Vota jonë po na vret!

Opinione

Vota jonë po na vret!

Nga: Flamur Hoxha Më: 19 janar 2021 Në ora: 22:23
Flamur Hoxha

Vota jonë e gabuar, vota jonë që e kemi dhënë gabim është ajo që po na vret ditë për ditë jetën, të sotmen e të ardhmen tonë. Na e vret shpresën, të ardhmen, na i vret ëndrrat, na e vret atdheun që e kemi të përbashkët por që e kanë marrë peng dhe na e grabisin një grusht qeveritarësh me klanet e tyre.

Vota jonë që nuk e kemi vlerësuar dhe e kemi dhënë gabim, na e vret administraten e shtetit duke e nxjerrë në rrugë pas një jete kualifikim, përvojë e sakrificë profesionale, duke e fluturuar nga puna nëse si nëpunës nuk bën e nuk siguron 20 vota për rilindjen, duke e zevëndësuar atë me militantë të rilindjes.

Vota jonë e dhënë gabim e në mënyrë të pakujdeshme ose me mendjelehtësi, vret dhe largon biznesin e ndershëm me modelet e bizneseve që fillojnë nga hiçi me para të PPP të buxhetit tënd e parave të pista , vret me këta militantë partiakë të pa aftë në institucionet shtetërore si gjobëvënës harbutë të etur. Miq sipërmarrës mos më thoni që nuk e provoni këtë model e dhunë taksidarësh të rilindjes çdo muaj! Vota jonë e dhënë gabim e jo e menduar thellë po vret qytetarin çdo dite me polici rendi e bashkiake duke u mburrur rilindasit me gjobat ndaj shoferëve e ndaj qytetarëve për mungesën e maskës në rrugë edhe pse krimi përkëdhelet me poste deri në parlament e bashki!

Vota jonë e dhënë gabim, pa menduar e pa kujdes, solli këtë pushtet arrogant që kemi, këtë pushtet fasadë, këtë pushtet që nuk bën punë, që nuk bën investime, që merret me reklama banale e fallso, që mashtron, që rriti papunësinë, mjerimin, varfërinë, që mashtroi për mjekësi falas, që mashtroi për taksa të ulura, këtë pushtet që erdhi me tritol në fuqi, që erdhi me burgosje e kërcënime të pamundurish, këtë pushtet që e bëri Shqipërinë plantacion droge, që e bëri Shqipërinë pa media të lira, që e bëri Shqipërinë bunker, që e ktheu policinë në armë si në kohën e diktaturës dhe policia përdor dhunë të verbër me armë e vret të rinjtë, policia që arreston si në diktaturë në 4 te mëngjesit te rinjtë që duan një komb pa tra, pushteti që vret qytetarët e përkëdhel kriminelët!

Vota jonë e dhënë gabim, pa kujdes dhe pa menduar drejt vret të drejtën, meritën, shpresën dhe qytetarëve u mbetet të syrgjynosen diku larg e më larg nga vendi ynë i bekuar që i ka të gjitha por që e vjedhin pushtetarët me klanet e tyre! Vota jonë që e kemi shpërdoruar ne vetë dhe e kemi dhënë gabim pa e menduar mirë, solli dhe ushqeu pushtetin arrogant të rilindjes që është minorancë në popull, por ka pushtuar parlamentin, që ndjek e përndjek opozitën, që shpif në mënyrë të turpshme e agresive, që për dështimet e veta si pushtet dështak akuzon opozitën me përgjegjësi për qeverisjën!

Vota jonë e dhënë gabim solli këto tragjedi e fatkeqësi që jetojmë, solli paksimin e atdheut nga rinia e tij, solli mjerim, skamje, përbuzje, linçim dhe Shqipëria e 2021 ka bërë hapa prapa duke e refuzuar shtatë herë Bashkimi Europian sepse demokracia është përkeqësuar në Shqipëri dhe janë shtuar dozat e diktaturës dhe autokracisë. Ne me votën tonë mundemi dhe do ti japim dinjitet shtetit, atdheut , shqiptarëve duke votuar njerëz dhe parti të pushtetit të moralit, pushtet që fiton mbi të gjithë pushtetet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat