Diasporën se mund dot KQZ-ja

Opinione

Diasporën se mund dot KQZ-ja

Nga: Dren Dushi Më: 18 janar 2021 Në ora: 17:04
Dren Dushi

1.Kosova vend turistik pa turizëm

Bukuria natyrore e Kosovës kufizohet kryesisht në pak rajone malore, më specifikisht në malet e Brezovicës dhe Rugovës. Disa liqene janë relativisht të shkatërruar nga fakti se shumicën e vitit nuk kanë ujë, meqë dyndja nëpër qytete pa plan* (lexo krim) urbanistik ka shkaktuar edhe tharjen e liqeneve. Nuk mund të shquhet as për ndonjë hotelieri me tradita të mëdha, por ngushëllohet me rininë e madhe, që krijon një optimizëm që natyrshëm e kanë të rinjët, pa qenë të vetëdijshëm shumë për sfidat që i presin në jetesën e tyre në një shtet të ndërtuar nga një shtresë politike me mendësi të koxhabashëve* të perandorisë osmane.

Në këtë gjendje, pra mund të thuhet se Kosova nuk është një destinacion për turizëm në kuptimin klasik të fjalës, nuk është se ndonjë Francez, Çek apo Polak do zgjidhte Kosovën për pushime, qoftë pushime dimërore të maleve, skijimit që ofron Brezovica me infrastrukturë të viteve 80’ dhe mbipopullim nga politikanët e tranzicionit që shkuan për të ndërtuar shtëpi vikendi për të shëndoshur komplekset e tyre, me paratë e arkës së shtetit, privatizimit dhe bizneseve të grabitura.

Pavarësisht këtyre, për nonsens në një gjendje normale, Kosova është vend turistik, madje relativisht mirë.

Çdo vit, gjatë verës dhe festave të dimrit, Kosovën e vërshojnë qindra mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë saj. Të ikur nga skamja e Jugosllavisë, apo e banditëve të pas-luftës dhe shërbëtorëve të tyre, të ikur nga burgu serb, nga përndjekja serbe, të ikur nga gërdia me jetesën pa ligj e rend, të ikur për të shëruar ndonjë familjar meqë Kosova nuk shëron, vetëm të sëmund. Njerëz të përvuajtur, teksa kanë lënë shtëpitë e tyre, familjet e tyre, nënën e babanë, për të ikur nga një jetesë e keqe. Njerëz që kanë punuar shumë, punë nga më të ndryshmet, anipse edhe shpesh herë kanë qenë të kualifikuar për punë më të mira. Njerëz që, në sytë e tyre lexohet tortura e jetës, e punës, e mallit për atdhe, për familje e shokë me të cilët janë rritur, fytyre e tyre sikur thotë; “jam lodhur shumë nga çdo gjë”, nga frika se nuk mund t’ia dërgoj familjes paratë që të mbijetoj në Kosovë, nga frika se Kosova nuk do bëhet, dhe se të tjerë do detyrohen të marrin arratinë sikur ata, por.

2.Diaspora nuk heq dorë

Këta njerëz, tashmë me fëmijët e tyre që janë rritur jashtë shqiptarisë, që kanë nga një punë, hera herës ndonjë punë të mirë, që disa janë të arsimuar e disa tjerë janë bërë yje bote në art, vazdojnë të mos e harrojnë shqiptarinë, të mos e harrojnë Kosovën, vazhdojnë të vijnë në baltën tonë, në ajrin tonë të pa pastër, në parqet tona të shkatërruara, në liqenet tona të thata, në arrogancën tonë, në përbuzjën tonë, “ku mbeti mirëpritja shqiptare?” pyesin e çuditen, por prap vazhdojnë të vijnë, nuk dorëzohen kurrë.

Është madje e çuditshme, sa të fuqishëm janë këta njerëz, mbase vuajtjet i kanë kalitur, “ç’farë nuk të vret të bënë më të fortë”, i bëjnë ballë kufitarëve serbë që kanë knaqësinë të torturojnë aq sa munden çdo shqiptarë, i bëjnë ballë pritjeve dhjetë orëshe në kufi, i bëjnë ballë rrugës së gjatë e ankesave të fëmijëve të vegjël që nuk e kuptojnë përse bëhet ky “pelegrinazh” i përvitshëm.

Ardhja e diasporës shënon daljen nga një mjerim disa mujor i ekonomisë së plaçkitur nga një elitë politike bandite dhe shërbëtorëve të tyre për tash e dy dekata. Bizneset fillojnë të paguajnë mallin e tyre, të dalin nga minusi, të paguajnë punëtorët. Fillon të punoj çdo gjë më shumë, ekonomia merr një infuzion, pikërisht në kohën kur është në prag të kolapsit.

3. I duam vetëm paratë e diasporës?

E ndodhur jashtë skemës klienteliste të Kosovës, e pa varur ekonomikisht, diaspora mendon me kokë të vete, jo me kokë të një shtrese banditësh që kanë kapur shtetin e Kosovës. Diaspora ka sy e vesh, nuk i ndahet lajmeve që shkojnë nga Kosova, janë të informuar dhe idealistë. Nuk shiten për një mbushje telefoni apo një punësim që lë pa punë dikë më të kualifikuar. Kjo i ka penguar shtresës së banditëve, ata i duan vetëm paratë e diasporës dhe jo mendimin e tyre, aq më pak votën e tyre.

Përmes të ashtuquajturëve analistë, diaspora u ofenduar, u shpreh urrejtja ndaj saj, vetëm e vetëm se ata kanë qëndrime politike, duan të votojnë. Nuk po ju pëlqen banditëve dhe shërbëtorëve të tyre të ketë mendim diaspora.

4. Ç’farë të bëjnë banditët?

Duke qenë se sistemi kushtetues i Kosovës është qëndisur në atë formë që fjalën e fundit në krijimin e institucioneve ta kenë pazaret politike dhe ndikimet e fuqive të mëdha, shpesh herë vihet në një situatë kur vetëm një apo dy deputetë bëjnë diferencën. Diaspora e Kosovës ka më shumë mundësi se dy deputetë, por në rastin më të keq, ajo mund fare lehtë të ketë një ndikim prej dy deputetësh. Kjo prishë shumë matematikat e banditëve dhe tuxharëve me mentalitet otoman, andaj kanë aktivizuar shtetin e Kosovës (të kapur) që të pengoj sa më shumë diasporën të mos marrë pjesë në zgjedhje. Në fillim kanë sabotuar një reformë të votimit më të thjeshtë dhe lehtë. Tash e shndërruan procesin e votimit përmes KQZ-së në një proces nonses me idenë e telefonimit të të gjithë votuesve të regjistruar. Sidoqoftë!

5. Diaspora është shumë e vendosur

Në prag të ndryshimeve evolutive të një shoqërie që aspiron integrimet evropiane, një grup banditësh dhe shërbëtorësh të tyre, të dy si palë e privilegjuar e sistemit të vjetër të korruptuar, do bëjnë rezistencën e fundit. Këtë rezistencë ka bërë çdo establishment politik totalitar, neo-komunist/enverist, anadollak, tranzitiv. Këtë rezistencë do bëjnë edhe produktet e Ramizë Alisë e Rahman Morinës.

Nuk është rezistenca e tyre serioze, meqë ky grup të privilegjuarish, janë mediokër, dhe mediokriteti nuk ka dijen për të mbajtur pushtetin edhe kur e kap tërë aparatin shtetror. Aq më pak në rastin tonë me diasporën.

Diasporën nuk e kanë ndalur malet e acarta teksa kanë ikur si azil-kërkues. Nuk i ka ndalur as puna e rëndë, nuk i ndal dot as udhëtimi  i lodhshëm e pritjet e gjata në kufij, nuk i ndal as arroganca jonë, pra nuk ndalen lehtë, për të mos thënë nuk ndalen fare. Andaj nuk do i ndalë as Valdete Daka që merr urdhëra nga establishmenti politik shtet-kapës. Diaspora do marrë pjesë në zgjedhje, dhe atë fuqishëm, zëri i saj është i vlefshëm, madje më i vlefshëm se paratë që ua duam shumë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat