Kosova po vlon, e qeveria në gjumin e ariut - shteti në sprovë?!

Opinione

Kosova po vlon, e qeveria në gjumin e ariut - shteti në sprovë?!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 19:15
Ismail Muqiqi

Shteti i Kosovës po sfidohet këto ditë nga protestat dhe grevat e mija punëtoreve të Postë Telekomit ndërmarrje kjo publike e cila është para falimentimit.

Është para falimentimit se grupet e interesit të partive politike me vetëdije kontribuan në shkatërrimin e kësaj ndërmarrje e cila duhej të ishte aseti ma profitabil i ekonomisë së Kosovës.

Në këtë ndërmarrje vite me radhë u emëruan në krye të bordeve militantët e partive në pushtet njerëz jo profesionalë, jo kompetentë, të pa shkolluar me një qellim  që ti punësojnë në postë anëtarët e familjeve të tyre duke i forcua financiarisht shtabet e partive politike dhe të liderëve përkatës.

Po sfidohet Kosova me protesta dhe greva edhe në ndërmarrjen e Minierës Trepça e cila ishte shpresa më e madhe për interesin ekonomikë dhe kombëtarë për zhvillimin e Kosovës.

Papërgjegjësia menaxhimi i dobët dhe dukuritë tjera negative në politikën e punësimit dhe dështimet e një pas njëshme e kanë sjellë ketë aset kombëtarë para mbylljes së Minierave.

Politika populliste dhe folklorizmi i ndërtuar tek një pjesë e udhëheqjes së punëtoreve të Minierës Trepça duke u thirrur në parullën se ne jemi ata të cilët e kemi shkatërrua ish-Jugosllavinë është një mendësi primitive dhe e tejkaluar kaherë sot po këta punëtorë të cilët që nga pas lufta nuk janë në gjendje ti sigurojnë pagat e tyre nga puna e përditshme por vazhdimisht kërkojnë fonde nga Qeveria e Kosovës,dhe e cila nuk është në gjendje të aprovoj ligjin për rimëkëmbjen ekonomike për tu ndihmuar bizneseve një numër i të cilave janë para mbylljes.

Mjerisht Kosova po sfidohet edhe nga pandemia e cila është në ofensivë në të gjitha mjediset e këtij vendi.

Shteti i Kosovës u sfidua dhe pësojë dëme të pariparueshme nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore privatizim ky i cili kudo po vlerësohet si proces i kriminalizuar.

Këtij procesi i ndihmuan edhe liderët politikë dhe grupet e interesit të cilat blenë me qindra hektarë tokë për nevoja personale me nga 1 euro për një ari.

Kosova po sfidohet edhe nga dhomat e posaçme të Gjykatës Speciale në Hagë.

Arrestimet e fundit dhe ato që do te bëhen ne vijim janë grusht i rëndë dhe goditje për Republikën dhe Institucionet e saj.

Në këtë drejtim edhe përkundër argumenteve të cilat ishin të ditura për gjithë opinionin të brendshëm dhe atë ndërkombëtarë se Serbia beri krime dhe gjenocid  në Kosovë duke vra 13 mijë civilë të pafajshëm, 1430 fëmijë dhe duke i zhdukur 1600 civilë të cilët ende janë nëpër varrezat masive të Serbisë, ajo beri edhe krime duke i dhunua me dhjetëra mija femra shqiptare ajo tani ka arritur të shndërrohet në viktimë karshi Kosovës dhe gjithnjë e më shumë po hapë kapituj të ri dhe po përfiton fonde nga Bashkimi Evropian dhe nga aleatet e saj.

Mjerisht për shkak të papërgjegjësisë të liderëve dhe institucioneve tona Serbia arriti të hartojë dosje kundër pjesëtareve të UÇK-së dhe arriti të kontribuoj në formimin e Gjykatës së Hagës bashkë me Rusinë dhe aleatet e saj.

Këto ditë Presidenti i Serbisë Aleksander Vuqiq po jep deklarata kërcënuese duke përmendur edhe luftën kundër shqiptarëve në Kosovë.

Kosova po kërcënohet edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Vuqiqit e cila po armatoset gjithnjë më armatim të rëndë, me flotë ajrore ushtarake deri tek sistemet me moderne raketore.

Sigurisht se ky armatim  nuk po blihet për ta sulmua Rumunin apo Bullgarinë, por është drejtpërdrejt i përgatitur kundër Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Këtë me se miri po e tregon lista serbska e cila po kërkon asociacion me kompetenca politiko-juridike me qellim të Bosnizimit të Kosovës.

Në këto momente të situatave dhe rrethanave Shteti i Kosovës gjendet në situatë tejet delikate me një Qeveri anemike e cila nuk ka kapacitet as legjitimitet as forcë dhe dije për tu përballuar me këto vështirësi.

Klasa politike tani me lider të konsumuar e përçarë dhe me plotë urrejtje patologjike për interesat e ngushta personale luftë për pushtet e ka sjellë vendin në buzë greminës.

Këto figura politike kanë humbur çdo arsye racionale për të qëndruar edhe me tutje në krye të institucioneve të Shtetit.

Nuk di a ka ende ndonjë figurë apo personalitet autoritativ  në këtë vend i cili do të ulej pranë oxhakut për ta mbajtur një Kuvend tradicionalë kombëtarë në të cilin do të përfaqësoheshin të gjitha Komunat e Kosovës për të kuvendua për tejkalimin e gjendjes aktuale në drejtim të q’bllokimit dhe paralizës e cila i ka përfshi partitë politike dhe liderët dhe institutcionet e shtetit. Mendojë se ky mision në rendë të parë i takon Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (nëse ekziston?), si dhe përfaqësuesve të Shoqërisë Civile të cilët kanë detyrë morale njerëzore dhe demokratike për ti kontribua situatës që shoqëria kosovare të vetëdisohet për ta ndërtua shtetin për të cilin është derdh shumë gjak për liri dhe pavarësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat