Avokatët dhe të akuzuarit

Opinione

Avokatët dhe të akuzuarit

Nga: Skender MUSLIU Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 19:36
Skender Musliu

Në shtetet perëndimore me demokraci të avancuara është praktikë e njohur që personave në proçese gjyqësore që nuk kanë kushte financiare, vet shteti i kompenzon honoraret e avokatëve.

Për proçeset gjyqësore të të akuzuarve pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, çështja për kompenzimin e avokatëve është trajtuar me Regulloren mbi ndihmën juridike, sipas së cilës çdo i akuzuar ka të drejtë të kërkojë kompenzimin e pagesës së avokatëve, fillimisht duke plotësuar formularin për « Deklarimin e burimeve financiare ». Pas kësaj, Zyra e Mbrojtjes kryen një verifikim të hollësoshëm të mjeteve financiare të parashtruesit të kërkesës për të përcaktuar nëse duhet miratuar ndihmën juridike të plotë, të pjesshme apo të refuzohet.

Madje Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka shkuar edhe më tej, duke marrë përsipër edhe pagesën e shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit të familiarëve të ngushtë të të akuzuarve, deri në 12 familiarë në vit dhe tre persona për çdo vizitë edhe pse Dhomat e Specializuara nuk e parashikojnë një kompenzim të tillë e as praktikat e Gjykatave tjera Ndërkombëtare.

Po ashtu me këtë Rregullore, të gjithë ata që lirohen nga akuzat duke u shpallur të pafajshëm, do të kompenzohen për ditët e kaluara në paraburgim, për çdo humbje materiale dhe ankth mendor që kanë vuajtur gjatë kësaj periudhe.

Parashtrohet pyetja, në Dhomat e Specializuara kush po gjykohet, UÇK-ja apo individ !?

Meqenëse kjo Gjykatë merret vetëm me krimet e supozuara para dhe pas luftës, duke përjashtuar kohën e luftës, atëherë del se nuk gjykohet UÇK-ja por individët, sepse me gjykimet e UÇK-ës për periudhën e luftës është marrë Tribunali Ndërkombëtar Penal, sikur që ishte rasti me Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj….., të cilët në mungesë të provave u shpallën të pafajshëm.

Meqenëse të akuzuarit e tanishëm që janë në Hagë si dhe të tjerët, siç flitet në opinion që do të akuzohen, ngarkohen për vepra të rënda penale të bëra nga individ të caktuar, atëherë nuk mund të pretendohet se në Hagë po gjykohet UÇK-ja, sepse UÇK-ë ka qenë populli dhe Mërgata që bëri luftë të pastër dhe çlirimtare.

Edhe pse, nëse shikohen emrat e të akuzuarve,fatkeqësisht, del se pjesa dërmuese e tyre kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës, megjithate ata do të përgjigjen për veprat e tyre të supozuara individuale edhe pse ndoshta duke keqpërdorur uniformën e UÇK-ës.

Duke marrë parasysh faktin se para dhe pas luftës ka patur vrasje të kundërshtarëve politik dhe ushtarëve të UÇK-ës, në mesin e të cilëve edhe disa komandanta të luftës si dhe janë likuiduar dëshmitarë, me të drejtë familiarët e të vrarëve dhe opinioni është i interesuar që të gjitha këto raste të zbardhen.

Edhe pse të akuzuarit e gëzojnë prezumimin e pafajsisë, por duke u nisur nga fakti se ata akuzohen për vepra penale shumë specifike sikurse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat parashifen dënime shumë të rënda, si dhe se ata do të mbrohen, sipas të gjitha gjasave, nga paraburgimi, atëherë duhet me qenë shumë të kujdesshëm në deklaratat publike të disa politikanëve lidhur me financimin e avokatëve nga burime jashta sistemit të drejtësisë.

Sepse ka ministra dhe deputet që publikisht bëjnë thirrje për mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e të akuzuarve në emër të UÇK-ës, kjo nuk është reale sepse nuk po gjykohet UÇK-ja por individët për aktet e tyre personale.

Sipas emrave që qarkullojnë në opinion, një pjesë e mirë e të akuzuarve, njifen si milionera të Kosovës dhe ndoshta nuk e kanë problem pagesën e avokatëve, sepse ka prej të akuzuarve që kanë angazhuar një armatë të avokatëve, mbi të gjitha avokat me renome ndëkombëtare, honoraret e të cilëve është vështirë t’i përballojë edhe Buxheti i Kosovës.

Nëse të akuzuarit mendojnë se akuzat janë të pabazuara dhe nëse konsiderojnë se janë të pafajshëm, atëherë psa ata angazhojnë aq shumë avokat e sidomos të huaj !?

Por çka nëse ndonjë i akuzuar shpallet fajtor me Aktgjykim të formës së prerë !?

Duke marrë parasysh faktin se Buxheti i Kosovës mbushet nga taksapaguesit, ndër të cilët janë edhe familiarët e personave të vrarë, a nuk i bie kjo se shteti dhe familiarët e të vrarëve kanë financuar mbrojtjen e vrasësve të këtyre familiarëve ?!

Mos të n’a përsëritet turpi dhe hipokrizia institucionale kur Isa Mustafës dhe Xhavit Halitit ia paguan shërimet në Gjermani me paratë e taksapaguesve, kur dihet mirë se ata konsiderohen si milioner. Prandaj duhet patur kujdes me pagesat apo kompenzimet e avokatëve dhe vizitave familiare me qëllim që mos të keqpërdoren taksapaguesit dhe Buxheti i Kosovës.

Sikur të kishte qenë në pyetje UÇK-ja, jo vetëm Buxheti i Kosovës por edhe Mërgata do të ishte mobilizuar në mbrojtjen e saj.

Mbrojtja më e mirë dhe më e sigurtë e të akuzuarve është pafajsia dhe pastërtia e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat