Nëntorët e lirisë flasin me gjuhën e drejtësisë hyjnore

Opinione

Nëntorët e lirisë flasin me gjuhën e drejtësisë hyjnore

Nga: Azgan Haklaj Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 09:50
Azgan Haklaj

Nuk besoj se ka një Komb tjetër në këtë planet i cili të këtë luftuar më shumë për lirinë e tij, të ketë derdhur më shumë gjak në beteja të pabarabarta me armiqtë që i janë vërsulur nga lindja dhe perëndimi sa Kombi Shqiptar.

E në anën tjetër ne kemi qenë objekt i shumë strategjive e projekteve shfarosëse të armiqëve tanë barbar, i tryezave, kongreseve e konferencave diplomatike të  fuqive të mëdha, të cilat për të ruajtur statukuonë politike të emëruar me cinizëm si "Paqja e Ballkanit", i kanë sakrifikuar interesat kombëtare të shqiptarëve për ti bërë kurban për politikën nacional fashiste e pansllaviste rusoserbe e asaj monarkofashiste greke të "Megalidhesë".

Betejat heroike e legjendare të shqiptarëve për të mbrojtur lirinë e trojet e tyre etnike, gjuhën, historinë, të drejtën zakonore e mënyrën e jetesës janë identifikuar së paku gjashtë shekujt e fundit me nëntorët e lirisë të cilët paraardhësit tanë e emërtuan me termin autentik e domethënës arbëror si vjeshta e tretë.

I pari nëntor i lirisë, ai i vitit 1443 zën pa më të voglin diskutim kryet e vendit në panteonin e përjetshëm të lavdisë së Kombit tonë.

Me dt 28 nëntor 1443 kryetrimi i Shqipërisë Gjergj Kastrioti shpalosi mbi bedenat e Kalasë së Krujës Flamurin Kuqezi të Kastriotëve duke i hapur rrugën çlirimit të trojeve arbërore dhe epopesë së tij të lavdishme 25 vjeçare.

Flamuri i Heroit tonë Kombëtar i mbuluar me lavdi në betejat me perandorinë osmane u bë natyrshëm e me plot meritë flamuri i të gjithë shqiptarëve dhe simbol krenarie e testament i shenjtë për shqiptarët brez pas brezi.

28 nëntori i vitit 1443 kryefjala e memories tonë historike u kthye kështu në një simbol të ditës së lirisë e të Flamurit Kuqezi.

Simbolika e kësaj date të shenjtë i frymëzoj Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin dhe etërit e tjerë të pavarësisë që pikërisht në këtë ditë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës të shpallnin Shqipërinë të lirë dhe të mos varme.

Konferenca e Londrës ja preu krahët shqiponjës së Gjergj Kastriotit sepse la jashtë kufirit Kosovën, Çamërinë e viset e tjera autoktone shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pra më shumë se gjysmën e trojeve etnike në Ballkan duke ndarë përgjysmë ëndrrën e rilindësve dhe të nacionalistëve e patriotëve shqiptarë, projekti i të cilëve i ideuar nga kolosi i pavarësisë kombëtare Hasan Prishtina ishte qysh në fillim të betejave të mëdha antiturke të viteve 1910-1912-të bashkimi i 4 vilajeteve shqiptare në një shtet, gjuhë e flamur të vetëm atë të Heroit tonë Kombëtar.

Ngjarjet që pasuan nga Konferenca e Londrës, luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore të cilat e patën zanafillën në Ballkanin e trazuar nga politikat pansllaviste rusosllave, okupimi i Kosovës nga armata serbe dhe gjenocidi e terrori mbi popullsinë e pambrojtur civile ju treguan shqiptarëve se misioni i nëntorit 1912 duhej mbrojtur tashmë me beteja e sakrifica mbinjerëzore nga një komb të cilin hanxhari i pamëshirshëm i diplomacisë së fuqive të mëdha e ndau mizorisht në pesë, pjesë duke ja kaluar kështu edhe brutalitetit të ushtarëve të legjioneve romake të cilët i ndanë rrobat e përgjakura të Krishtit të kryqëzuar në katër pjesë.

Për një paradoks të fatit Shqipëria u çlirua nga gjermanët pikërisht me dt 28 nëntor 1944, ndërkohë që kryeqyteti i saj Tirana ishte çliruar 11-të ditë përpara pikërisht me dt 17 nëntor.

Falangat terroriste të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes, Mehmet Shehut e kapove të tjerë e përgjakën dhe poshtëruan si askush tjetër në histori 28 nëntorin e shenjtë të Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit e Isa Boletinit.

Jam thellësisht i bindur kur them e përgjakën sepse jo vetëm vranë e prenë, pushkatuan pa gjyq dhjetëra intelektualë e patriotë të shquar duke shkaktuar kudo ku kolonin tmerr, vdekje, shtëpi të djegura e shkatërrim barbarësh.

"Çlirimtarët" nën dirigjimin e padronëve jugosllavë Miladinit, Stojniçit e të tjerë, pikërisht të nesërmen e ditës së flamurit në Shkodër, në kryeqendrën historike shqiptare me mijëra flamuj trekolorësh jugosllavë organizuan paradën e fitores (mbi shqiptarët kuptohet).

Atë ditë Shkodra e lashtë iliro- arbërore e të nesërmen mbarë Shqipëria ra nën robërinë e sundimin gjakatar të një junte banditësh, të cilët në emër të pushtetit të premtuar ja kishin shitur shpirtin satanait të zi sllavo- ortodoks.

Kaq e vërtetë është kjo dhe me kaq zell e mbronin këta jeniçerë të kuq bolshevizmin e "Baba" Stalinin sa që populli shqiptar i quante me neveri e përbuzje "këlyshë" të Rusisë.

Mosnjohja e 28- nëntorit si data reale e faktike e çlirimit  të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe vendosja e yllit komunist në Flamurin Kombëtar janë dy akte të shëmtuara e flagrante të regjimit stalinist shqiptar dhe historiografisë vënë në shërbim të saj.

Diktatura komuniste shqiptare e kmerëve të kuq me dhunën dhe terrorin që ushtruan për afër pesë dekada ndaj popullit të vet ishte më e egër se ajo e mesjetës e Car Dushanit e pushtuesve osmanë.

Armatat italiane e gjermane që kaluan nëpër Shqipëri ju dukeshin tashmë shqiptarëve ushtri engjëjsh krahasuar me tmerrim që po kalonin nga regjimi barbar komunist i instaluar me dhunë.

Komunizmi shqiptar i tradhtoj idealet e nëntorit të lirisë dhe gjakun e sakrificat e patriotëve të të gjitha kohërave në emër të vëllezërve jugosllavë, rusë e më vonë kinezë.

Do të duhej Epopeja e lavdishme e UÇK- së, trimëria e lufta heroike e bijve të Kosovës martire, pra epopeja e katërt shqiptare për ti dhënë 28 nëntorit ditës së shenjtë të flamurit legjitimitetin e mohuar nga armiqtë e Atdheut e shqipfolësit që kane punuar kundër tij në dy anët e kufirit.

Kjo ditëlindje e lirisë shqiptare përkon me ditëlindjen e komandantit legjendar tê UÇK- së së lavdishme Adam Jashari.

Është momenti që çdonjëri që ndihet me të vërtetë shqiptar, me gjak e me gjuhë, prejardhje e histori të gdhendë në zemrën e tij vargjet hyjnore të himnit të Flamurit Kuqezi.

"Rreth flamurit të përbashkuar

Me një dëshirë e një qellim

Të gjithë atje duke u betuar

Ta lidhim besën për shpëtim".

E kjo sepse është koha dhe zëri i Atdheut e Flamuri Kuqezi që na thërrasin për tu bashkuar në një besëlidhje të re.

Asnjë forcë në botë nuk duhet ta lejojmë të na i dhunojë dhe zhbëjë nëntorët e lirisë.

E theksoj këtë fakt se në këtë 28 nëntor të lirisë qarqet antishqiptare dhe shërbëtorët e tyre shqipfolës mendojnë se shqiptarëve kudo në trojet e tyre etnike në Ballkan do tu ngrijë buzëqeshja e do tu zvetënohet krenaria për faktin se gati krejt zinxhiri komandues i UÇK- së është i mbyllur në qelitë e Hagës.

Jo gospodarë të Kremlinit e Beogradit, asnjë burg në botë s'mund ti nxjejë luftëtarët e lirisë dhe askush s'mund të përbaltë Flamurin tonë Kombëtar, himni i të cilit këndohet me krenari nga dhjetë milionë shqiptarë të Ballkanit.

Nuk mund të na kërcënojë me luftë as Vuçiçi as Shesheli sepse shqiptarët nuk i janë shmangur kurrë një lufte të imponuar.

Nëse doni luftë për ta marrë me forcën e armëve Kosovën mirë se të vini, por mos harroni se Kombi Shqiptar është i aftë të nxjerrë ne fushëbetejë një komb ushtar, edhe gratë e fëmijët dhe pleqtë në emër të lirisë dhe besëlidhjes me Atdheun dhe Flamurin e tij.

Dushanët e millosheviçët e rinj të Beogradit le ta vajtojnë sa të duan kryepeshkopin Irinie, e sa për amanetin e tij për Kosovën mos të merakosen se kujdesem ne bijtë dhe bijat e saj, ashtu si për jugun e Shqipërisë të cilin njě tjetër antiKrisht grek ja la amanet qarqeve greke monarko- fashiste "Vorio - Epirin".

28 nëntori është dita kur Zoti flet shqip në emër të drejtësisë hyjnore.

Është kryefjala e historisë kombëtare.

Kjo datë është kushtrim panshqiptar për bashkimin kombëtar dhe krijimin e shtetit komb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat