Lamtumirë Nazmi Peci-Boletini- veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare!

Opinione

Lamtumirë Nazmi Peci-Boletini- veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare!

Haki Latifi Nga Haki Latifi Më 19 nëntor 2020 Në ora: 17:51
Nazmi Peci-Boletini (28.10.1953-18.11.2020)

Duhet të pranojmë shumë çiltër se ka disa ndarje që peshën e dhembjes e kanë më të rëndë, ka dhembje që rëndon më shumë e më gjatë, këtë përmallshëm e përjeton secili në mënyrën e vet. Ikja e të madhit Ing. Nazmi Peci për në botën e përtejme sikur nuk na lejon që të pajtohemi se ai nuk është më në mesin tonë!

Janë ligjet e natyrës ato, që kanë caktuar që gjenerata të ndërrojë gjeneratën dhe ne nuk mund të jemi kundër natyrës edhe po deshëm. Në pamundësi të ndërrojmë këto ligje që shumë herë na krijojnë dhimbje, na mbetet të kujtojmë me respekt të thellë shokët, miqtë, bashkëveprimtarët, atdhetarët e denjë, dashamirët dhe burrat e dheut që ikën nga kjo jetë. Duke i përkujtuar, njëkohësisht ne do të bartim këtë kujtesë tek brezat që do të na pasojnë.

Për çdo ditë nga rrethi ynë po shkëputen lulet e kopshtit të jetës sonë miq e shokë. Për çdo ditë jemi dhe nuk jemi më së bashku miq e shokë. Për çdo ditë na dhemb shpirti kur ndahemi nga më të dashurit tanë dhe papritmas na vjen kumti se iku: ky, ai/ajo, ti, unë e kështu me radhë! Ashtu siç na iku dhe nuk mundi ta mposht edhe Nazmiu betejën me pandemin Covid-19.

Nazmi Peci heu burri i dheut, sa ëmbël tingëllonte emri yt në rrugët tona të pafundme drejt çlirimit dhe bërjen e shtetit të Kosovës! Nuk më bënë dora punë të rendis një shkrim kujtimi. Se nuk mund të shkruhet rëndomtë për Ty, se ishe dhe mbete i veçantë, i jashtëzakonshëm. Megjithatë dua të përpiqem që të gjurmoj më shumë në thellësitë e shpirtit tim, në kujtimet e pashlyera dhe të bukura që kam për ty.

Atdhetari i devotshëm dhe bashkëveprimtari Nazmi Peci, ishte veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, Ingjinier i nderuar dhe drejtues i Zoti, ish i burgosur politik dhe i angazhuar në periudha të hershme si njëri ndër themeluesit e Degës së LDK-së në Zvicër.

Veprimtari Nazmi Peci, në kushte të një trysnie politiko hegjemoniste-policore serbo-sllave të viteve 90-ta, pas vëzhgimeve dhe gjurmimeve të shumta të pushtetit okopues të atëhershëm u shtrëngua që të merrte vendimin e arratisjes nga vendlindja për të marrë në sy rrugët e mërgimit politik. Ishte njëri ndër 215 intelektualët shqiptarë, i cili iu nënshtrua izolimit dhe dhunës serbe. U burgos, u torturua por kurrë nuk u nënshtua, duke qëndruar stoikisht ashtu siç i ka hije një pinjolli të familjës atdhetare Boletini.

Ai u vendos në Zvicër për të vazhduar veprimtarinë politike në shërbim të atdheut në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër, për të mos u ndalë deri sa mbylli sytë përgjithmonë.

E njoha si Njeri të drejtë dhe i brumosur me guxim intelektuali, i gatshëm që në çdo kohë të vepronte në bashkëveprim me të gjitha shtresat që për synim kishin çlirimin e atdheut nga falanga serbe. Gjatë karierës profesionale, ishte Drejtor teknik në Minierën „Trepça“ në Stantërg. Në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër, ka mbajtur disa funksione me rëndësi udheheqëse si; Nënkryetar i Degës, antar i kryesisë dhe kryetar i Këshillit të fondit të 3% -it për Zvicër, Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së etj., ku me përgjiegjësi bashkëpunoj si mik e bashkëpuntor i presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova.

Ai ishte i përkushtuar me tërë qenien e vet në shërbim të atdheut. Ai nuk u ligështua e nuk u lëkund as edhe një herë. U mbajt i fortë siç dinë të mbahen veç burrat e mëdhenj edhe atëherë kur merrnim lajme të hidhura nga Atdheu. Ti jetove me dashurinë dhe shqetësimin e madh ë shpirt për fatet e popullit të Kosovës deri sa mbylle sytë përgjithmonë.

Ngushëllime të sinqerta; familjës Peci, miqëve të të ndjerit dhe bashkëveprimtarëve të Degës së LDK-së në Zvicër.

I ndjeri Nazmi Peci, u largua në përjetësi nga një sëmundje e rëndë i prekur edhe nga Covid-19 , më 18 nëntor 2020 në spitali në Zürich të Zvicrës. Nga shpirti ynë u shkëput edhe një meteor, ku Trupi i Tij do të prehët i qetë në Boletinin e tij të dashtun, në Dardanin tonë të bekuar nga Zoti.

Për jetë e mot qoftë i nderuar kujtimi për birin e madh të tokës shqiptare, atdhedashësin e devotshëm, Ing. Nazmi Peci-Boletini!

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës që aq shumë punove dhe e deshte!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat