A po e ndjek LDK-ja rrugën e Rugovës?

Opinione

A po e ndjek LDK-ja rrugën e Rugovës?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 21 janar 2021 Në ora: 19:49
Ibrahim Rugova

Në 15 vjetorin e ikjes së tij në amshim, përkujtohet me nder dhe respekt figura historike e presidentit Ibrahim Rugova. Edhe pse është shkruar shumë për Dr. Rugovën, megjithatë figura e tij do të jetë gjithnjë burim frymëzimi për të vazhduar të shkruhet akoma për të, të studiohet jeta dhe vepra e tij. Pavarësisht se është shkruar shumë dhe do të shkruhet akoma, të gjithë bien dakord në një gjë: figura e Rugovës është kolosale.

Si asnjëherë më parë, gjithnjë shtohen ata që flasin për Rugovën, rugovizmin, duke u munduar të përfitojnë në emrin e tij. Kjo gjë nuk është vetëm te shqiptarët, kjo haset kudo. Megjithatë, në 15 vjetorin e ikjes në amshim të Rugovës, të mundohemi të nxjerrim në pah rugovizmin, çka është rugovizmi, çfarë nënkuptojmë me rugovizëm dhe a ka sot në partitë politike frymë të vërtet rugoviste?!

Rugova është tipik shqiptar, shqiptar i vërtetë, shqiptar ilir, dardan, shqiptar modern dhe model për t’u ndjekur. Në formimin e tij intelektual rol të madh ka luajtur eposi, etnia shqiptare, mandej rritja e tij jetim e ka bërë edhe më shumë të zhytet në petkun iliro-dardan. Rugova, bazament të tij ka civilizimin e hershëm, i cili mbështetet në të kaluarën, pa hequr dorë nga e ardhmja. Jo rastësisht Rugova u bë shkrimtar, njeri i letrave, idol i veprës së Bogdanit dhe Xhojsin, të cilët mbeten lajtmotivi i tij jetësor. Te “Parimet estetike”, Rugova artikulon nevojën e rikthimit të shqiptarëve në gjenezë të tyre, popull paqedashës, burra të urtë, të fjalës dhe pushkës. Ruajtja e vlerave, të traditave, është njëra ndër virtytet e rugovizmit, të cilën e manifestoi me “Darkën e lamës”. Mos konfliktiviteti për mendimin ndryshe, nevoja për pluralizëm, nevoja për të çmuar mendimin e gjithsecilit, janë vetëm disa dromca në mozaikun e madh të rugovizmit.

Rugovizmi në vetvete është shqiptari dardan, ilir, shqiptari që solli civilizimin nga lashtësia, shqiptari me plis që nuk është dorëzuar kurrë, shqiptari i penës edhe kur nuk kishte shkolla, si rasti i Bogdanit. Të gjitha këto vlera, dhe shumë të tjera, për të cilat do të shkruajmë edhe herëve të tjera, janë vlera të rralla që gjenden tek një politikan, tek një lider i sotëm. Rugova nuk ishte kurrë politikan, ai ishte misionar, dhe në luftë me një misionar kurrë nuk mund të jesh fitues. Të gjithë sot flasin për rugovizëm, por pak e njohin, dhe shumë pak ecin në rrugën e tij.

Partia, të cilën e themeloi Dr. Rugova, LDK, sot më shumë se kurrë ka nevojë për të rikthyer sytë tek rugovizmi, fryma e cila është venitur në këtë parti. Këtë gjë e dëshmoi edhe daja i Rugovës, por e thonë të gjithë ata që e kanë Rugovën në zemër.

Një LDK në frymën e vërtetë të Rugovës, është garanci për Kosovën, për të ardhmen e saj, gjithmonë në miqësi me SHBA, ashtu siç e theksonte me krenari Dr. Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat