Vjosa Osmani dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Opinione

Vjosa Osmani dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Nga: Skender Musliu, jurist i diplomuar/Bruksel Më: 18 janar 2021 Në ora: 17:09
Skender Musliu, jurist i diplomuar/Bruksel

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Kosovës mbajtur me 06 Tetor 2019, LDK-ja në listën e saj zgjedhore kishte Zonjën Vjosa Osmani, të cilën e promovoi si kandidate për kryeministre të ardhshme të Kosovës, me moton se do t’a luftojnë nepotizmin, korrupcionin dhe krimin e organizuar, madje duke ia dhënë Besën elektoratit se do të jenë konsekuent në realizilmin e këtyre premtimeve.

Zgjedhjet në fjalë, siç dihet, me një diferencë minimale i fitoi LVV-ja, e cila bëri koalicion me LDK-ën për një qeverisje 4-vjeçare.

Mirëpo sapo filluan ndryshimet për ç’kapjen e shtetit, konjuktura politike e opozitës dhe lidershipi i LDK-ës, të trembur nga drejtësia për shkak të keqpërdorimeve, filluan fushatën kundër Qeverisë Kurti, dhe si rrjedhojë Hashim Thaqi, Isa Mustafa dhe Grenelli, vetëm pas 52 ditë qeverisje, rrëzuan Qeverinë Kurti.

Nga LDK-ja Vjosa Osmani votoi kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, që i kushtoi me shkarrkimin e saj nga të gjitha funksionet dhe largimin nga LDK-ja, që u organizua, orkestrua dhe u zbatua me metoda tipike komuniste personalisht nga Isa Mustafa dhe klika e tij.

Isa Mustafa, largimin e Zonjës Osmani e arsyetoi me faktin se ajo nuk i respektoi vendimet e Kryesisë, respektivisht të Isa Mustafës dhe kompanisë së tij, që nuk qëndrojshin, sepse Vjosa Osmani kishte lidhur Besën me elektoratin për realizimin e premtimeve për një qeverisje ndryshe, kurse lidershipi i LDK-ës manipuloi vullnetin e qytetarëve dhe keqpërdori votat për përfitime të ngushta personale dhe grupore.

Problemet e Zonjës Osmani me klikën e LDK-ës janë shumë më të hershme, e sidomos kur ajo votoi kundër zgjedhjes së Hashim Thaqit për president, i cili u zgjodh falë votave të LDK-ës, ishte kundër formimit të Zajednicës, ajo nuk votoi Ligjin mbi Demarkacionin, nuk votoi formimin e Gjykatës Speciale, votoi kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti…...

Vërtetë këto veprime të Zonjës Osmani ishin në kundërshtim me lidershipin e LDK-ës, mirëpo koha i dha arsye, sepse u vërtetuan se ishin në kundërshtim me interesin shtetëror të Kosovës me dëme të pariparueshme.

Nga kjo rezulton se Vjosa Osmani dhe lidershipi i LDK-ës, janë dy bota diametralisht të ndryshme, sepse, derisa Zonja Osmani përfaqëson interesat e qytetarëve dhe ato shtetërore, është për ndërtimin e institucioneve demokratike, për shtetin e së drejtës, për çkapjen e shtetit, kundër nepotizmit, korrupcionit dhe luftën krimit të organizuar, « shtabi i LDK-ës » duke manipuluar dhe uzurpuar votat e qytetarëve, kontrabandon qeverisjet dhe bashkqeverisjet e saja me partitë tjera për zhvatjen e mëtutjeshëm të shtetit, ruajtjen e beneficioneve të krijuara nga korrupcioni dhe krimi dhe vazhdimin e agonisë institucionale.

Fatkeqësisht nga ky moment, «shtabi i Isa Mustafës» filloi një fushatë të egër kundrër Zonjës Osmani, duke dashur t’a dobësojnë imazhin dhe autorutetin e saj.

Mirëpo habitë fakti se në këto kritika shumë shpejt u përfshinë edhe figura tjera politike jo vetëm nga LDK-ja, por edhe nga PDK-ja, AAK…. e mbi të gjitha edhe gra politikane.

Dhe kur i krahasojmë qëndrimet politike të Zonjës Osmani dhe kritikat kuturu, pa arsye, pa argumente, të liga dhe tendencioze, shumë lehtë konstatohet se ata që kritikojnë janë pjesë e partive që kanë kapur shtetin dhe janë kundër ndryshimeve, prandaj në mungesë të arsyeve ata ofendojnë dhe akuzojnë në mënyrë të turpshme.

Edhe përkundër frymës patriarkale në të cilën është zhvilluar gruaja shqiptare ndër shekuj, asnjëherë ajo nuk është kritikuar dhe ofenduar në publik kaq rëndë, dhe nxjerrja e gruas politikane në « pazar » për t’a linçuar, sipas traditave tona është ofendim ndaj familjes shqiptare.

E gjithë kjo po bëhet pikërisht në vigjile të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kur gruaja duhet të përkrahet, promovohet dhe favorizohet, sepse në të kaluarën ajo ka qenë në pozitë inferiore, së paku nga aspekti politik dhe institucional.

Duhet theksuar se Vjosa Osmani është një Zonjë me edukatë familiare, ka kulturë dhe mentalitet politik të avancuar, një pjesë të shkollimit e ka kryer në SHBA, ka një vizion me koncept të qartë dhe pragmatik për shtetëndërtim, është e pakorruptuar, e pashantazhuar, institucionaliste, grua me parime, është në linjë me Kushtetutën, ka përkrahje të qytetarëve dhe të ndërkombëtarëve.

Në zgjedhjet e 14 Shkurtit, në mungesë të kohës ligjore, Zonja Osmani formoi Listën qytetare dhe vendosi të garojë me një Listë me LVV.

Edhe pse Zonja Osmani ka dallime ideologjike me Zotrin Kurti, asgjë nuk i pengon të qeverisin me Program të përbashkët, e mbi të gjitha ka një koncenzus mes tyre për luftën kundër nepotizmit, korrupcionit, krimit të organizuar, Vetingun, ç’kapjen e shtetit dhe konsolidimin e institucioneve.

Në Kosovë ka shumë të rinjë dhe të reja që kanë kapacitete politike dhe intelektuale mirëpo nuk po iu jepet mundësia të sprovohen, sepse po punësohen familiarët e politikanëve si në institucione vendore ashtu edhe në diplomaci, në kundërshtim me ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat