Ndërprerja e negociatave me Serbinë është e domosdoshme

Opinione

Ndërprerja e negociatave me Serbinë është e domosdoshme

Nga: Mr. Sc Shpend Salihu Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 20:23
Mr. Sc Shpend Salihu

Përkundër asaj, që komuniteti ndërkombëtar rregullisht po insiston në pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe në gjetjen e një formule adekuate për zgjidhjen e konfliktit ndërshtetëror, si pasojë e akteve të ulta të ndërrmarra nga Serbia, është e nevojshme që negociatat urgjentisht, të ndërpriten e për këtë ka shumë arsye:

Informatat e fabrikuara si dhe dëshmitarët e paguar nga Serbia, në Gjykatën Speciale, arritën që ta cenojnë sigurinë nacionale në Kosovë, ta bëjnë Kosovën një teatër, të montojnë procese me karakter politik përmes Gjykatës Speciale, me qëllim të degradimit të vlerave të luftës dhe ekuilibrimit të luftës si dhe përfitimeve diplomatike të Serbisë në rrafsh ndërkombëtar.

Serbia akoma po ëndërron në përfitimin territorial të një pjese të Kosovës, përmes tendencës për enklavizimin dhe kantonizimin e Kosovës, ose thënë ndryshe Bosnizimin e Kosovës.

Serbia rregullisht në rrafsh ndërkombëtar po ndikon në revokimin e njohjeve të shtetit të Kosovës si dhe është barriera ose pengesa kryesore e mos aderimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtar.

Serbia përmes Listës Serbe, po mundohet të kushtëzojë dhe shantazhojë skenën politike Kosovare, si dhe kur po don po i minon ligjet organike të cilat janë të nevojshme për funksionimin normal dhe adekuat të shtetit të Kosovës.

Serbia duke e shfrytëzuar shumicën e Bandinterit në Parlamentin e Kosovës, që është si rrjedhojë e Paketës së Athistharit, përmes Listës Serbe akoma nuk po e lejon themelimin e Ushtrisë së rregulltë të Kosovës, Qeveria e Serbisë akoma në aspekt teknik, nuk e ka kthyer Fondin Penzional Invalidor shtetasve të Kosovës, nuk i ka kthyer mbetet mortore të viktimave të luftës që janë varrosur në Serbi, si dhe rregullisht i shmanget debatit për zhdëmtimin material të viktimave të luftës në Kosovë, si dhe të ndarjes së pasurisë së përbashkët të ish-Jugosllavisë, e as nuk ka kërkuar falje publike institucionale, për luftën në Kosovë

Derisa Serbia kërkon Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, Shqipëtarëve në Luginë të Preshevës, akoma vazhdojnë të u shkelen të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me akte ndërkombëtare, gjersa Shqipëtarët e zhvendosur nga Lugina e Preshevës, as nuk mund të kthehen të jetojnë atje, e aq më keq me direktiva të propagandës së regjimit Serb, nuk iu blehen pronat, por shumica e pronave të tyre shfrytëzohen ose më mirë të themi janë të uzurpuara nga Serbët.

Serbia, edhe më tutje haptazi deklaron se kurrë nuk do ta njohë shtetin e Kosovës, atëherë shtrohet pyetja? Nëse një shtet nuk dëshiron ta njohë një shtet tjetër, për çfarë dreqin duhet të negociohet me të, andaj pala Kosovare duhet prerazi të i deklarojë komunitetit ndërkombëtarë, se pas trumbetimeve të Serbisë se Kosova asnjëherë nuk do të njihet nga Serbia dhe autoritetet e saj, Kosova ka të drejtë Kushtetuese dhe Ndërkombëtare të ndërprejë çfarëdo dialogu ose çfarëdo relacioni, qoftë të natyrës politike, ekonomike të sigurisë etj pasiqë ai shtet akoma ka tendenca ekspansioniste ndaj shtetit fqinj, andaj ky është argumenti esencial që do t’i shkojë në favor Kosovës, në aspekt të ndërprerjes së çfarëdo relate me Serbinë hegjemone.

Serbia dëshiron themelimin e Mini-Schengenit me qëllim që ekspansionizmin e vet shovinist ka shtrijë deri në Shqipëri, që të ketë dalje në det, të shfrytëzojë ekonominë Shqipëtare dhe të shkaktojë kriza dhe përçarje politike, e të sigurisë në Shqipëri, pos saj përmes këtij Mini-Schengeni, dëshiron që në kthetrat e veta ta gllabëroj edhe Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, si dhe më pas Bosnjën dhe Hercegonivën, këto tendenca konspirative nga qarqet e akademisë së shkencave dhe arteve të Serbisë, si dhe BIA dhe KOS Serb kanë tendencë që ta faktorizojnë dhe fuqizojnë Serbinë si shtetin kryesor në Ballkan dhe t’i japin ndikim e rol krucial në Bashkimin Europian.

Faktori Serb është duke u fuqizuar si në Ballkan dhe në diasporë e këtij faktori në masë të konsiderueshme po i ndihmojnë Rusia dhe Turqia si dhe një pjesë e madhe mobile e personaliteteve publike të cilat ka arritur t’i përfitojë dhe korruptojë anembanë globit, andaj këto duhet të jenë komponentet dhe faktorët kryesor, që Qeveria e Kosovës të insistojë në ndërprerjen e dialogut dhe ndërprerjen e çfarëdo bashkëpunimi të çfarëdo natyre qoftë, pra duhet komplet të izolohemi nga Serbia. Kjo gjendje duhet të zgjasë derisa Serbia ta njohë realitetin e ri politik të shtetit të Kosovës, dhe ta pranojë shtetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur si dhe ta ndërprejë kampanjën dhe agjitimin kundër Kosovës, si dhe ndërprerjen e akteve subverzive ndaj shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat