Çdo qytetar i Kosovës ka borxh mbi 600 euro

Opinione

Çdo qytetar i Kosovës ka borxh mbi 600 euro

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 3 janar 2021 Në ora: 16:58
Foto ilustrim

Ndonëse u futëm në vitin e ri, hallet dhe problemet e vjetra nuk kanë mbaruar, ato janë bartur edhe në këtë vit. Fatkeqësisht, shifrat për nivelin e punësimit në Kosovë janë shumë të ulëta. Së fundi, Agjencia e Statistikave e Kosovës, ka publikuar rezultatet mbi shkallën e punësimit sipas gjinisë.

Sipas kësaj ankete, 46.2 për qind e meshkujve të moshës 18 deri 65 vjeç punojnë. Por, kjo përqindje te femrat është shumë më e ulët. Vetëm 14.4 për qind e femrave të moshës 18 deri 65 vjeç janë në punë. Në përgjithësi, 30.1 për qind e njerëzve në Kosovë, të moshës 18 deri 65 vjeç, janë të punësuar. Edhe këta që janë të punësuar , shumica nuk ia dalin me pagën që marrin, me një pagë mesatarisht 417 euro.

Derisa numri është i ulët i të punësuarve, në anën tjetër borxhi publik i Kosovës është rritur gjatë vitit që lamë pas. Borxhi publik i Kosovës ka arritur në vlerën e 1 miliard e 131 milionë eurosh gjatë vitit 2020 apo 3.47 për qind më shumë sesa viti 2019. Pra, secili qytetar i Kosovë ka borxh mbi 600 euro, shifra më e lartë në rajon. Përjashto vitin 2020, qe ishte vit i pandemisë dhe si rrjedhojë u bllokuan edhe lëvizjet, shqiptarët e Kosovës së bashku më të Shqipërisë janë të dytët për nga numri që kërkojnë azil në vendet e BE, menjëherë pas Sirisë, vend me gjendje lufte.

Në anën tjetër, jemi i vetmi vend në Evropë që akoma nuk e ka liberalizimin e vizave, që përbën një padrejtësi të madhe, me dëshpërimin e qytetarëve, në rritje. Andaj, qeveria që pritet të del nga zgjedhjet, që pritet të mbahen në fund të këtij muaji, ka shumë punë përpara vetes.

Me pritjet e mëdha të qytetarëve, halleve të mëdha, dhe mundësive shpesh herë të munguara për të bërë rotacion të madh. Qytetarët e Kosovës, Kosova në përgjithësi, ka nevojë për reformat e thella, të shpejta që do të ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve të Kosovës. Kushdo që do të jetë kryeministër, duhet të ketë parasysh se pritjet janë të mëdha, me shpresën e fundit për të ndalur ikjen e të rinjve drejt vendeve të ndryshme të botës.

Tri shtyllat e shtetit, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia kanë nevojë për intervenime të shpejta, të cilat janë vitale për të kthyer shpresën e qytetarëve, e cila shpresë nuk është lehtë të kthehet pas shumë dëshpërimeve. Ulja e luksit për zyrtarët qeveritarë, shpërdorimi i parasë publike është njëri ndër hapat që duhet të ndërmerret shumë shpejt. Mos të harrojmë edhe krijimin e Reformës në drejtësi, për të cilën Kosova ka shumë nevojë, duke kthyer kështu shpresën e qytetarëve të zakonshëm, se drejtësia vlen për të gjithë njësoj. Largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, është hap që duhet të bëhet, si hapi i parë i madh që drejtësia të mos jetë e ndikuar nga politika. Pritjet janë të mëdha, nevojat po ashtu të mëdha, me vullnet dhe dëshirë të madha , vendi ynë mund të shoh ditë të mira. Tani është koha e fundit që Kosova të fillojë të shoh ditë të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat