Shqiptarët kanë nevojë edhe tani për Amerikën sikur para 101 vjetësh

Opinione

Shqiptarët kanë nevojë edhe tani për Amerikën sikur para 101 vjetësh

Nga: Xhylije Ibrahimi Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 17:43
Xhylije Ibrahimi

Gati 101 vjet pas Konferencës së Parisit, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për mëvetësi dhe identitet shtetëror. Pa Amerikën, sikur para 101 viteve, edhe tash 101 vite më vonë shqiptarët nuk do të ishin këta që janë dhe këtu ku janë.

Kërkohet shumë mençuri nga politikanët shqiptarë për ta përballuar edhe sfidën e fundit në rrugën e gjatë të arritjes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Po e përsëris: Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.

Fati deshi që në Paris, më 1919, ku ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha, të jetë edhe presidenti amerikan Uilson.

SHBA-ja, me këmbëngulje kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë, që ishte kërkesë e pareshtur e shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha.

Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), në fjalimin tij, kishte deklaruar se: ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë... Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”.

Kishte zëra për ndarjen e Shqipërisë në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa ajo jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej me faktin se “shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë”.

Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson. Në një takim me Nolin, presidenti Uilson kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë.

Presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë.

Në Konferencën e Paqes në Paris, nuk u zgjidh çështja e Shqipërisë së jugut, por suksesi i kësaj konference në favor të shqiptarëve qëndron në faktin se Presidenti Uillson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë.

Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare.

Presidenti Uillson kishte vdekur në shkurt 1924 dhe ishte varrosur pa ceremoni shtetërore.

Konsullata e Shqipërisë në Amerikë e njoftonte përmes një shkrese Ministrinë e Jashtme (shih shkresën zyrtare) për dërgimin e një telegrami ngushëllimi zonës së presidentit Uillson, ku i shprehte ngushëllime në emër të popullit shqiptar. Njëherësh, Konsullata njoftonte se me kërkesën e zonjës Uillson, varrimi nuk u bë me ceremoni shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat