Pse qeshëm me Valonin?!

Opinione

Pse qeshëm me Valonin?!

Nga: Kimete Berisha Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 15:08
Kimete Berisha

Dëgjomë shpirt.

Dikuj i qeshet kur është më së ngushti dhe në zorin më të madh (për shembull, mua);

dikujt i qeshet kur ndodhin situata të absurdit;

dikujt i qeshet kur njeriu bën gjeste dhe i imiton kafshët,

sepse 'çdo gjë që s'është natyrore, është qesharake'.

Filozofi francez Henry Bergson e ka shkruar librin 'Mbi të qeshurën' që 'për arsye serioziteti' kombëtar shqiptar, kurrë nuk është përkthyer në shqip.

Sepse, humori është 'luks' për 'fukaranë'.

Unë e kam lexuar në serbisht, e kam gjetur në bibliotekën e qytetit të Mitrovicës në vitin e tretë të shkollës së mesme.

Para Bergsonit (më 1900) të gjithë filozofët, gati pa përjashtim e kanë përbuzur komiken, 'të qeshurën' dhe humorin.

Platoni ka qenë i bindur se humori është nënçmues dhe i neveritshëm dhe ka shkuar aq larg sa humoristët i ka përjashtuar nga Republika e tij.

Platoni nuk e ka fshehur se e kanë acaruar sidomos vargjet në Iliada dhe Odisea, ku thuhet se Olimpi ka kumbuar nga të qeshurat e Perendive.

Pastaj Aristoteli, Réne Dekart, Imanuel Kant, Hobsi, Epikteti, të gjithë këta pa përjashtim kanë shkruar kundër humorit.

Imanuel Kant ka thënë 'Janë dy gjëra që nuk kanë nevojë të kenë kurrëfarë kuptimi: 'e qeshura dhe muzika'.

Ndoshta Kantine e ka pas mirë, sepse as njëra as tjetra nuk e ushqejnë intelektin.

Epikteti ka qenë stoik i vendosur dhe të gjithë ndjekësit e tij i ka urdhëruar 'Mos qeshni', ose nëse mo' Zot u ndodh e qeshni, bëjeni këtë në mënyrë të moderuar.

Thuhet se Epikteti nuk ka qeshur kurrë.

Të jesh serioz, për të të marrë seriozisht, kjo ishte bindja kategorike e njerëzve të 'mençur'.

Bibla është kundër humorit dhe e gjykon ashpër talljen.

Në Bibël përmendet rasti kur një grup i fëmijëve qeshën me profetin Elisha, sepse profeti ishte tullac.

Profeti ishte duke shkuar nga Eliseu në Bethel, kur u ndesh me një grup fëmijësh që e tallën dhe e përqeshën 'Shko lart, ti tullac', 'Ngjitu lart, ti tullac'.

Profeti ktheu kokën, i vështroi fëmijët dhe në emër të Zotit, i mallkoi.

Mallkimi i profetit menjëherë u pranua nga Zoti dhe u realizua.

Nga pyjet dolën dy arinj të mëdhenj dhe i copëtuan dyzet e dy fëmijët.

Është e pakuptueshms që Zotin e hidhëroi kaq shumë tallja e fëmijëve, anipse profeti vërtetë ishte tullac.

Në rrethana normale, profeti do ta pranonte të vërtetën që ishte tullac dhe ose do t'i injoronte fëmijët ose në rastin ideal do të qeshte (me veten) bashkë me ta.

Të përqeshësh veten është art mbi arte, sepse kur e mohon veten, nxit simpatinë (por edhe mëshirën) e të tjerëve për ty.

Thuhet se Zoti ka qeshur Tri Herë. Hera e vetme kur Zoti ka qeshur sipas Bibles, ka qenë ulur këbëkryq midis qiejve, dhe ka qeshur 'armiqësisht' (Psalm 2:2-5).

Kur qesh Zoti, nuk të bie mirë.

Puritanët, kanë shkruar traktate kundër humorit dhe kështu, kur e morën pushtetin në Angli në mes të shekullit 17-të, e shpallën humorin të jashtëligjshëm.

Unë mendoj se s'ka gjë më qesharake sesa të jesh shumë serioz.

Vet ideja se njeriu këtu është-këtu s'është dhe për një moment 'zhduket', si me magji, vdes;

vet ideja se njeriu e lyp në qiell kur lutet para varrit të të vdekurin në tokë, është absurde dhe qesharake.

Asgjë nuk është aq serioze sa të mos jetë qesharake.

Arti më i bukur, protesta më e madhe ndaj pyetjeve pa përgjigje, ndaj ndëshkimit se 'nuk e dimë kah vijmë', 'pse jetojmë' dhe 'pse vdesim' është humori.

Humori e përmbys enigmën, misteriozitetin, e relativizon dhe i bën qesharake dhe të pakuptimta botërat që me kaq seriozitet sillen rreth Diellit.

Humori ta heq frikën

Fiton dhe ngritesh mbi jetën veç kur bën humor me të.

Mos e merr veten shumë seriozisht, nëse do të dalësh me mend n'kry nga kjo botë, sepse Ti vet s'je serioz, asgjë s'varet prej teje, as fati, as jeta jote!

Le ta merr seriozisht jetën tënde Ai, Ajo Perendi që të ka krijuar.

Ti vazhdo qesh, veç pse nuk varet prej teje.

Nuk ka fitore më të madhe në jetë se sa kur Ti e shikon jetën tënde nga fusha, dhe qesh me seriozitetin, kur ngritesh mbi dramën dhe nga lart e sheh se në fund çdo gjë është kaq e qesharake dhe e pakuptimtë, kaq e pashpjegueshme dhe dikur aq shumë nuk ndjen sa nuk i kërkon më as përgjigjet 'Pse Je'. Dikur do veç të pushosh, do që më të mos jesh dhe do që të 'zhdukesh'. Nuk pushon pa u 'zhdukur'.

Është kaq komike sa veç një e qeshur e jotja e madhe do ta bënte 'nervoz' Krijuesin e Qiejve, të Dramës dhe të Enigmës!

Qesharake është Ringjallja, për mua edhe e kërditshme. Një ditë më tha dikush: 'Kam

frikë mos ka ringjallje, floktë më shkojnë n'hava sa herë më shkon mendja se as vdekja mund të mos jetë 'fundi' dhe e përhershme'

I thashë: Derisa toka sillet rreth Diellit, i mban eshtrat ngrohtë, së paku për 80 vjet mos u tutë që çohesh nga varri!

Çdo bisedë serioze (pa humor) është patetike dhe qesharake. Edhe vdekja ka vend për humor.

Kontesha e Versajes, sipas Rusosë 'Në agonimë e vdekjes lëshonte erëra të fuqishme. 'Mirë!' tha, 'Gruaja e cila mund të p.rdhë', ende nuk është e vdekur.

Pastaj e kam dëgjuar tregimin për gruan e urtë, e cila në agoninë e vdekjes e prekte veten në vendin intim, derisa jepte shpirt.

Pra, edhe mënyra e vdekjes mund të jetë qesharake, pa dashjen tonë. Sepse mund të mos jemi aty 'me mend' kur vdesim me instikte dhe me intuitë.

Ose mund të jetë poetike dhe e dhimbshme: si poetja iraniane që vdiq pasi e therri gishtin në gjëmbin e trëndafilit.

Bergsoni e nis librin e tij (me tri ese), duke pyetur: Pse njeriu qesh kur rrëzohet dikush?

Dhe, deri të përgjigjesh ti, ta bën tjetrën pyete: pse nëse e sheh dikë ulur në trotuar të duket normale, e nëse i njejti rri ulur midis xhades, të duket qesharak!

Kur rrëzohet dikush 'kënaqesh' duke qeshur, deri në momentin kur e sheh që ka thy naj asht. Kur e sheh rrezikun, e përbien të qeshurën dhe e pyet:

A e theve përnime a'! Haj medet! Po qysh ndodhi? Derisa e ndal të qeshurën, të nevojitet pak kohë.

Paskali ka thënë: Kur i sheh dy njerëz që duken njësoj, të qeshet me ta! Por nëse të njëjtit i sheh veç e veç nuk është komike.

Bergsoni tregon se kjo ndodh shkaku se natyra nuk e përsërit vetveten, nuk është e natyrshme që dy veta të duken njësoj, prandaj çdo gjë që s'është e natyrshme, është qesharake.

Nëse i sheh dy fëmijë binjak, të veshur njësoj, duken simpatikë, por nëse i sheh në rrugë dy bineq pleq që duken e vishen njësoj, do të qeshësh me ta, sepse duken qesharak. Është qesharake të plaken dy veta njësoj, me të njejtat tesha, me një palë mend.

Nëse e sheh dikë që shkon në punë ose në shkollë me pantallona shizë e me zylyfë, i veshur si Elvis Prisley shembull, të qeshet me të, sepse është jashtë modës.

Nëse i pëlcet një vajze a një gruaje silikoni prej buzëve, të qeshet, sepse nuk është natyrore të dukesh seksi me zor.

Prandaj, vajzat me ndërhyrje estetike, duke dashur të duken seksi, duken të 'vjetra', sepse botoksi të bën 'plakë pa rrudha'.

Dhe kur e sheh ti duke i livritur siliokoni buzëve pa kontrollë, si çamçakëzin që s'mundesh me zënë mes dhëmbëve, të qeshet me të, sepse nuk është natyrore me qenë 'frymëzim i seksit' popullor ose 'seks mashinë'.

Duke dashur t'ua shpjegoj njerëzve seriozë se pse Ne qeshëm me shuplakat e Valonit, po ndjehem si eseja e katërt dhe e pashkruar e Bergsonit (Krenare).

Sikur për shembull, sulmuesi ta kish rrahur fort dhe ta kish përgjakur Valonin për shkak se ka shprehur urrejtje ndaj mërgimtarëve, askush nuk do të qeshte sapo do ta shihte gjakun.

Por, meqenëse Valoni u godit lehtë, kjo situatë duket qesharake, sepse s'ka pasoja dhe se nuk është e natyrshme m'i mbajtë duart në xhepa kur t'i nxejnë faqet.

Maca-mace edhe t'gërrith.

'Shumë gjëra janë komike (de jure), anipse nuk janë komike (de fakto), sepse zakonet kolektive i gjeneralizojnë ato situata komike'.

Pra, 'Ne qeshim gjithmonë kur dikush duket si gjë materiale, sa herë që dikush duket si send'.

Si përfundim, mbaje në mend: 'Komikja mund të shkaktohet nga shëmtia, por shëmtia nuk është gjithmonë komike. Të qeshësh me shëmtinë, të nevojitet çasje naive, reagim e shpejtë dhe origjinal, nuk të nevojitet të mendosh'.

Gazetaria jonë është më dramatike se 'Soap Opera'.

Humori i redakton të metat.

'Humori e edukon shoqërinë, sepse është faktor i uniformitetit të sjelljeve, eliminon qëndrimet ekscentrike dhe qesharake.

Pra, infleksibiliteti është komik, e qeshura është ndëshkim'!

Kur je tutkun, qeshin me ty dhe e qeshura kundër teje në këtë rast është ndëshkim që je tutkun.

Është vështirë të qeshësh i vetëm. E ka shpjeguar Bergsoni. E qeshura është kolektive. 'E qeshura nuk është kënaqësi e intelektit por është aktivitet social'.

- Villiam Palmet (vrasës), duke hipur në litar i tha fjalë e fundit: 'A jeni të sigurtë se mund të më mbajë!'

- Millard Fillmore (Presidenti j 13-të i Amerikës), i tha këto fjalë të fundit dhe vdiq 'Gjella është e shijshme'.

- Stan Lauren (komedian), në shtratin e vdekjes ia thotë fjalët e fundit infermierës 'Më me qejf kisha shkuar në skijim'

- Charlie Chaplin, duke e dhënë shpirtin e vet, pasi prifti ia lexoi ritet, i tha priftit 'Zoti pastë mëshirë për shpirtin tënd'.

Çdo gjë është qesharake, sepse kaq shumë dhimbje me shumicë ka, sa dhimbja e vuajtja jnuk merren më seriozisht.

Sa më pak që e merr seriozisht vuajtjen, bëhet më qesharake, më 'shoqe'.

Më e përshtatshme është të qeshësh me jetën sesa të vajtosh mbi jetën'-Seneka.

E më i bukur se humori është veç 'Heshtja' e Bethovenit.

P.S. Non fui, fui, non sum, non curo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat