Shteti policor vs Shtetin ligjor: Policimi i politikës dhe politizimi i policisë

Opinione

Shteti policor vs Shtetin ligjor: Policimi i politikës dhe politizimi i policisë

Nga: Prof. Lisen Bashkurti Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 13:59
Prof. Lisen Bashkurti

Shkrepja e armës së shtetit policor mori jetën e pafajshme të një qytetari shqiptar 25 vjecar, gjaku i të cilit po shkakton dhimbje të thellë dhe revoltë të jashtzakonshme mbarë qytetare. Shqipëria është në rrugën e rrëshqitjes nga shteti ligjor në shtetin policor. Ky proces regresiv antidemokratik tanimë po shpërthen rrugëve.  Protestat që po kaplojnë vëndin ditët e fundit në Tiranë, Shkodër, Korcë, Bulqizë, Lezhë vetëm sapo e vënë në dukje publikisht kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht këtë rrëshqitje shumë të rrezikshme për demokracinë, stabilitetin dhe paqen sociale në vënd. Ky është vetëm fillimi i një revolte shoqërore. Fundi i saj nuk dihet nga askush. Ajo që dihet është fakti se Shqipëria nuk mund të ecë më në këtë rrugë pa krye.

1. Policimi i politikës

Policimi i politikës do të thotë heqje dorë e politikës nga vlerat, parimet dhe normat e demokracisë liberale, të lindura në një rrugë të gjatë mbi dyqind vjecare nëpër rrugët e Francës së Versajës në shekullit 18-të dhe të ndritura në betejat Amerikane të luftës civile përgjatë shekullit 19-të. Këto vlera, parime dhe norma tanimë njihen dhe dëshirohen së tepërmi edhe nga populli shqiptar, i cili po bën tridhjet vjet që stërmundohet për triumfin e tyre në Shqipëri. Mjerisht, në këto vitet e fundit, vlerat, parimet dhe normat demokratike liberale në Shqipëri po zbehen, duke u injoruar, shkelur dhe braktisur nga qeveria aktuale dhe politika publike përgjithësisht. Janë katër parime të larta të qeverisjes demokratike liberale që qeverisja aktuale dhe politika publike nën drejtimin e saj po shkel në Shqipëri.

Mungesa e legjitimitetit qeverisës solli policimin e saj dhe të politikave publike. Në mënyrë të vecantë duke nisur nga zgjedhjet e vitit 2017 dhe në mënyrë edhe më flagrante në zgjedhjet lokale të vitit 2019, institucionet qeverisësë në Shqipëri, parlamenti, qeveria dhe pushteti vendor kanë humbur legjitimitetin. Ato nuk përfaqësojnë më vullnetin politik të qytetarëve të Shqipërisë, por thjeshtë përfaqësojnë pyshtetin e ardhur nga krimi i organizuar që gjatë zgjedhjeve prodhoi kërcënim, presion, dhunë e manipulim dhe nga korrupsioni i lartë, që në zgjedhje prodhoi shit-blerje, vjellje dhe deformim flagrant të vullnetit politik mbarë qytetar. Një pushtet i ardhur mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant natyrshëm qeveris me policim të politIkës, pra me dhunë, forcë, kërcënim e shantazhim të qytetarëve.

Mungesa e transparencës qeverisëse ushqen policimin e politikës. Vecanërisht në këto katër vitet e fundit nisur nga zgjedhjet e vitit 2017 dhe në mënyrë edhe më flagrante në zgjedhjet lokale të vitit 2019, institucionet qeverisësë në Shqipëri, parlamenti, qeveria dhe pushteti vendor kanë fshirë parimin e transparencës në politikat publike. PPP-të, koncesionet, monopolet, ekskluzivitetet, gjobat e kërcënimet mbi biznesin e ndershëm e mbi qytetarët e thejshtë dominojnë financat publike, politikat tatimore dhe fiskale, që së bashku me financat e oligarkisë-private, trafiqet e paligjshme, larjen e parave e turlilloj transaksionesh financiare e kanë shndërruar botën ekonomike e financiare shqiptare në një hapsirë horrori policor. Hapja rrugë korrupsionit galopant ka bërë inkriminimin e të dy sektorëve, publik dhe privat, duke sjellë kështu përmes policimit të politikave publike e private ekonomike e financiare shkeljen e dhunshme me forcë, imponim, presion, shantazhim të interesave kombëtare dhe qytetare, publike e private në ekonomi e financa.

Mungesa e përgjegjshmërise e llogari-dhënies është dëshmi e qartë e policimit të politikës, pra të qeverisjes qëndrore dhe vendore dhe politikave të tyre publike. Përgjegjshmëria dhe llogari-dhënia, si një parim i lartë i demokracisë liberale gradualisht po zëvëndësohet nga mashtrimi publik, nga tallja me premtimet, nga propaganda e manipulimi zyrtar e mediatik. Është një proces helmatosës sistematik mbi opinionin publik kombëtar dhe një tentativë për të ndikuar edhe mbi atë ndërkombëtare në rrugë e forma të ndryshme. Fjala e lirë shprehja e lirë po burgosen me prangat e mashtrimit, propogandës dhe manipulimit. Ky është një policim i rëndë i qeverisjes dhe politikave publike në vënd. Prangat e mashtrimit, agresviteti i propogandës dhe imponimi i manipulimit janë po kaq të dhunshme sa edhe vetë represonin policor.

Mungesa e parimit të lartë të gjithëpërfshirjes në politikë-bërje dhe vendim-marrje shënon një shkallë të lartë të policimit të qeverisjes dhe politikave publike. Shqipëria po qeveriset nga pak koka, po drejtohet nga pak individë, po vidhet nga pak duar, po varfërohet nga pak njerëz. Me pak fjalë vëndi është nën sundimin e dyshes politikë-mafia që lufton me dorë të hekurt në të njëjtin territor e mbi të njëjtën popullsi, herë në konflikt dhe herë në marrëveshje midis tyre. Simbioza politikë-mafia është një kleptokraci që nuk lë asnjë hapsirë për aktorë dhe faktorë politikë a social, publik e privat që të mund të përfshihen në politikë-bërje dhe vendim-marrje. Lidhja politikë-mafia është shkalla më e lartë e policimit të qeverisjes dhe politikave publike, kur pak duar hajdutësh dhe kriminelësh i imponohen qeverisjes së vëndit me mjete, rrugë e metoda aspak demokratike, por të imponuara dhe të dhunshme.

2. Politizimi i policisë                               

Policimi i politikës, pra zëvëndësimi i parimeve qeverisëse dhe politikave publike të demokracisë liberale me politikat pa legjitimitet, pa transparencë, pa përgjegjshmëri e llogaridhënie dhe pa gjithëpërfshirje shoqërohet pashmangësisht edhe me politizimin e policisë. Politizimi i policisë është drejtimi, menaxhimi dhe operacionalizimi i policisë së shtetit dhe të qytetarëve nisur nga interesat e ngushta politike të pushtetit aktual. Duke pasur parasysh se pushteti aktual, qeveria dhe instrumentat e saj politik janë në pak duar dhe mbrojnë pak interesa politiko-mafioze në vënd, për konseguencë edhe policia e shtetit dhe e qytetarëve po shndërrohet gradualisht në instrument i simbiozës politiko-mafioze në vënd.

Këtë devijim shumë të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri po e vëmë re në rritje. Nxjerrja e policisë së shtetit me drapër në dorë duke korrur kanabisin e trafikantëve, duke mbështetur eskavatorët në prishjet e banesave të qytetarëve, duke dhunuar studentët e qytetarët në mënyra aspak proporcionale, duke arrestuar e hetuar pa urdhër të prokurorisë e vendime gjykatash, duke cënuar privatësinë e banesave dhe bizneseve private, duke rrahur dhe arrestuar gazetarë, duke përdorur gaz-lotësjellësh në mjedise publike dhe private e deri tek rasti kulmor i qëllimit me armë prapa shpine të një qytetari të pafajshëm duke i marrë jetën-dëshmojnë se policia e shtetit ka dalë nga binarët e ligjit, të statusit, të misionit dhe të funksionit të saj  dhe është vënë nën sundimin e pushtetit politik dhe interesave të tij politiko-mafioze.

Politizimi i policisë është helmatosje e kësaj strukturë të zbatimit të ligjit në mbrojtje të rendit publik dhe të qytetarëve. Helmatosja politike e policisë së shtetit është kërcënim i rëndë për ekzistëncën dhe funksionimin e demokracisë në Shqipëri, është shmangje e plotë nga shteti logjor, është injorim dhe dhunim i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe vjedhje e plackitje e ekonomisë publike dhe private nga kleptokracia politike-oligrarkike-mafioze në vënd.

Arma e shtetit policor mori jetën e pafajshme të një qytetari 25 vjecar në Tiranë me 8 dhjetor 2020. Gjaku i viktimës së pafajshme ka shkaktuar dhimbje të thellë dhe revoltë të jashtzakonshme mbarë qytetare. Shqipëria po rrëshqet nga shteti ligjor në shtetin policor. Kjo rrëshqitje është shumë të rrezikshme për demokracinë, stabilitetin dhe paqen sociale në vënd. Protestat e ditëve të fundit të qytetarëve të revoltuar kanë pushtuar sheshet e Tiranës dhe të disa qyteteve të tjera në Shqipëri janë të drejta, të arsyeshme dhe të dobishme për demokracinë në vënd. Ato, ndonëse të paorganizuara mirë, disi kaotike dhe herë-herë të dhunshme, në thelbin e tyre janë një denoncim i plotë dhe thirrje e fortë kombëtare e ndërkombëtare për gjëndjen në të cilën po rrëshqet Shqipëria, nga shteti i së drejtës drejt një shteti autoritarist policor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat