Burrat e shtetit dhe politikanët

Opinione

Burrat e shtetit dhe politikanët

Nga: Haki Latifi Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 20:47
Haki Latifi

Nuk është thënë kot se, gjersa politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit mendojnë për të ardhmen e kombit.

Burrat e shtetit nuk janë engjëj dhe as njerëz pa mëkate por atyre nuk iu lejohet ose, më saktë, ata nuk ia lejojnë vetes që mëkatet, mungesa e fisnikërisë dhe e parimeve të jenë tiparet kryesore të karakterit dhe shtyllat bazë të sjelljes së tyre. Përgjithësisht, burrat e shtetit nuk janë individë “të butë si qengjat” por të rreptë dhe kërkues. Në ndryshim nga banditët politikë, rreptësia e burrave të shtetit është rreptësi parimore dhe e drejtë. Kur e pyetën shkrimtarin e madh dhe politikanin francez Viktor Hygo se përse tregohej aq i rreptë dhe jotolerant me kundërshtarët e vet, u përgjigj: “Ato gjëra që nuk ia fal vetes nuk kam arësye t’ua fal të tjerëve”.

Ndërsa në skenën tonë politike vijnë e shkojnë pa pushim gjithfarë buburrecash politikë që sillen nëpër këmbët e shoqërisë pa bërë asgjë, milingona politike që, pak nga pak dhe përditë, mbushin çanakun e vet, gjinkalla të zhurmshme politike që “këndojnë” vazhdimisht dhe bezdisshëm të njëjtën këngë e me të njëjtën melodi, grerëza politike që pickojnë cilindo që i pengon të thithë nektarin e luleve të kopështit të përbashkët, dhelpra dhe çakenj që mashtrojnë e kafshojnë të tjerët, burrat e shtetit dallojnë dukshëm prej këtyre sepse tregojnë shqetësim më të madh për vendin dhe popullin, formulojnë dhe shfaqin ide të vyera në shërbim të përparimit dhe janë të aftë të mobilizojnë dhe tërheqin pas vetes shumicën e bashkatdhetarëve të vet në realizimin e synimeve dhe objektivave gjithëkombëtare.

Përgjithësisht, burrat e shtetit nuk shfaqen në çdo kohë dhe nuk mbesin në histori se ashtu duan ata apo se dikush tjetër i përgatit për të qenë të tillë. Janë rrethanat historike, shoqërore dhe politike që kërkojnë të dalin në krye individë me shkallë të lartë të intelektit që u mundëson kuptimin e situatës, nevojat dhe detyrat që ajo shtron për zgjidhje. Vetëm intelekti nuk mjafton. Duhet të kenë edhe personalitet të fuqishëm tek i cili spikasin vizioni për të ardhmen e vendit, guximi, vullneti dhe këmbëngulja për udhëheqjen e popullit drejt realizimit të aspiratave kombëtare dhe shoqërore.

Shembull tipik i një burr shteti ishte, themeltari i shtetit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. I cili do të mbetet në histori si një intelektual tolerant dhe shtetar dinjitoz. Ai hyri në politikë si intelektual i madh me bindje të formuara kulturore dhe ato i kthej në bindje politike. Njeri i pakompromentuar dhe atdhetar, ai u fut në politikë në moshë të madhe dhe mbajti postin e presidentit me kompetenca që i mundësonin evidentimin e plotë si burrë shteti. Pasardhës i një familjeje të nderuar qytetare dhe me tradita atdhetare, ai ishte dhe mbeti një qytetar shembullor, figurë politike e panjollosur. Pra, ishte personalitet i fuqishëm tek i cili spikasnin vizioni për të ardhmen e vendit, guximi, vullneti dhe këmbëngulja për udhëheqjen e popullit drejt realizimit të aspiratave kombëtare, ku si synim kishte Pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa tash, nuk ka se si t’i kemi mirë punët gjersa “kokat” tona janë kalbur si kërcejt. Në vend që të fillonim nga e mbara në ndërtimin dhe forcimin e shtetit dhe të dilnim prej drithmës, vumë në krye gjithë shpellarinë dhe dilingjit. Vumë ne krye aventurierët gënjeshtarë, demagogët, shpifësit, hipokritët, që bënin dhe bëjnë politikë në emër të patriotizmit. Kjo është soji i këtyre kokësapllakëve, e këtyre demagogëve barbarë, që duan të shkojnë në Evropë duke ndërruar brekushet e anadollakëve, me kostum e kollare, por pasi të bëjnë xhihadin tek *Ura e Xhevrisë. Disa politikan shkojnë aq largë sa mendojnë e po sillen si të ishin të një shteti superfuqi. Madje po mendojnë se jemi kërthiza e botës! Arma e tyre është piskama, zhurma, yryshi dhe urrejtja. Zatën falë këtyre „cilësive“ kanë arritur këtu ku janë.

Këta janë shpellarët që i bien tupanit duke brohoritur për sulltan Salariun e Salistanit dhe “laureshat” cicërojnë me zë të dridhur para mikrofonit fjalët e mençura të tij që i ruajnë poshtë fustanit. Mjerisht, tash jemi keq edhe për njerëzit e urtë e të menqur por edhe për Zotin e shtëpisë. Ora e miqëve po na mban në këmbë.

Prandaj na nevojiten burrat e shtetit. Mjerisht ata nuk importohen por lindin, rriten, edukohen dhe përkrahen nga ata që e duan vendin më shumë se fisin, krahinën apo partinë. Ndryshe, po të kishim pasur burra shteti nuk do të kalonim nga një cikël krizash artificiale politike tek një tjetër, por do të kishim bërë një marrëveshje kombëtare për problemet kryesore të shtetit dhe të integrimit evropian të vendit. Ndërsa luftën politike do ta kishim kufizuar në rrugët, mjetet dhe mënyrat e administrimit ekonomiko-politik të atdheut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat