Fenomeni i bajraktarizmit te shqiptarët

Opinione

Fenomeni i bajraktarizmit te shqiptarët

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 19:47
Nexhmedin Saqipi

Ndjenja për të qenë i parë te shqiptarët, është e vjetër sa vetë historia e tyre. Këtë fiksim e kanë vërejtur edhe të huajt, që kanë pasur punë me shqiptarët si komb e si shoqëri.

Bajraktarizmi si sindrom është përcjell brez pas brezi, por kjo dukuri vjen më e theksuar në periudhën e pluralizmit. Marrim si shembull Shqipërinë, për të vazhduar me Kosovën dhe viset e tjera të etnikumit shqiptar.

Nga disa zgjedhje parlamentare në Shqipëri, elektorati është lodhur e mërzitur me spektrin politik të ndarë në dysh: të majtë e të djathtë, të cilët pas mbarimit të zgjedhjeve ndahen po ashtu në pozitë dhe opozitë.

Sa herë që zhvillohen zgjedhjet në këtë shtet shqiptar, ky proces kaq i rëndësishëm shoqëror, në vend se të pritet me gëzim si në vendet demokratike, ai përkundrazi pritet me trishtim. Kjo ndjenjë vjen si rezultat i mendësisë së keqe se vota mund të manipulohet, blihet e vidhet dhe për fat të keq, në krye të vendit mund të vijnë jo gjithmonë më të mirët.

Pas çdo procesi zgjedhor vjen në shprehje rezultati i kontestuar nga pala humbëse e cila assesi të pajtohet të mbetet opozitë, ajo jo vetëm që hidhërohet, por edhe bëhet pengesë e proceseve, duke i bllokuar ato për qëllime të caktuara.

Pa mbaruar mirë mandati, ata që mbeten në opozitë mendojnë për zgjedhje të reja, duke krijuar situata të pakëndshme në Parlament dhe në institucionet e dala nga vota e popullit. E vota e besimit të qytetarëve në vend se të respektohet nga të zgjedhurit, ajo keqpërdoret nga politikanët e papërgjegjshëm, të cilët nuk u përmbahen premtimeve elektorale se do të angazhohen për zhvillimin dhe përparimin e vendit.

Mentaliteti

I njëjti mentalitet ngjet edhe me krerët politikë të Kosovës, disa prej të cilëve të rrëmbyer nga ndjenja e bajraktarizmit, janë në gjendje të bëjnë të pamundurën për të qenë të parë në pushtet lokal dhe në atë qendror. Ata bëjnë çmos për t’u ngjitur shkallëve të pushtetit edhe pse disa prej tyre nuk e meritojnë fare të drejtojnë institucionet.

Mjafton të përmenden disa politikanë kontraverzë, të cilët për të arritur deri te posti i të parit të shtetit, nuk zgjedhin mjete dhe metoda, qoftë edhe jodemokratike. Por edhe kur e zënë atë vend, ata nuk janë të kënaqur, ngase nuk i ngopnin dot ambiciet për të marrë edhe poste të tjera në nivel qendror.

Një dukuri tjetër negative e këtyre politikanëve është se ata edhe kur ngriten në pushtet mendojnë për zgjedhjet e parakohshme, nga se nuk e kënaqnin ato të koalicionit, duke ëndërruar një pushtet mbi 50 për qind të subjektit të vetë.

Një tjetër dukuri mentaliteti të mbrapshtë, është edhe prirja për përbuzjen e individëve të cilët vetë i propozojnë për deputetë dhe këshilltarë dhe vetë më pas i përgojojnë, duke i quajtur të paditur, hajna, marifetxhinj e davallerxhinj. Këtë e bëjnë pa filluar ata të ecin në drejtimin për të cilin janë përcaktuar dhe më këtë bëhet e qartë sa ne jemi të gatshëm të mbështesim ata që i zgjedhim. Pra, vetë i zgjedhim dhe vetë i shkarkojmë, të cilët pastaj për inate dhe marifete të ndryshme kalojnë nga një parti në tjetrën për revansh dhe hakmarrje.

Me këso mentalitete shoqëria jonë gjatë nuk do të lirohet, për derisa një ditë nuk vetëdijesohemi si komb e si shoqëri.

Sindromi

Sindromi i bajraktarizmit, është duke i shkaktuar dëm shqiptarëve më shumë se sa nga çdo armik tjetër i jashtëm. Elektorati shqiptar, duke qenë peng i urrejtjes patologjike të liderëve politikë, të cilët më shumë angazhohen për pushtet se sa për shtet, i kanë sjell vendet e tyre para një kolapsi ekonomik dhe para një ngërçi politik.

Ky sindrom politik, për fat të keq, është duke u vërejtur edhe të shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata të Malit të Zi dhe te ata të Luginës së Preshevës, të cilët ndonëse mbajnë pushtet nga shtete joshqiptare, ata ngatërrojnë kompetencat, duke u marrë me punë globale e duke i lënë pas dore ato lokale, për çka edhe i kanë gëzuar votat e elektoratit.

Gjithnjë, duke qenë në shërbim të ndjenjave të bajraktarizmit, liderët qendrorë e lokalë shqiptarë, zhyten në veprime familjarizëm e nepotizëm, dukuri këto shumë të dëmshme, por edhe të rrezikshme për zhvillimin e shëndetshëm të proceseve demokratike.

Aktualisht viset shqiptare jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, janë duke u ballafaquar me ndjenjën e bajraktarizmit më shumë se kurrë njëherë më parë. Ata për një grusht pushtet, të cilin ia ofrojnë shtetet si: Serbia, Maqedoni a Veriut e Mali i Zi, janë në gjendje të shkelin mbi amanetin e të parëve, bujarinë, fisnikërinë e atdhedashurinë, vetëm e vetëm të jenë të parë nga komunat ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Ky lidership provincial, duke u thirrur në lokalizma, aq shumë e dëmton kauzën kombëtare, të cilën e përdor vetëm gjatë fushatave elektorale, por jo edhe gjatë qeverisjeve në praktikë.

Kompetencat

Njëra nga defektet e klasës politike shqiptare, është mosnjohja e kompetencave komunale me të cilat udhëhiqet ajo, ngase po të njëjtit njerëz i ke si në pushtetin lokal, po ashtu edhe qendror e nacional.

Nëpër komisione të ndryshme komunale e qendrore, po ashtu emërohen militantë partiakë, pa përgatitje të duhur profesionale e etike, ndërsa përfaqësuesit e shoqërisë civile, as që ftohen për t’i freskuar me ekspertë drejtoratet dhe departamentet përkatëse.

Liderët lokalë sillen si të jenë rajonalë. Ata shkelin kompetencat e pushtetit që drejtojnë, qoftë vetëdijshëm, qoftë pa vetëdije, për të manipuluar me qytetarët dhe për të përfituar votën e tyre. Me këto veprime ata jo vetëm që prishin imazhin e vendit të tyre, por edhe e defaktorizojnë vetveten, karshi pushtetit qendror.

Në këto veprime s’ka se si të mos bien në sy disa veprime, të cilat i tejkalojnë kompetencat komunale si ajo e shpalljes së qytetarëve të nderit, binjakëzimin e komunave e marrëveshje të tjera, të cilat më pas dështojnë si jo të qëlluara institucionalisht e profesionalisht.

Nuk mundet një bashkësi lokale ku do qoftë ajo, të sillet me kompetenca më shumë se sa një komunë apo republikë. Këtë e dinë mirë liderët politikë, por këto verime i bëjnë sepse janë të verbëruar pas posteve udhëheqëse e bajraktarizmit të trashëguar nga e kaluara historike e politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat