Dilema e rugovistëve dhe preferenca e klanistëve

Opinione

Dilema e rugovistëve dhe preferenca e klanistëve

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 23 dhjetor 2020 Në ora: 17:28
Dilema e rugovistëve dhe preferenca e klanistëve

Çështja e trashëgimisë të LDK-së, u hap, kur më e votuara e këtij subjekti, Vjosë Osmani, u përjashtua nga strukturat e partisë, në mënyrë banditeske e rrugaçërore, vetëm për ta eliminuar në konkurrencën e ligjshme për kreun e LDK-së. Në Çarshi flasin se pas shuarjes fizike të kryezotit Rugovë, për eliminimin politik të kuadrove, përdorën metoda komuniste, me elemente edhe të një fashizmi të moderuar!

Përfaqësuesja e brezit të Republikës, Vjosë Osmani, njëherit, edhe e reformistëve, është zotuar për ta kthyer frymën rugoviane në parti, të cilën e kanë bjerrë krerët uzurpatorë të dhunshëm, të paligjshëm, sepse nuk patën guximin të provohen me votën e lirë, të fshehtë demokratike. Kjo frikë u rezervoi një fund të palavdishëm, sepse dëmtuan, deri në degradim partinë, dikur, zëmadhe, Lidhjen Demokratike të Dr. Rugovës.

Deklarimi pretendues dhe shumë domëthënës i Vjosë Osmanit, ka vënë në dilemë rugovistët e saj dhe tërë elektoratin e LDK-së, përveç klanistëve të Isa Mustafës, të cilët, zgjidhjen klishe, preferencën për PAN-in, e kanë të gatshme. Dhe, assesi, nuk merakosën për tkurrjen, rrjedhën e elektoratit të LDK-së. Mjafton me kaluar pragun zjedhor dhe koalicionin me partitë-banda të PAN-it e kanë të prenotuar, abonuar.

"... Kjo ka qenë zgjidhje e LDK-së apo logos, që për momentin e kanë njerëzit, që janë në lidërship, por, votuesin e LDK, dihet, që e prfaqësoj unë", - deklaron, bindshëm e krenarisht, luftarakja rugoviste - Vjosë Osmani.

Rugovistët e Vjosës, duke e miratuar deklaratën e Shefës së tyre, e arsyetojnë atë, se, vërtet, uzurpatorëve u ka mbetur vetëm logoja e LDK-së. Përndryshe, kanë rrënuar të gjithë trashëgiminë e shenjtë, të krijuar, ndër vite, nga Presidenti Rugova me shokë, edhe në kushtet e përgjakjes së madhe millosheviçiane dhe të "komandantëve" shqipfolës vendorë! Të anatemuarit nga klani Mustafa, tashmë, të renditur përkrah Vjosë Osmanit, akuzojnë dhe dënojnë lidërshipin aktual të LDK-së, për devijimin, deri në braktisjen e tërësishme, të parimeve të përcaktuara, qartazi, nga kryetari Rugovë:

1) Klanorët kanë ndryshuar statutin e LDK-së, me qëllim të monopolizimit të partisë;

2) Kandidimin për kryetar të LDK-së, në qendër dhe bazë, paraprakisht, duhet siguruar 50+1% të votave të delegatëve;

3) Dhënia e kompetencave, madje, tej mbretërore, kryetarit, si propozimi të 2/3 të anëtarëve, për të gjitha strukturat e partisë;

4) Emërimi i deputetëve, ministrave, zv.ministrave, drejtorëve dhe të kuadrove të tjerë;

5) Degradimi i sistemit zgjedhor: përjashtimi i debatit, shmangia e konkurrencës, braktisja e votimit të fshehtë, për të gjitha strukturat e partisë, në bazë e qendër dhe zëvendësimi me aklamacionin komunist; 

6) Shkelja e porosisë-amanet e DR. Rugovës: "Të mos lejohet ngritja në poste e Hashim Thaçit, sepse është i rrezikshëm për Kosovën". Por, Isa e zgjodhi, hiç më pak se president; 

7) Klani i LDK-së, i nxitur nga Hashimi, thjeshtë, për interesa personale të tij, ka firmosur Asociacionin dhe Demarkacionin, që përbën vepër penale, me elemente të bollshme të tradhtisë kombëtare;

8) Klani i LDK-së ka kontribuar në mbajtën në pushtet të partive të krimit, përkatësisht, të PAN-it; 

9) Klani brenda Kryesisë të LDK-së, ka seleksionuar dhe larguar rugovistët e dëshmuar, të cilët, ndër vite, janë përndjekur nga bandat e Millosheviçit dhe ato të SHIK-ut, "Shqiponjave të Zeza", pjesë e partive të PAN-it. Hakmarrja ndaj rugovistëve, që nuk aprovuan dhe nuk votuan koalicionin me PDK-në dhe Hashimin president, dëshmon degjenerimin e LDK-së, vartësinë faktike ndaj PDK-së dhe Hashimit, njëherësh, një mujëshi, në përmasat e një rrugaçërie unike, që duhet të zgjojë përgjumjen e turpshme të një partie akademike!

Rugovistët e Vjosë Osmanit, bazuar në 9 (nëntë) shkeljet devijuese të rënda, kundër-Rugovë, madje, secila syrësh më e rëndë se tjetra, mendojnë se Isa Mustafa me klanorët e tij, kanë humbur të drejtën morale dhe faktike, për t`u thirrur në emrin e Rugovës dhe të partisë së Tij - LDK-së.

Logoja - LDK -, armë e lidërshipit, për eliminimin politik të rugovistëve

Sipas rugovistëve të Vjosë Osmanit, logoja e LDK-së, tashmë, e uzurpuar dhunshëm, assesi, nuk është alibi e klanorëve të Mustafës, për të pretenduar në përfaqësimin e elektoratit rugovian, përkatësisht, të LDK-së. Nisjativa jonë, thonë rugovstët, - LIDHJA DEMOKRATIKE E RUGOVËS (LDR) -, do ta përfaqësojë, denjësisht, elektoratin e LDK-së, rugovistja më besnike e parimeve të Presidentit Rugova, Vjosë Osmani.

Dilema e rugovistëve është ruajtja e elektoratit rugovian, i cili, në saje të politikës rrënuese të klanit Mustafa, ka pësuar rënie rapide. Është organizimi i ri politik - LRD, që krahas çkapjes së shtetit, parësi do ta këtë ribashkimin e elektoratit rugovian, besimin e të cilit e shpërdori, skajshëm, klani i shantazhuar nga PAN-i dhe SHIK-u i saj.

Përkundër dilemës fisnike, të rugovistëve të Vjosë Osmanit, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, me klanin e tij, preferencë ka aleancën e PAN-in, sigurimin e koalicionit me atë. Bazuar në faktet e këtij 10-vjeçari, sjellja e klanorëve brenda Kryesisë të LDK-së, ka abuzuar me elektoratin rugovian, ka shkelur premtimet, ka mashtruar votuesit, rrjedhimisht, ka irrituar elektoratin. 

Andaj, sipas rugovistëve, logoja LDK është konsumuar, është boshatisur nga vlerat e djeshme dhe përdoret për interes, konsum, hipokrizi. Argatët e PAN-it, brenda lidërshipit të LDK-së, kanë thelluar bizneset e pista, sidomos me PDK-në, kanë krijuar ndërvartësi reciproke. Mashtrimi i turpshëm i klanorëve të Mustafës, ishte premtimi për çkapjen e shtetit. Ndërkohë, sakrifikuan "koalicionin e shpresës" me LVV, për t`u koalicionuar me partitë e refuzuara nga populli i Kosovës, për krim të organizuar dhe hajni galopante zyrtare, duke i kthyer "partizançe" në pushtet, jashtë çdo norme demokratike, jashtë votimit popullor. Lutje 6-mujore bëri kreu i LDK-së edhe për hyrjen në koalicion të partisë prijëse të krimit - PDK.

Rugovistët e Vjosë Osmanit, i bëjnë thirrje elektoratit të LDK-së rugoviane, ta aktivizojë mbamendjen përgjatë tej tri dekadave dhe të reflektojnë. Kush, pas Rugovës, mbrojti, guximshëm e dinjitetshëm, parimet rugoviane më mirë se sa Vjosë Osmani? Absolutisht, askush! Ajo u përball stoikisht me një president batakçinj, që, për interesa personale, kishte vënë në ankand tokat e Kosovës. Pjesë e së keqes, në realizimin e planeve errëtake të Hashimit, u bënë edhe Mustafa, Hyseni dhe klani "aminxhinj" i tyre. 

Klanorët e LDK-së, pas Rugovës, janë mësuar t`i eliminojnë, një nga një, apo në gup, kundërshtarët e tyre rugovistë, gjithnjë, duke e përdorur, falsifikueshëm, logon e LDK-së. Edhe pse krerët e LDK-së, me klanistët e tyre, në vijimësi, thirrën në strukturat e LDK-së! Ndërkohë, përtej një dekade, këto struktura përdoren si kondomë të kryetarit të partisë, të cilit ia mundëson statuti i ndryshuar i LDK-së, enkas, për sundimin mbretëror të kryetarit të partisë.

Për fund, rugovistët bëjnë pyetjen e drejtëpërdrejtë: A do të vazhdojë elektorati i LDK-së ta ruajë statusquon e kapjes të shtetit, me shpërblimin për klanorët e LDK-së, për t`u koalicionuar me partitë e PAN-it? Apo do ta vlerësojë dhe mbrojë përfaqësuesen e Brezit të Republikës, reformatoren rugoviste, Vjosë Osmani, për ta bërë kryezonjë partinë e Presidentit Rugova?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat