Anton Çetta e bashkoi popullin, por institucionet e vendit e harruan atë

Opinione

Anton Çetta e bashkoi popullin, por institucionet e vendit e harruan atë

Nga: Ismail Muçiqi Më: 15 janar 2021 Në ora: 22:40
Ismail Muçiqi

30 vite kaluan kur ajka intelektuale e Kosovës u organizua dhe u betua per pajtimin e gjaqeve dhe bashkimin e popullit për të ruajtur ekzistencën e tij. Ata dhanë çdo gjë nga vetja dhe punuan ditë e natë për pajtimin e gjaqeve në trevat e Kosovës dhe gjithandej ku jetuan shqiptarët.

Kjo ishte periudha më e ndritshme e shekullit të kaluar kur barbarisë dhe shovinizmit serb përmes politikës paqësore, i doli në ballë lëvizja gjithëpopullore e shqiptarëve të Kosovës në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, lëvizje kjo e cila e bashkoi popullin dhe e mobilizoi për kauzën e lirisë e demokracisë dhe vlerave perëndimore.

Historia e shekullit të kaluar nuk ka shënuar apo arkivuar ndonjë ngjarje më të rëndësishme se aksionin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Ai aksion u shkrua me shkronja të arta të historisë shqiptare.

Një nga veprimtarët me përmasa kombëtare, i cili i priu këtij aksioni fisnik dhe patriotikë ishte profesori i nderuar Anton Çetta.

Ky aksion i faljes së gjaqeve, me qëllime të bashkimit të popullit ishte arma më e fortë kundër aparatit fashistë të shtetit serb.

Autoriteti i Anton Çettës dhe i shumë bashkëpunëtoreve të ti ishte i pa kontestueshëm.

Shumë familje, të cilat ishin në hasmëri mes veti arritën të pajtohen dhe të falin gjakun e djalit, vëllaut apo të anëtareve të tjerë të familjes.

Edhe pas 30 viteve busti i profesor Anton Çettës ende qëndron në podrumet e ndryshme për shkak të papërgjegjësisë morale, njerëzore dhe kombëtare të institucioneve të Komunës së Prishtinës e deri tek ato më të larta shtetërore.

Ky mos veprim i turpit dhe mos respekti ndaj Anton Çettës është mendësi dhe sjellje të njerëzve pa integritet, të cilët as që e njohin historinë dhe rrjedhat politike, dhe sakrificat e këtij popullit gjatë periudhave të kaluara.

Përgjegjësia dhe turpi rreth përcaktimit të vendit {lokacionit} për vendosjen e shtatores të Anton Çettës në Prishtinë i faturohet Shpend Ahmetit dhe stafit të tij, i cili qendron në krye të Komunës së Prishtinës.

Kjo pa përgjegjësi dhe ky mjerim i vetëdijes të këtyre institucioneve të pas luftës tregon më së miri nivelin dhe përkushtimin ndaj gjeneratave, të cilët u sfiduan gjatë jetës për ta bërë Kosovën shtet të lirë dhe demokratik.

Deklaratat e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilat u plasuan këto ditë të fundit se pa lejen e Komunës nuk mund të vendoset shtatorja e Anton Çettës, janë shumë të dhimbshme për kohën në të cilën po jetojmë mjerisht.

Një popull i cili nuk i çmon apo vlerëson gjeneratat e shkuara dhe kontributin e tyre për vendin dhe atdheun, ai popull do të mbetët pa histori dhe pa dituri.

Përgjegjësinë kryesore rreth monumentit të Anton Çettës e mbanë pushteti i LDK-së, e cila shumë vite udhëhiqi me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Kulturës në nivel të Qeverisë të Kosovës.

Në fund po e kujtojmë një thënie të popullit " marrja nuk po mbytka askënd".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat