Kush është “besnikja” e madhe e LDK-së që para meje tallej me Isa Mustafën dhe çka më thoshte konkretisht për të!

Opinione

Kush është “besnikja” e madhe e LDK-së që para meje tallej me Isa Mustafën dhe çka më thoshte konkretisht për të!

Nga: Kimete Berisha Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 20:06
Kimete Berisha

Unë jam Kimete Berisha dhe lirisht më vrit!

Fjalët që pa një zor të madh s'do t'i kisha thënë (1)

1. I nderuari Kryeministër Avdullah Hoti,

Ju njoftoj se në emrin tënd personal, njerëzit e t'u po më bëjnë presion kurrë pa pushuar dhe po më kërcënojnë me lëndim shpirtëror dhe me largim nga puna shkaku i 'shkrimeve kundër' teje.

Me ta përmend emrin Ty, po më kushton shtrenjtë, me 'bukë' dhe me gjak.

Tash s'po di a me pi një kafe apo me vra veten!

Me vra veten ndoshta më mirë për mu', jam mërzit', të bëj be, u tepru, jam lodh... dhe mund të ndodh të takohem me Teki Dërvishin, i cili kur e zateti emrin e tij në një listë likuidimi, e botoi shkrimit:

'Pse duhet të vritet Teki Dërvishi'.

Ndoshta më mirë me t'lajmëru në polici. Nesër n'sabah.

S'po di.

Sepse unë kam shkruar edhe në kohën e Millosheviqit, kur s'ka pasur delikt verbal (edhe jam arrestuar nga policia serbe në Mitrovicë, ku më është konfiskuar fotoaparati dhe jam kërcënuar se herën tjetër nëse më zënë duke punuar do të zhdukem në bodrumin e stacionit të tyre policor...por s'jam ndalur, se s'jam 'normal''.

Atëherë, isha shumë e re dhe në një moment më ka pas shku' mendja me kcy prej ballkonit nga kati i katërt ku banonim në veri, pastaj me shku m'u strehu te Tezja Salë, sepse me rrogën time e mbaja krejt familjen (edhe sot e kësaj dite e papunë).

Por kam pasur fat të rritem nga do trima, do mangupa të pakompromis e do robijasha politikë, derisa më kanë stërvistur të mos dorëzohem pa ma nxjerr shpirtin.

Kam vazhduar me punën e gazetarisë...në luftë, me fotografi të masakrave në gjoks, autobus më atobus, katund më katund, të pame pas të pames në shtëpitë e shqiptarëve të vrarë nga policia serbe, kurrë pa u ndal.

E tash po më shkon mendja ose me lajmëru rastin 'tënd' në polici, ose m'u martu me naj djalë që ka pare.

Nuk mund t'ia lejoj vetes m'u tutë prej teje. S'ka logjikë. Më dukesh shumë 'i butë'.

Përveç pa bukë, mundeni edhe me më vra, lirisht, lejen time e keni. Mos më kurseni.

2. Si ngaherë, KEK-u e vjedh rrymën, e shet rrymën dhe trafoja kryesore e saj sot është në 'Hagë'.

3. Aq e komplikuar mund të jetë 'e vërteta' sa që Hashim Thaçit i nevojiten 5 avokatë për ta zbuluar pafajësinë e tij 'sekrete'.

Idea që të ketë 5 avokatë ishte biblike, për shkak të simbolikës.

Me 5 bukë Krishti i ngopi mijëra ushtarë (aq t'liga duhet të kenë qenë ato bukë, mos m'shti Zot n'gjynah).

Kurse shteti i Kosovës i jep 20 milionë Euro për 5 ushtarë të saj dhe krejt mbesin untë.

Se kur i pashë dhomat e burgut në Hagë, i përfytyrova xhipat e zi të Presidentit Thaçi kur parakalonte rrugëve të Prishtinës, të gjithë ia lëshonim rrugën, Elizabetës.

Është ndryshim i madh, tepër i madh.

Ky duhet të jetë dëshpërimi më i madh në jetë, që nuk e shëron as pafajësia.

Nganjëherë më vjen shumë keq për ta (sepse UÇK na e ka heq frikën nga Serbia)'.

4. PDK thotë se është 'viktimë' politike e Gjykatës Speciale, por nuk sillet si 'viktimë'.

E kanë shansin të duken 'të përndjekur', e jo qysh e kanë bë Televizionin Publik 'Ju flet flet Kosova e lirë', ta merr mendja na kanë rrethu.

Vonë është për gjithçka, edhe për me kërku' falje.

Çka i duhet sot Presidenti PDK-së!

PDK-në nuk e 'shpëton' më asgjë, përveç të sillet si 'e kryqëzuar'.

Nëse PDK nuk 'ngritet' sot në këmbë, si 'viktimë' politike, kur do të ngritet më, për cilën arsye!

Sheherlitë e PDK-së tash kanë luks të merren me bileta të autobusave (t'Prishtinës), me përmendore, me probleme komunale e me estetikë.

Këqyre veten Ti: Asnjë përmendore nuk mund të jetë më e shëmtuar se instalacioni i Hoxhës me antena satelitore në oborrin e Universitetit.

5. Viktimat e LDK-së po përmenden në Hagë, në aktakuzën kundër komandantëve të UÇK-së.

LDK gjithmonë ka mbijetuar si 'viktimë' duke bërë me gisht kah SHIK-u...lidhja mes tyre dhe PDK-sē gjithmonë ka qenë 'lidhje e sëmurë'...jonormale, dhe sot LDK po i shfrytëzon 'mbetjet' e PDK-së për ta shpëtuar qeverinë Hoti. Dhe po ka sukses.

6. Isa Mustafa shkëlqen më së shumti kur 'shtyhet' me gra.

I çelet fytyra, i qesh buza kur 'i tutën'.

Isa e njeh mirë 'terminologjinë e shamjes', ka sens për përlamje, ndërsa, kolegu i tij, Bajrami, s'kish talent as për armiqësi, duket si do 'lapera' nën Urën e Ibrit, sa herë i shan gratë kundërshtare.

Vjosën e quan të 'pabesë', por as nuk e ka haberin kur dhe në cilat raste përdoret fjala 'e pabesë', aq nën urë që është.

7. Tri herë jam ofenduar në jetë kur më kanë ngacmuar...herën e fundit në Tetor të këtij viti në Tiranë.

Një i moshuar me trenerka adidas (teget i dhezt) dhe kundra t'zeza, i gjatë e i drejt si qiri, ashiqare shihej se në komunizëm ka bë kërdi.

S'di mallin e kujt ia çova, m'u flug.

Ishte e dhimbshme ta shihje duke ecur me vrap pas meje.

Isha rrugëve të Bllokut, e kur mbërriva te një ëmbëltore, arriti ta zë hapin me mua.

Çfarë fati, more Zot. Gjithë ky mashkull, mua më fluget një plak me trenerka teget e me kundra t'zeza.

Po ku më gjeti bash mu...

Banor tipik i 'shtëpisë së gjetheve'.

Motra e pa që e 'dramatizova' pak dhe duke qeshur më tha: ia ke çu mallin e Vivien Leigh e vetja i duket si Clark Gable, prandaj... u hutua, iu përzien kohët...

...nëse është kështu e vërteta, në rregull- respekt.

Anipse, Clark Gable në fund e braktis Vivien Leigh me lamtumirën e shekujve...po nejse...

Kryesore Vivien ka faj. Kryesore unë kam faj.

Është jetike për mua që në fund unë të jem fajtore.

7. Në Tiranë e kam gjetur mëshirën që e kam humbur në Prishtinë.

Binte shi i rrëmbyeshëm Tetori 2020, një plak flinte te shkallët e një banke.

U 'gëzova' shumë që më 'më erdhi gjynah prej tij'.

U gëzova shumë që po ndjeja mëshirë përsëri.

Po ndjej. Lumja unë, përsëri.

Se zemrën gur ma keni ba.

N'atë t'nxehtë desha t'i shkruaj Erionit (se e kam shok), ta lus aman gjeja një strehë, por...s'di çka ndodhi...u gëzova për vete që po ndjej mëshirë përsëri dhe...u habita..u mjaftova...harrova.

Të nesërmen u ktheva në Prishtinë.

Te rruga B në mbrëmje e pashë një lypësar të shtrirë në trotuar. Nuk dihej në ishte gjallë. Askujt nuk i linte përshtypje. As mua.

Nuk ndjeva asgjë.

Në Prishtinë e humba përsëri mëshirën që e rigjeta në Tiranë.

Nganjëherë nuk jam njeri i mirë.

Askush gjatë gjithë kohës nuk është njeri i mirë.

8. As Ibrahim Rugova.

Ia marr inat, kur më bjen në mend marrëveshja që e bëri gjatë luftës (28 Prill 1999) me kryetarin e Serbisë, Millan MIllutinoviç, po shyqyr që rrallë më bjen në mend ajo datë.

Dhe kërkesa e tyre e përbashkët që të ndalen sulmet e NATO-s, është kërkesa më e keqe dhe më e pastudiuar në histori.

Por, pastaj më hiqet inati dhe më kthehet simpatia për të, sepse shpirti i ëmbël, s'ka pas çare në një moment pa gabuar.

As ai nuk e kishte lehtë. Ishte i vetmi president në botë i robëruar.

9. Edhe Elvis Naçi më ka zhgënjyer pak.

Por ende e kam simpati.

Më ka zhgënjyer pak për shkak se dyqanin e tij të syzeve e pagëzoi me superlativin 'Elite', pra syzet e tij mund t'i blejnë veç shtresa e zgjedhur, elita, dhe se ato syze s'janë për njerëz të thjeshtë.

Të zgjedhurit e Zotit, më së afërmi Zotit, më afër se pejgamberët, janë 'dijetarët', e ata zakonisht i blejnë syzet në treg.

Sipas fesë, njerëzit janë të barabartë...në dyqanin e syzeve.

10. Me shkrimet e mia kam tërhequr edhe dashuri. Më shumë marr letra dashurie sot sesa kur isha në gjimnaz.

Deri tash asnjë letër nuk ia ka qëlluar në shenjë.

Shumica kërkojnë 'dashuri me tas'...të dashuruarit janë lypsarët më të mëdhenj.

Te Osho, e kam lexuar këtë letër (fantastike) të dashurisë që Patrici ia ka dërguar Marcias:

'E dashura ime Marcia, për hatrin tënd unë do të ngjitesha në malin më të lartë,

do të notoja në oqeanin më të furishëm.

Do të përballoja çdo vështirësi, vetëm për të qëndruar një çast pranë teje.

Patrici yt besnik.

(Do të vijë të takojë të premten në darkë në qoftë se nuk bie shi) .

11. Por Letra më e bukur në jetë më ka ardhur gjatë luftës, nga qielli.

Të rrethuar anë e katër anë nga snajperistët serbë, në kulmin e dëshpërimit dhe dorëzimit, disa letra si prej Zotit kanë pikur prej qielli.

NATO ua tërhiqte vërejtjen forcave serbe me porosinë 'e dimë që po e mbani të rrethuar popullatën'.

12. Në luftë, Blerim Kuqi e kishte emrin Komandant Lisi.

Lisi operonte kundër armikut në Njësitin 'Kitrat'. Zakonisht kitrat hipin nëpër lisa për t'u fshehur nga armiku (se ai që e ka pas njet me luftu e ka ditë që njeri hip n'lis kur do me ikë prej 'lope' shembull).

Lis më lis e dru më dru, tash Blerim Kuçi ka hipur familjarisht në ministrinë e zhvillimit ekonomik.

Është edhe ministër i ambientit, shkaku se ambienti kombinohet me emrin e tij.

Q'yky Blerimi që paraqitet 'trullq', është milioner, si ministër i zhvillimit të ekonomisë familjare ia ka dhënë me tender firmës së tij personale 5 milionë euro, por ama Kryeministri nuk është i sigurt se a është ky konflikt interesi a jo.

Enigmë e madhe, kaq temë e rëndë është kjo për t'u pleqnuar edhe nga antikorrupcioni.

Duhet të jesh super i ligë që të bëhesh kinse nuk e kupton se ministri nuk i merr tenderat për vete!

Por, Lisi të cilin e kanë përqafuar Albini me Shpejtimin, nuk ka lidhje me Blerim Kuçin.

Përqafimi i lisit praktikohet gjithkund në botë se edhe lisi 'ndjen' dhe ta kthen përqafimin me të mirë. Asgjë nuk gabon me përqafu lisin, bile po të garantoj se të bjen më mirë se me përqafu njeriun.

Mundesh edhe m'i fol lisit, është sevap.

Bile, pas përqafimit, mundesh me organizu edhe 'banja kolektive' nëpër male, është mirë për nerva.

Do ta kishim përkrahjen edhe të Isa Mustafës, i cili si kryetar i Prishtinës ishte i flaktë për hamamin, dhjetë vjet investoi n'hamam.

13. Ramushi më i mençuri, u kënaq grykësi, e hëngri t'gjalltë, e ka hetu që LDK-ja s'pyet për çmim...kur vjen puna, sa kushton pushteti.... T'i thanë paret n'dorë.

PS. 1. Ndërsa sot, e mora ftesën më domethënëse deri tash.

Më tha një burrë: 'A kapemi për dore e shkojmë bashkë në atë dynja'.

Suphan allah!

Më ndodhi edhe kjo 'Ftesë për të vdekur bashkë'.

Me paramendu e paramendova qysh ish dukë në sy t'hallkut ai udhëtim.

Propozuesin e lash 'varur'.

P.S. 2

Vazhdon:

Meqenëse dy duar për një kokë, do t'më duhet të bëhem e poshtër:

1. Kush është 'besnikja' e madhe e LDK-së që para meje tallej me Isa Mustafën dhe çka më thoshte konkretisht për të!

2. Kush është qeveritari që çdo natë flet me shpirtëra që nuk ekzistojnë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat