Kovidi dhe rëndësia e oksigjenit

Opinione

Kovidi dhe rëndësia e oksigjenit

Nga: Ahmet Pllana Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 07:49
Ahmet Pllana

Viti 2020 mund të quhet vit i pandemisë. Ishte një vit mjaft i vështirë, meqë gjithandej në botë u përhap virusi covid 19, ndërsa në vendin tonë filloi të përhapej në fillim të marsit të këij viti. Pandemia e virusit covid19 ka bërë që të ndryshojnë shumë gjëra, si dhe rënia e ekonomisë.

Pandemia ka bërë që të ndryshojnë edhe sjelljet e njerëzve, duke i bërë të mendojnë më thellë për jetën dhe rëndësinë e jetës. Jeta nuk bëhet në izolim, nuk bëhet vetëm, pa miq e shoqëri, pa njerëz, pa bashkëpunim mes tyre, pa shëndet dhe pa punë.

Pandemia ka bërë që të izolohen njerëzit nëpër shtëpitë e tyre dhe kjo ka bërë që ata t’ia dijnë rëndësinë bashkëpunimit dhe punës me njerëz, por edhe shkuarjen dhe vizitat te njëri tjetri. Pandemia ka bërë t’ia dijmë rëndësinë edhe ajrit, përkatwsisht oksigjenit, pa të cilin nuk mund të jetohet.

Për çdo ditë dëgjonim lajmet në televizor se një numër i njerëzve, nga pesë a gjashtë, nganjëherë edhe më shumë, brenda ditës, po vdisnin nga virusi korona. Ky ishte një shqetësim për të gjithë, ishte një dhimbje për secilin.

Shpeshherë kemi dëgjuar për problemet me oksigjenin, pa të cilin nuk bën. Një mbrëmje folësi i lajmeve në tv tha se një person kishte vdekur nga mungesa e oksigjenit. Eh oksigjeni…sa i rëndësishëm që është për jetën e njeriut, sepse nuk mund të jetojë njeriu pa oksigjen.

Kurrë nuk ia kemi ditur vlerën oksigjenit.Tani po ia dijmë dhe do t’ia dijmë akoma më shumë tani e tutje. Oksigjeni vjen nga natyra, pikërisht nga pyjet, nga drunjtë. Po të mos ishin pyjet ne nuk do të kishim oksigjen. Si do të merrnim ne frymë pa oksigjen? Nuk ka mundësi të jetohet pa oksigjen.

Gjithkush mendon për gjithçka, vetëm për oksigjen jo. Askush nuk pyet a kemi mjaftueshëm oksigjen në natyrë, derisa po shkatërrohen pyjet? Kemi oksigjen të përzier me gazëra dhe pluhur. Shumëherë kemi dëgjuar njerëzit duke thënë “po shkojmë në bjeshkë, sepse atje ka pyje, ka drunj, ka ajër të pastër, ka njëqind për qind oksigjen”. Si duket, ne si shoqëri nuk po kemi kujdes të duhur që t’i ruajmë pyjet tona, që ato të mos priten dhe të mos shkatërrohen.

Duhet ta dijmë të gjithë se oksigjeni vjen nga pyjet dhe çdo dru e ka rëndësinë e vet. Ne jo vetëm pyjet që nuk i ruajmë dhe i shkatërrojmë, duke prerë dru për ngrohje, por edhe drunjt që i kemi në rrafshe, i presim, i shkulim, se dikujt, çuditërisht, i pengojnë drunjtë.

Drunjtë dhe pemët janë bukuri e natyrës që njerëzve u sjellin freski, kënaqësi dhe oksigjen, por u sjellin edhe frute. Ka edhe drunj që nuk japin frute, por edhe ata drunj nuk duhet të priten, sepse lirojnë oksigjen, e pastrojnë (filtrojnë) ajrin, siç janë bagremi, shelgjet, bredhat, etj.

Sidomos shelgje ka pranë lumenjve, qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël. Mirëpo, në asnjë mënyrë nuk duhet të priten as këta drunj, sepse edhe këta drunj lirojnë oksigjen.

Nuk don të thotë që patjetër secili dru duhet të jap frute. Pastaj është bukuria e drunjve dhe e pemëve që na sjellin kënaqësi kur i shohim. Ai që ia di vlerën secilit dru, ai e ka kuptuar jetën.

Secili njeri që i ruan drunjtë, është njeri i kulturuar dhe mund të themi edhe i arsimuar, sepse ia di vlerën secilit dru që ekziston. Madje, jo drurin si të tërë, por as një degë të vetme nuk duhet prerë, sepse edhe një degë e vetme e drurit e ka vlerën e vet.

Në raste të rralla lejohet të prehet një dru vetëm nëse e ka zënë rrugën, përndryshe çdo dru e ka vlerën e vet, e ka jetën e vet dhe në asnjë mënyrë nuk duhet prerë. Në vendet evropiane nëse dikush e prêt një dru, ai gjobitet me gjoba të larta.

Drurin nuk duhet prerë në asnjë mënyrë, sepse secili dru liron oksigjen, të cilin ne e thithim, faktikisht ne marrim frymë dhe jetojmë. Askush nuk po mendon për oksigjenin. Kjo është shqetësuese, sepse asnjë ide, asnjë iniciativë, asnjë projekt, nuk po merret me oksigjenin në natyrë.

Mirë do të ishte që në vitin 2021 të kemi kujdes për pyjet dhe t’i ruajmë ato që mos të prehen. Të themelohet një shoqatë dhe të emërtohej “T’i ruajmë pyjet”. Në vitin 2021 të hartohen projekte për ruajtjen e pyjeve.

Fillimisht të organizohen konferenca tematike, seminare dhe tribuna me temë ‘rëndësia e oksigjenit dhe ruajtja e pyjeve’ për të sensibilizuar qytetarët e të gjitha moshave për rëndësinë e oksigjenit dhe ruajtjen e pyjeve.

Gjithçka po punojmë, po ndërtojmë pallate, po ngrisim fabrika, hotele, restorante, etj., por nuk po i kushtojmë rëndësi ruajtjes dhe mbrojtjes së pyjeve.

Pandemia bëri që të mendohet për oksigjenin në natyrë dhe rëndësinë e tij. Të themelohen shoqata të cilat do të merreshin me mbrojtjen e natyrës, pyjeve, pemëve, drunjve.

Uroj që në vitin 2021 të ketë mbarësi dhe suksese në mbrotjen e pyjeve, sepse pa pyje nuk bën, pyjet lirojnë oksigjen! Në këtë vit të kemi suksese në çdo lëmi të jetës, në shëndet, në largimin e covidit 19, si dhe në mbojtjen e pyjeve! Gëzuar 2021!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat