Disa krerë të LPK-së, hafije të UDB-së

Opinione

Disa krerë të LPK-së, hafije të UDB-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 18 dhjetor 2020 Në ora: 08:25
RTK, me stafin e tij militant partiak, është bërë tellall i forcave të errëta të shoqërisë në Kosovë, shpërdoruese e skajshme e besimit të qytetarëve të Kosovës dhe Shqiptarisë mbarë. Ky medium, në vijimësi, përzgjedh fytyra të urryera nga populli, të inkriminuara në hajni, haraç dhe deri në vrasje, me dosje e kartelë burgu, u jep hapësirë të bollshme, me përsëritje, deri në neveri. Si i tillë, reformimi i RTK, me statut dhe ligj të përcaktuar medial, bashkëkohorë, është domosdoshmëri.

Së fundi, LVV ngriti mocion për shkarkimin e Bordit të RTK-së, duke e akuzuar si tellall të qeverisë, me anëshmëri të theksuar partiake për PAN-in kiminal. Nismë e mbarim të ditës, madje, tërë natën, dezinformon opinionin, duke provokuar popullin, me paratë e të cilit financohet. Të paguajsh falsifikatorët e historisë së djeshme dhe të sotme, bëhesh pjesë e krimit të tyre.

RTK sulmon në mënyrën më ideoteske Gjykatën Speciale, edhe pse ajo është krijuar me votën e deputetëve të Kosovës. Qëllimisht, falsifikon dhe identifikon UÇK-në, me individë të akuzuar për krime të pretenduara. Kjo po dëmton seriozisht luftën e drejtë dhe mbrojtëse të popullit tonë dhe po ndihmon Serbinë, për ta akuzuar UÇK-në, në vend që të lokalizojë krimet e mundshme tek individët. 

Është bërë zëdhënëse e disa anarkistëve të OVL të UÇK-së, shumica absolute veteranë të rremë, të cilët zhvatin, falsifikueshëm, buxhetin e verfër të Kosovës tonë të përtokur nga krimi i organizuar dhe hajnia zyrtare e "komandantëve" mujëshorë e rrugaçë të pacipshëm.

RTK sjell në ekranin e tij llumin e shoqërisë shqiptare. Kujtoni gjeneralin kuksian Kudusi Lame, kreun e SHISH-it, kreun e krimit, Fatos Klosin si dhe bashkëpunëtorët e tij të zi, identifikohen me vrasjet politike, të nismuara në Shqipëri. Ata janë me dhjetra, por, ne, po citojmë vetëm disa syrësh:

Gazetari Ali Ukaj, i vrarë mizorisht në Tiranë më 1997; ministri i luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, i ekzekutuar zyrtarisht në Tiranë, shtator 1998; shefi i Emërgjencës të luftës, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Mala, të ekzekutuar në aksin rrugor Qafë-Mali - Fierzë; vrasja e Rushit Elezit, kontraktor i kampit ushtrimor në Kolsh dhe Kalimash; ekzekutimi dhe zhdukja e kufomës të kuadrit ushtarak, Sadri Ramqaj; vrasja në rrugën Qafë-Mali - Fierzë e kuadrit ushtarak të Kosharës, Qazim Jakupit dhe Muharrem Tafës, kontraktor i kampit ushtarak, në Papaj, Tropojë dhe të tjerë të zhdukur.

Tendenca e RTK, për të mohuar burgjet rurale në territorin e Shqipëtrisë, është e dështuar. Përveç atyre, që u mbytën në torturë e sipër, kanë mbijetuar të dajakosurit, të terrorizuarit në Cahan, Has të Kukësit dhe gjetkë. Dëshmitarët vuajtës, në mes tyre Imer Imeri, vëllai i arsimtarit të ekzekutuar, Haki Imeri, janë fiksuar në ekranet televizive, duke përmendur emra sadistësh torturues, të cilët i ka dënuar Gjykata e Kosovë. Por, edhe ushtarakë fisnikë, siç është Haki Drenica, të cilët i kanë shpëtuar në rrugë e sipër për ekzekutim.

Në Kosovë janë shënuar 430 masakra. Në vend që të evidentohen, të faktohen dhe sistemohen në dosje, për akuzë ndërkombëtare, falsifikueshëm, RTK  i quan "beteja heroike, ku UÇK-ja vrau shumë qindra ushtarë armiq!" Gënjeshtra! Kujtoni plojën në Lugështajën e Gorozhubit, kur në një pritë, nga të dy shpatët, kriminelët serbë vrasin 41 ushtarë, përfshirë edhe komandantin tyre dhe duke plagosur e sakatosur dhjetra të tjerë, në pamundësi për rezistencë dhe kundërpërgjgje. Ndërkohë, RTK falsifikon se "u vranë dhjetra armiq serbë!"

RTK vazhdon ta transmetojë një dokumentar, tërësisht, të falsifikuar, për të bëmat e dëshmitarit të mbrojtur, nga Gjykata Speciale, Nazim Bllaca, anëtar aktiv i SHIK-ut. Qëllimi është ekstremisht i poshtër. Duan ta rehabilitojnë SHIK-un kriminal, duke i konsideruar dëshmitë faktike të Bllacës si pjesë e bandës vrastare të kundërshtarëve politikë. Njëherësh, Gjykatën Speciale ta paraqesin si gjykatë të Serbisë dhe, kinse, po fabrikonë akuza për "çlirimtarët tanë!"

Vrasjet e organizuara dhe të komanduara, nga hiç më pak se nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, tani, i faturohen Nazim Bllacës, edhe pse ai nuk i njihte fare viktimat e tij. Shefi i Shtabit, Azem Syla, urdhëron Bllacën:

"Merr skorpionin, ekzekutoje Ibush Kllokoqin!"

Nazim Bllaca: "Pse bash unë ta vrasë?!"

Azem Syla: "Të gjithë duhet të vrasim!"

Dhe, Bllaca me shokë, e ekzekutoi Kllokoqin, në prezencë të familjes së tij. Ndërsa RTK, edhe pse i dinë këto fakte, i heshtë, përfshirë edhe shefin e Shtabit, por, veçon vetëm Nazim Bllacën. Dëshmitë e tij kanë rezultuar të sakta, në të tri gjyqet e organizuara nga gjykata e Kosovës, ku janë dënuar tre grupe kriminelësh. Dy prej tyre, pjesë e bandës vrastare të Drenicës, i ka liruar, me falje të dënimit, presidenti Thaçi, një ditë para arrestimit nga Gjykata Speciale!

Disa krerë të LPK-së, hafije të UDB-së

Tashmë, dihet se disa nga krerët drejtues të LPK-së, kanë qenë argatë të UDB-së jugosllave dhe, me vonë, të BIA të Serbisë. Trinomi LPK-Sigurimi Shqiptar-UDB-a, me derivatët e saj, kanë funksionuar mrekullisht mirë. Sabotuan kontributet për Kosovën; bashkimin e faktorit ushtarak; sabotimin dhe dështimin e luftës të organizuar. Ndërsa Bllaca është një hafije i vogël i Serbisë, në krahasim me krerët e LPK-së. Këtë fakt, RTK- defatorja e qeverisë, e heshtë!

Për marrjen e pushtetit me dhunë, kopjuan Partinë Komuniste të Enver Hoxhës, organizuan vrasjen e ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; të kundërshtarëve politikë, kryesisht, veprimtarët e LDK-së. Por, edhe vrasjet brenda llojit, të prirë nga Behajdin Hallaqi, Ismet Jashari-Kumanova me shokë.

Në dokumentarin paçavure, kundër Nazim Bllacës, dezinformimi, falsifikimi, shtrembërimi i fakteve, bënë efektin e kundërtë, sepse dëshmitë e dhëna nga ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, janë identike me ato të Bllacës. Agjentët zyrtarë të UDB-së, tashmë, të ekzekutuar, ishin shefa të dikurshëm të disa krerëve të LPK-së, prandaj edhe u vranë, për t`i fshehur gjurmët. Kllokoqi ishte në kontakt me kreun e SHIK-ut, Kadri Veseli dhe e kishte "besën" e tij se nuk do të prekët. Siguri të njejtë ka pasur edhe Selim Brosha me shokë.

Thënë troç: RTK, me stafin e tij militant partiak, është bërë tellall i qeverisë dhe i forcave të errëta të shoqërisë në Kosovë, shpërdoruese e skajshme e besimit të qytetarëve të Kosovës dhe Shqiptarisë mbarë. Ky medium, në vijimësi, përzgjedh fytyra të urryera nga populli, të inkriminuara në hajni, haraç dhe deri në vrasje, me dosje e kartelë burgu, u jep hapësirë të bollshme, me përsëritje, deri në neveri. Si i tillë, reformimi i RTK, me statut dhe ligj të përcaktuar medial, bashkëkohorë, është domosdoshmëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat