PDK duhet të distancohet nga Hashim Thaçi dhe të kërkojë falje për rrënimin e Kosovës për 20 vjet me radhë

Opinione

PDK duhet të distancohet nga Hashim Thaçi dhe të kërkojë falje për rrënimin e Kosovës për 20 vjet me radhë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 18 janar 2021 Në ora: 17:09
Hashim Thaçi

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit, partitë politike kanë hartuar listat, dhe në kuadër të përgatitjeve kanë krijuar edhe sloganet e tyre.

Zakonisht në slogane përmblidhet i tërë projekti, më të cilin një parti politike konkurron. Së fundi, edhe PDK ka krijuar sloganin e saj të quajtur Rimëkëmbja.

Rimëkëmbja nënkupton ngritjen e një gjejë, e cila paraprakisht është rrënuar, dhe e cila duhet shumë punë për ta kthyer siç ka qenë, apo edhe më të fortë.

Të gjithë e dimë gjendjen në Kosovë, rrënimin e saj në të gjitha segmentet e jetës, të cilat kanë detyruar mbi 200.000 qytetarë të lëshojnë vendin. Pyetja kryesor duhet të jetë: kush e nëpërkëmbi Kosovën, kush e rrënoi që u dashka PDK ta rimëkëmb?!.

Ndonëse pyetja është naive kur dihet se janë vete krerët e PDK, konkretisht kjo parti që e ka rrënuar, përgjigjen e saj e dinë të gjithë qytetarët. Me këtë projekt të saj, PDK vetëm sa irriton qytetarët, të cilët i merr sikur të ishin dele, dhe jo njerëz që kanë jetuar këtu dhe shumë mirë e dinë se kush e ka rrënuar vendin.

Të kërkosh të ndërtosh diçka nga ata që e kanë rrënuar, i bie sikur të vendosësh hajnin prokuror për të luftuar hajninë. PDK në krye me Hashim Thaçin, që ka qeverisur nga 2007, me Hashimin kryeministër për 7 vite ka rrënuar të gjitha shtyllat kryesore të vendit.

Nuk ka tjetër PDK, është po kjo që qysh në vitin 2010 premtonte se brenda vitit do të bëhet liberalizimi i vizave, mbi 300 mijë qytetarë do të punësohen, të gjitha dolën të ishin rrena. Asnjë nga këto nuk u bë, vendi nga dëshpërimi u zbraz nga qytetarët, varfëria u shtua, kriminaliteti po, shëndetësia dhe arsimi vetëm sa u rrënuan. Prandaj, para se me dal në fushatë PDK duhet ta shikojë vetën në pasqyrë, kush janë, dëmet e mëdha që i kanë bërë vendit. Dhe mbi të gjitha, të distancohet nga Hashim Thaçi, fajtori kryesor që vendi është në rrënim.

Derisa prezanton projektin rimëkëmbja, nënkupton se PDK e kupton se vendi është në rrënim, derisa në anën tjetër lavdëron Hashimin. Në vend se të turpërohet me të, ata lavdërohen me njeriun që rrënoi vendin. Këtu ka diçka që nuk shkon: si mund të lavdërosh njeriun që ka rrënuar vendin, dhe në anën tjetër ta kërkosh ta rimëkëmbësh, por nga kush po e rimëkëmb?

Sigurisht se jashtëtokësorët nuk erdhën për ta rrënuar vendin, janë po ata me të cilët lavdërohet PDK, dëshmi e mjaftueshme e mos sinqeritet të tyre. Përveç se të distancohet nga Thaçi, PDK duhet të kërkojë falje për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar vendit, të largoj nga partia të gjithë zullumqaret e vendit, si dëshmi se vërtet kjo parti e ka seriozisht ta rimëkëmb këtë vend, të rrënuar nga ata të cilët lavdërohen nga kjo parti, dhe disa prej tyre akoma në strukturat drejtuese të saj.

Derisa nuk i bën këto veprime, të gjitha veprimet e PDK nuk janë asgjë më shumë se pallavra, me të cilat jemi mësuar tani e 20 vjet. Koha e fjalëve ka kaluar, duhen vepra, ndryshe PDK do të mbetet gjatë në opozitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat