Moska dhe Beogradi u mundën dje edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë

Opinione

Moska dhe Beogradi u mundën dje edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë

Nga: Spartak Ngjela Më: 21 janar 2021 Në ora: 14:13
Spartak Ngjela

Në Uashington fitoi me forcë të madhe demokracia perëndimore.

Çdo të bëjnë tani hordhitë sllave të korrupsionit në Shqipëri?

l.

Demokracia e rimori sërish forcën drejt perfeksionimit progresiv të drejtësisë shoqërore si proces humanist, dhe të demokracisë si sistem politik.

Presidenti Biden mbajti dje fjalimin e vet historik para se sa të hynte në Zyrën Ovale si një triumfues i konceptit amerikan.

Demokraci pa humanizëm nuk ka. Joe Biden, me fjalimin e tij, e tregoi veten si një figurë e madhe e drejtësisë shoqërore dhe një humanist i shkollave të mëdha, duke hyrë në histori bashkë me presidentët e mëdhenj amerikanë që kanë dominuar krizat antidemokraci në Shtetet e Bashkuara.

ll.

Politika e paraardhësit të tij, Donald Trump, kishte armiqësi me demokracinë, barazinë, kushtetutën amerikane dhe humanizmin. Kjo ishte në esencë një politikë raciste dhe antiperëndimore, të cilën amerikanët e përmbysin me votë masive në datën 3 nëntor 2020.

Kjo përmbysje demokratike, ishte fitore e madhe edhe për çështjen shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Dhe, mendimi i moralitetit, antiracizmit, mendimi humanist i opozicionit paqësor për të vërtetën, dhe koncepti amerikan për zhvillimin demokratik si histori botërore, doli sërish në aktin e vet humanist, antiracist, dhe me optikën reale kushtetuese për demokracinë amerikane.

Tani shqiptarët u bënë sërish pjesë e përkrahjes reale të çështjes së tyre nga i gjithë Perëndimi demokratik.

Çështjen shqiptare, në kohën e krizës antidemokratike Trump në Amerikë, e përkrahu me të gjitha forcat politika gjermane me kancelaren Merkel.

Tani, kjo çështje do ta marrë sërish në ndihmë politikën amerikane të presidentit Biden. Një mbrojtës i madh ky, dhe i hapur i shqiptarëve.

Tani, reforma shqiptare do t'u japë shqiptarëve frutin e pritur antikorrupsion dhe garancinë e drejtësisë së munguar në mbi njëqind vjet shtet shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat