913 e kështu me radhë deri në vitin 1999, nga kriminelët me të njëjtën origjinë.

Këtë të shitjes së organeve, e zbuloi tash Dick Marty. Pra, rolin e popit që dikur prezantonte foshnjën shqiptare të masakruar nga serbët, si foshnjë serbe të masakruar nga shqiptarët, e kanë marrë Dick Marty dhe Karla Del Ponte. Popi për përfitime tokash për serbët. Por Dick Marty dhe Karla, për çfarë çmimi?! Po z. Marty që i paska bërë të gjitha ato matje se sa është larg Fushë- Kruja ose Burreli nga Aeroporti i Rinasit, madje paska gjetur disa shiringa dhe disa epruveta që mund t’i ketë dërguar vetë. Pse nuk e hulumtoi varrezën masive në Batajnicë? Aty ishin trupat e shqiptarëve të masakruar, nga ata që ju sot po mundoheni tua zbusni mëkatet, duke hulumtuar nëpër shtëpitë e Shqipërisë, dhe duke i emëruar ato me emra ngjyrash. Për të fabrikuar një krim të pandodhur, por të ngjyrosur me ngjyrën “Dick Marty” do të thotë të verdhë. Afër varrezës masive në Batajnicë është Aeroporti Ushtarak i Serbisë, jo larg prej këtu është Aeroporti Civil i Surçinit. Pastaj Spitali Ushtarak i Serbisë, Spitali Civil i Beogradit dhe Spitali Civil i Novi-Sadit, me salla moderne dhe përvojë në transplantimin e organeve.

A kanë të drejtë shqiptarët të dyshojnë se organet e djemve dhe vajzave të tyre të masakruar, në varrezat masive në Batajnicë, dhe në varrezat e tjera nëpër Serbi, janë shitur nga ushtria kriminele serbe, tashmë e dëshmuar para bote si e tillë? A e di, z. Marty se sa qindra litra gjak u morën nga këto qindra e mijëra viktima të pafajshme shqiptare të varrosura në varrezat masive në Batajnicë dhe në varrezat e tjera të zbuluara në Serbi, ose ku u shitën gjaku dhe organet e këtyre viktimave? Në cilat shtete Serbia ka shitur gjak gjatë ose pas kësaj kohe? Pse nuk filloi nga këtu të hulumtohej, kur ka material të mjaftueshëm për dyshime?

Por shëtit poshtë e lartë nëpër Kosovë dhe Shqipëri, duke tentuar të mbledhë deklarata të rrejshme, të paguajë njerëz që dëshmojnë rrejshëm. Pse të mos hetohet Marty, kur i zoti i shtëpisë deklaron haptas se Marty kishte tentuar që në afërsi të shtëpisë së tij të hedhë eshtra që po i mbante në makinë. Në qoftë se ai kishte në makinë eshtra të njerëzve të vrarë, ku i mori ky njeri këta eshtra?! Dhe pse deshi t’i hedhë në Fushë – Krujë?! A e nderon Parlamentin e Evropës vepra e një deputeti si Dick Marti, dhe drejtësinë ndërkombëtare një gjykatëse si Karla Del Ponte, e cila me “drejtësinë” e saj barazoi viktimën me kriminelin. Kurse tani, në vend që të pendohet për çka ka bërë në Hagë, ajo deklaron se i vjen keq se nuk ka pasur argumente për të burgosur më shumë shqiptarë, duke i akuzuar për trafikim organesh.

Kosova po konsolidohet si shtet, por edhe Evropa si kontinent. Unë mendoi se deputetët si Dicku dhe gjykatësja Karla nuk e nderojnë bashkësinë evropiane në përgjithësi, e as Zvicrën, si vend i tyre, në veçanti. Në kohën kur shtetet që ende nuk janë anëtarë të BE-së presin me padurim të anëtarësohen duke shpresuar se në BE do ta gjejnë vendin dhe demokracinë që e meritojnë, dalja e këtyre dy personaliteteve me këso qëndrimesh krijon një dilemë dhe humbje të besimit në forcën demokratike dhe autoritetin e Parlamentit Evropian dhe BE-së në përgjithësi. Parlament i nderuar, i tërë populli evropian i ka sytë te Ju. Atëherë dërgoni misionarët Tuaj hetues ekspert të paanshëm që ta hetojnë trafikimin më organe të njerëzve kudo që ato kanë ndodhur, nëse kanë ndodhur, e jo ta lini në duart e një matrapazi si Dicku, sepse, duke e lënë në duart e tij, do ta zhgënjeni tërë komunitetin evropian dhe botëror dhe do ta njollosni autoritetin e BE-së.

(Autori i këtij shkrimi ka qenë zëvendës/komandant i Brigadës “138”, Agim Ramadani” dhe ka luftuar në Koshare)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat