Çmimi i madh i mësuesisë

Opinione

Çmimi i madh i mësuesisë

Nga: Ndue Dedaj Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 09:28
Ndue Dedaj

Mësuesi veteran Frrok Gojani, në Klinë të Kosovës, ishte shndërruar në simbol që në të gjallë të tij (u nda nga jeta këto ditë, në moshën 86-vjeçare), çka e tregon dhe fakti që komuna e Klinës kishte krijuar çmimin “Frrok Gojani” për mësuesit me karrierë të suksesshme pedagogjike. Kemi dëgjuar për plot çmime që jepen në botën e artit, letërsisë, sporteve etj., por është hera e parë që dëgjonim për një çmim në mësuesi, ndonëse lokal.

Nuk ka një komunitet më të dalluar idealistësh se ai i mësuesve, që nuk kërkojnë asgjë tepruese për atë që bëjnë. Nuk presin dhurata të shtrenjta, si shtetarët nga vartësit, por vetëm lule natyrale. Kujtohen gjithnjë për vatrat e diturisë që bënë epokë. Më 1 dhjetor u mbushën 111 vjet nga hapja e shkollës Normale të Elbasanit nga arsimtarë të ndritur kombëtarë, si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Sali Ceka etj., ashtu siç shkëlqeu dhe yllësia tjetër dituripërhapëse e Rilindjes, ajo “Qiriazi”, me Gjergjin, Gjerasimin, Sevastinë e Parashqevinë.

I madhi Eqrem Çabej ka shkruar thjeshtë dhe madhërisht se mësuesia nuk është një profesion, por një mision. Kësisoj, mësuesi, si një apostull, “ungjillizon” diturinë. Poeti Llazar Siliqi pati shkruar poemën panegjerike “Mësuesi”, ku protagonist është Ndrec Ndue Gjoka, Mësues i Popullit, që shërbeu në Zllakuqan të Klinës dhe në Shpal të Mirditës. Dikur, në vitin 1941, ministri i Arsimi, Ernest Koliqi, dërgoi në Kosovë qindra arsimtarë, ndër ta dhe Ndrecën, kurse pas afro 80 vitesh, nga Kosova do të vinte ministre Arsimi në Tiranë, një zonjë e re, Besa Shahini, që i ra barra të përballej me sfidën e tërmetit të nëntorit të kaluar, që rrafshoi jo pak shkolla, si dhe me pandeminë që i mbylli shkollat për disa muaj, por nuk e paralizoi arsimin, duke u gjetur forma alternative të mësimit në distancë.

Tashmë hapësira mbarëshqiptare është gjithë adresa sa i përket komunikimit dhe kontakteve arsimore, akademike. Pedagogë të Tiranës japin mësim në Prishtinë, Tetovë, Strugë etj. dhe anasjelltas. Ashtu siç studentë nga trojet shqiptare studiojnë në Tiranë, Shkodër etj. Shkëmbehen botimet e reja dhe kumtohet në konferencat shkencore të përbashkëta. Në Universitetin e Tetovës ata që venë nga Shqipëria mirëpriten gjithnjë nga profesori i letërsisë, dekani Fatmir Sulejmani, autor i shumë studimeve letrare. Edhe Hamit Xhaferi është profesor ordinar i këtij Universiteti, studius i gjuhës, letërsisë dhe folklorit. Ai së bashku me të vëllanë, Seadin Xhaferi, profesor ekonomie në të njëjtin Universitet, kohë më parë ishin në Shkodër në një veprimtari kushtuar Musine Kokalarit.

Çdo qytet ka pasur arsimtarët e vet në zë - për të përmenduar vetëm nga një përfaqësues - Korça Pandeli Sotirin, Puka Migjenin, Gjirokastra Thoma Papapanon, Shkodra Ndue Palucën, Vlora Jani Mingën, Tirana Ahmet Gashin (që e kishte pasur dhe Prishtina në fillimet e karrierës) etj. Shekulli XX krijoi një plejadë të shquar arsimtarësh, ndër të cilët dhe profesori i gjuhës, letërsisë dhe filozofisë në Seminarin Papnor të Shkodrës, jezuiti i paepur përballë dikaturës, At Pjetër Meshkalla, që ka “trashëguar” një shkollë në Shkodrën e sotme, me emrin e tij. Kur shuhen mësuesit e vjetër, qyteti, por dhe kombi humbet diçka nga vetja. Kanë kaluar shumë vite që kur nuk rron më profesor Bedri Dedja, akademik, shkrimtar, pedagog i shquar dhe në 90-vjetorin e tij, më 20 nëntor të këtij viti, nga Presidenti i Republikës u nderua me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ashtu siç njohësit e veprës së tij e risollën në kujtesë me nderim të madh në rrjetet sociale etj. Në korrik, në Durrës, u nda nga jeta mësuesi i njohur i matematikës, njëherësh kryetar i shoqatës “Durrësi”, Halil Myderizi. Bashkëqytetarët e tij me atë rast u shprehen se kurrë nuk do ta harronin, pasi ai me punën e tij kishte bërë krenar çdo durrësak.

2

Asnjëherë më shumë se këtë vit mësuesit nuk e kanë merituar çmimin e mirënjohjes dhe vëmendjen e shtetit e shoqërisë, pasi përballen dyfish me Covid 19, për vete dhe për nxënësit e tyre. Në kushtet e pandemisë mësimdhënia për ta është vërtet një mision. A nuk është mison iluminist dhe ai i mësuesve shqiptarë të diasporës, që kur ikën nga atdheu, lanë mbrapa shumë gjera të dashura, por morën me vete abetaret, në Amerikë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Angli, Gjermani, Greqi etj. Ja që dhe në kohë moderne, në zemër të Europës, u dashka të përsëritet Rilindja, ani se në një kontekst krejt tjetër. Kur është fjala për mirëqenien dhe edukimin e nxënësit, për mësuesin asgjë nuk është e tepërt. Mësuesit i marrin përdore fëmijët kur kalojnë mbi urat e fshatrave, në kohë stuhie, që të mos iu rrëshqasë këmba në dërrasat e kalbura. Ata ua masin tempraturën kur hyjnë në klasë dhe kujdesën që famijët të zbatojnë rregullat anti-codid. Ka qenë dhe një vit i errët, 1997-a, kur ata i “kontrollonin” në xhepa nxënësit që të mos hynin me shashka në klasë. Kurse për fëmijët me aftësi të kufizuar tashmë ka një kujdes dhe trajtim të posaçëm institucional në procesin mësimor. Është në natyrën e mësuesve thjeshtësia, modestia, përkushtimi ndaj mësimdhënies, mjafton të shohësh si ata i zhvillojnë orët e mësimit në RTSH, pa e harruar asnjëherë “dërrasën e zezë”, dhe kur ajo nuk është më vetëm tradicionalja. Shkolla shqiptare, gjithnjë e më tepër po përafrohet me kushtet dhe standardet e shkollave europiane, por që nxënësi të mësojë me kompetenca, sipas kurrikulave bashkëkohore, më parë “kompetencat” i zotërojnë mësuesit, si pararendës të zhvillimeve arsimore.

3

Askund historia nuk takohet me të sotmen sesa te shkolla. Në Pllanë të Lezhës mësuesit përpiqen që nxënësit të mos e braktisin fshatin dhe për më tepër Shqipërinë, duke qenë shembull në mësimdhënie, kurse veprimtarët e trashëgimisë kulturore, përmes një memoriali, duan të ringjallin kujtesën e shkollës shqipe të hapur aty në vitin 1638 nga etërit e kishës katolike. Ka një vazhdë të ndritur arsimore nga priftërinjtë mesjetarë, që kryen dhe rolin e mësuesit, te Mark Vuji, ish-drejtori emblematik i gjimnazit të Lezhës, që rron në kujtesën e lezhianëve si një edukator fisnik, metodist dhe studiues në fushën e pedagogjisë.

Ashtu dhe Frrok Gojani i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Shkrimtari Prend Buzhala shkruan se drejtori i tyre, në vitin 1968, i kishte ndihmuar ata, si rreth letrar, që të botonin revistën “Ylli” me krijimtari letrare. Por ajo që e ngre drejtor Frrokun në piedestal pavdekësie është rezistenca morale përballë regjimit jugosllav. Udhëzimet ishin që shkolla të ligjëronte në kor “për figurën madhore të shokut Tito”, kurse mësuesi atdhetar në vend që t’iu fliste nxënësve për udhëheqësin komunist, u kumtonte atyre për ilirët, Skënderbeun, Naimin, Mjedën. “Njerëz si mësues Frroku kanë lënë pas vetes dritën e arsimit, prandaj mbeten të paharruar”, shkruan Suzana Gjergji, përfaqësuese e gjeneratës së re të arsimtarëve të Kosovës.

Në njërën nga gazetat e ditës bie në sy një analizë e profesor Pëllumb Karametës për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit, duke renditur arritjet e deritanishme disavjeçare, që ai i quan “kilometri i parë”, çka do të thotë se janë vënë shinat dhe ka nisur rrugëtimi i përbashkët, për të vijuar me “kilometrat” e tjerë. E në këtë rrugëtim dituror mes shqiptarësh pa kufij, do të ishte në nderin e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe të Kosovës që të themelojnë Urdhrin e Mësuesit, si një titull nderimi e vlerësimi.

Pse jo? Klina e “vogël”, këtu na jep një mësim jo të vogël, kombëtar!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat