Gabimi i radhës!

Opinione

Gabimi i radhës!

Nga: Shpetim Alaj Më: 15 nëntor 2020 Në ora: 13:00
Shpetim Alaj

Edhe pse sipas të gjitha gjasave askush nga njerëzit kompetent në Kosovë nuk do ta lexoj dhe se nuk merren fare me mendimet e të tjerëve që nuk janë pjesë e sistemit, prapëseprapë deshiroj që të publikoj mendimin tim rreth pensioneve në Kosovë me prizëm të posaçme te tërheqja dhe shpërndarja e 10% të trustit pensional të Kosovarëve.

Para disa ditësh një kolegë i imi ekonomist, e shpjegoj shumë mirë se në aspektin mikro dhe makroekonomik një hap i tillë është gabim shumë i madh, mendim të cilin e ndajë plotësisht dhe pa mëdyshje.

Unë po mundohem të shpjegoj këtë çështje pa përdorur terma profesional ekonomiko/fiskal që ta kuptojnë edhe profesionistet e lamive të tjera  dhe shumica e lexuesve, shumë shkurt dhe qartë.

Si shembull natyrisht unë gjithmonë nisem nga sistemi Gjerman. Ai është i ngritur në tri shtylla kryesore:

  1. Gesetzliche Rentenversicherung ( Sigurimi ligjorë pensional)
  2. Betriebliche Altersvorsorge  ( Kujdesi paraprak i ndërmarrjes)
  3. Private Altersvorsorge   ( Kujdesi/Sigurimi privatë)

Sot po koncentrohem te e para, e cila pakë a shumë ka ngjashmëri me sistemin e Kosovës.

Sipas rregullit/ligjit të gjithë të punësuarit paguajnë çdo muaj 18,6% nga paga brutto në fondin pensional deri në moshën 65-67 vjeçare, varësisht nga viti i lindjes ( gjeneratat e ardhshme te gjithë deri në moshën 67 vjeçare. Nga këto të ardhura paguhen pensionet e pensionisteve aktual, kjo quhet në zhargonin juridik ( Generationsvertrag). Nëse nuk mjaftojnë të hyrat e mbledhura atëherë qeveria është e obliguar që nga fondi i tatimeve të përgjithshme shtetërore të mbuloj mungesën. Pensionet përllogariten diku aktualisht rreth 48,1% të bruto pagave mujore, ndërsa sipas prognozës nga viti 2030 do të jetë diku rreth 43%. Interesant është edhe fakti të cilin shumë pak njerëz e dinë se për pensionet e marra paguhet tatimi në të ardhura personale. Për 80% të pensionit paguhet tatim.

Gjithashtu fakt interesant dhe me rendësi është se Fondet e sigurimit pensional kanë të drejtë me parat e mbledhura të bëjnë investime kapitale për të gjeneruar fitime dhe rritur fondin. Si për shembull të investojnë në letrat me vlerë të lëshuara nga shteti e sidomos të shteteve të sigurta e stabile. Por, koj guxon të bëhet vetëm për nja afat apo kohëzgjatje të shkurtër për të pasur mundësi për tërheqjet të shpejtë nëse është nevoja.

Pse po i ceki pikërisht këto dy fakte apo segmente? Sepse, tërheqja e 10% të trustit pensional ndikon drejtpërdrejtë dhe negativisht në të dy parametrat e përmendur.

Së pari në vend që ato para të investohen aty ku do të sjellshin rendite/përfitim e pastaj tu shpërndahen pensionistëve ose të kursehen në fondet pensionale, u jepen tani pa ndonjë efekt të madh. E dyta, me këtë hapë faktikisht zvogëlohen pensionet më së paku prej 10%, e kështu me radhë ndikohet negativisht edhe më vonë kur të ketë një sistem të mirëfilltë pensional e për pensione të paguhen si në perëndim tatime të cilat do të jenë automatikisht më të ulta dhe prapë do të mungojnë diku.

Deri më tani Kosova dhe udhëheqja e saj ka pasur gjithmonë një shembull të një shteti në Evropë për të argumentuar vendimet e veta edhe pse shumë shpesh nuk përputhen me realitetin Kosovar. Kësaj radhe, nuk ka asnjë shembull në Evropë e mbase as në tërë botën që një shtet apo qeveri ka bërë një hap të tillë.

Faktikisht kjo i bie se po e shesim apo falim ardhmërinë.

Një gjë e tillë do të kishte efekt vetëm nëse nga këto mjete bëhen investime të cilat brenda një afati shumë të shkurtër bien përfitime aq të mëdha sa që , bie fjala brenda 5 vitesh ato do të ktheheshin prap në fond. Në rastin konkret nuk bëhet fjalë fare, çka do të ndodhë? Punonjësit do ti marrin ato pak para dhe do ti shpenzojnë pos tjerave për konsum të përgjithshëm. Duke e njohur shumë mirë tregun Kosovarë dhe informalitetin e theksuar atëhere dihet se më së paku 50% të tyre nuk do të hyjë prapë në sistemin tatimor që ti kthehen buxhetit të shtetit, e ai 50%-shi tjetër është aq i vogël sa që nuk do të ndikoj fare në rimëkëmbjen apo rritjen e përgjithshme ekonomike të Kosovës.

Pastaj ndikimi tjetër negativ do të jetë se niveli i pensioniere të ardhshme do të zbritet dukshëm. Tani po përpiqem dhe një herë ta shpjegoj me gjuhën qe e kupton secili e sidomos disa deputetëve tanë si në odë të burrave.

Kjo i bie sikur të shesim tokë për të financuar konsumin ditorë.

Për shembull, çdo punëtorë ka nga 100 ari tokë pasuri. Shteti tani u thotë atyre: po ua shesë secilit nga ju nga 10 ari tokë e menjëherë ato para ua japi juve, sepse juve ua takojnë. Pastaj ju do ti shpenzoni në tregun e lire. Unë pyes, cili nga ju do të bënit nja gjë të tillë me dëshirë dhe vetë iniciative? Shumë pak ose askush, apo !?

Po e përsëris edhe një herë tërheqja 10% e trustit pensional është për mua gabimi më i madh dhe shkurtëpamës fiskal, social e ekonomik  në historinë më të re të Kosovës. nëse nuk është bërë vonë kthejeni këtë iniciativë dhe vendim prapa dhe kërkoni alternativa tjera për rimëkëmbjen ekonomike...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat