Me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!

Opinione

Me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!

Skënder Buçpapaj Nga Skënder Buçpapaj Më 15 janar 2021 Në ora: 07:43
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Kosova është me Vjosën dhe Albinin, është me Albinin dhe Vjosën! Shqiptarët, në shumicën dërmuese janë me dy udhëheqësit më përfaqësues të një gjenerate të re politike që po vjen fuqishëm në krye të Kosovës.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë dy figurat politike më të dashura për shqiptarët.

Një zhvillim shumë i mirëpritur historik mori sot firmat nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe udhëheqësja e nismës Guxo, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e parlamentit dhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.  Formacioni politik i udhëhequr nga zotëri Kurti, më i votuari në zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, dhe nisma qytetare e udhëhequr nga zonja Osmani, deputetja më e votuar në historinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së sotme, kandidojnë së bashku në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Një zgjidhje më e mirë, më e zgjuar, më logjike se të gjitha zgjidhjet më të mira, më të zgjuara e më logjike që janë hamendësuar këto kohë nga të gjithë njohësit më të zotë dhe më mirëdashës të Kosovës.

Nga këto zgjedhje Kosova do të ketë Kryeministër Albin Kurtin dhe Presidente Vjosa Osmanin.

Verdikti i 6 Tetorit 2019 do të gjejë konfirmimin  e padiskutueshëm më 14 Shkurt 2021. Kosova është e vendosur në verdiktet e saj. Kush pret që Kosova të zbehë vendosmërinë e saj ndaj verdiktit të 6 Tetorit 2019, do të dalë i gabuar dhe i zhgënjyer. Kosova drejt 14 Shkurtit 2021 shkon më e vendosur se kurrë që asgjë në botë të mos e lëkundë në këtë verdikt.

Me Vjosën dhe Albinin Kosova do ta shohë veten të barabartë në të gjitha tryezat ndërkombëtare, Kosova do të jetë shumë më pak ballkanike dhe shumë më tepër evopiane, do të ketë pavarësinë dhe sovranitetin politik, ekonomik, kulturor, në rrafsh të brendshëm, në rrafsh fqinjësor dhe në rrafsh ndërkombëtar. Të gjitha këto dimensione të shenjta Kosovës i kanë munguar, i janë cënuar, i janë nëpërkëmbur, i janë keqpërdorur në vitet e paspushtimit dhe në vitet e pas zyrtarizimit të pavarësisë.

Jemi me Vjosën dhe Albinin, jemi me Albinin dhe Vjosën, sepse jemi me Kosovën, sepse Kosova është me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!

Kryeministri dhe Presidentja që do të dalin nga zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021 të Republikës së Kosovës kanë formatin e admirueshëm evropian dhe perëndimor, kanë vizionin e qartë për konsolidimin e gjithanshëm të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, kanë programin më konkret për ta bërë Kosovën të jetueshme për qytetarët e saj, kanë portretet më frymëzuese politike për të frymëzuar rininë dhe të gjithë faktorët e tjerë vitalë të shtetit të Kosovës.

Kosova më 14 Shkurt 2021, siç tha sot z. Kurti, do të votojë “për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim për të gjithë qytetarët pa dallime, diskriminime e favorizime”. Kosova më 14 shkurt 2021, siç tha sot zonja Osmani, do të votojë kundër kapjes së shtetit, kundër padrejtësisë dhe pabarazisë, do të votojë për përparim, mirëqenie dhe dinjitet. Siç garantoi zonja Osmani, “sot e për katër vitet në vijim, por edhe përtej këtyre katër viteve, ne jemi të vendosur për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, për të ndërtuar një vend që prioritizon arsimin dhe shëndetësinë, mbrojtjen e mjedisin dhe mirëqenien e secilit e secilës për ju, duke siguruar një rimëkëmbje ekonomike të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe inovative. Jemi të vendosur për të respektuar dhe mbrojtur kushtetutën e Republikës tonë si dhe për të garantuar sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës”.

14 janari, me firmat e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, shënoi marrëveshjen që “përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bashkim rreth një kauze për një të ardhme më të mirë”, siç theksoi zonja Osmani. Një muaj më vonë, më 14 Shkurt 2021, ajo do të marrë firmën e Kosovës.

Jemi me Vjosën dhe Albinin, jemi me Albinin dhe Vjosën, sepse jemi me Kosovën, sepse Kosova është me Vjosën dhe Albinin, me Albinin dhe Vjosën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat