Çka është Politika e Jashtme?

Opinione

Çka është Politika e Jashtme?

Nga: Prof.As.Dr. Nijazi Halili Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 14:08
Prof.As.Dr. Nijazi Halili

Politika e Jashtme mbron dhe promovon interesat nacionale, sigurinë kombëtare, favoret ekonomike dhe kulturore si dhe qëllimet ideologjike e politike te një shteti.

Ajo është  përmbledhje e veprimeve politike që rregullojnë marrëdhëniet dhe ndërveprimet e një shteti me shtetet apo organizatat e tjera në botë. Politikat e jashtme janë, sipas Joshua Goldstein, strategjitë qe përdorin shtetet, respektivisht qeveritë për te adresuar çështje të ndryshme në veprimet e tyre në sferën ndërkombëtare. Politika e jashtme është e dizajnuar me qellim që të ndihmoj qeveritë për ti mbrojtur interesat e tyre nacionale, sigurinë e vendit, pikëpamjet ideologjike, qëndrimet politike dhe prosperitetin ekonomik. Sovraniteti i jashtëm, pra aftësia dhe mundësia që të veprojnë në skenën ndërkombëtare iu sigurinë këtë të drejtë, e cila është e drejte ndërkombëtare çdo shteti te pranuar ndërkombëtarisht, pa marrë parasysh numrin e popullatës apo madhësinë gjeografike të shtetit.

 Komunikimi strategjik dhe marrëdhënia me publikun janë komponentë shume të rëndësishme të afirmimit dhe me këtë të adresimit te politikave te jashtme ne qarqe zyrtare dhe ne opinionin publik ndërkombëtar. Ministria e punëve jashtme koordinon punët ne sferën e politikes se jashtme te një shteti duke hartuar strategjitë dhe planet afatgjata që duhen realizuar, kurse diplomacia në këtë kontekst është një mjet optimal për realizimin e këtyre objektivave.

Në mënyrë që një diplomaci të funksionoj sa me efektshëm dhe të jap rezultate të duhura kërkohet qe ata të cilët hartojnë politikën e jashtme të jene sa me kompetent, të përgatitur mirë dhe njohës shume të mirë të fushave të ndryshme  të cilat korrespondojnë me politikën e jashtme dhe diplomacinë, sikurse edhe stafi i saj diplomatik të jenë profesionist cilësor.  Kështu p.sh George Kennan, si një diplomat dhe shkollar i shquar amerikan, ishte para më shumë se gjysmë shekulli në mbrojtje të diplomacisë funksionale e udhëhequr në mënyrë profesionale nga specialistë dhe ekspertë të fushave përkatëse me qëllim të shmangies së “diplomacisë nga një diletantizëm”, sepse përndryshe nëse përfshin shumë njerëz pa përvojë dhe pa kompetenca të nevojshme do të krijojë paqëndrueshmëri dhe jo efikasitet në realizimin e politikave të jashtme. Themelimi i Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe diplomacisë kosovare nga njerëz me pak apo aspak përvojë dhe bagazh profesional në politikën e jashtme  e mbështet më së miri ketë konstatim të tij. Disa nga arsyet për një nivel jo edhe aq të duhur të diplomacisë kosovare, janë; mungesa e traditës ne diplomaci, potenciali i kufizuar i Kosovës ne arenën ndërkombëtare dhe se fundi politizimi partiak i përbërjes jo vetëm i MPJ-së por edhe i trupit diplomatik.

Sidoqoftë, objektiva e diplomacisë është realizimi dhe mbrojtja e interesave kombëtare, të cilat në kohën e sotme globale realizohen në nivele dhe sfera te ndryshme vendimmarrëse. Prandaj diplomacia bashkëkohore operon jo vetëm ne rrafshin zyrtar e institucional përmes formave tradicionale politike e diplomatike por gjithnjë më shumë edhe në veprimtari dhe forma tjera alternative. Hartimi i politikes së jashtme, politikat e jashtme janë strategjitë e një qeverie për t’u udhëhequr  në veprimet ndërkombëtare. Politikat e jashtme i materializojnë  objektivat  që kanë vendosur t’i ndjekin udhëheqësit  shtetëror. Shtetet çdo ditë ndërmarrin veprime lidhur me çështjet ndërkombëtare. Studimi i politikave të jashtme përfshinë studimin e gjërave thelbësore të politikave të shteteve tjera. Megjithatë  disa studiues janë më pak të interesuar për politikat e veçanta  dhe më shumë për procesin e politikës së jashtme. Procesi politikës së jashtme përfshinë mënyrën se si arrihet te politika të caktuar e se si zbatohen ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat